Thu, Mar 13, 2025

“Synojmë 4-5 mandate!”- Zbulon përse u fut në listë të hapur, Shpëtim Idrizi: Secila parti ka peshën e vet në koalicion

  • PublishedMarch 13, 2025

“Synojmë 4-5 mandate!”- Zbulon përse u fut në listë të hapur, Shpëtim Idrizi: Secila parti ka peshën e vet në koalicion

Kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, deklaroi se ka vendosur të kandidojë në listë të hapur për zgjedhjet e 11 majit, me qëllim mobilizimin e strukturave të partisë.

Idrizi theksoi në një intervistë për News24, se PDIU synon të sigurojë 4-5 mandate, kryesisht në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Elbasan.

Ai shtoi se edhe nëse partia do të kishte dy mandate të garantuara në listat e mbyllura, ai do të vijonte të kandidonte në listën e hapur për të forcuar angazhimin e anëtarësisë.

“Vendimin për të qenë në listë të hapur e kam marrë para dy javësh. Ky është rasti dhe në këtë mënyrë ne tentojmë të arrijmë më shumë mandate. Nëse kryetari i partisë do shkonte i vetëm në një listë të mbyllur, do e kisha të pamundur të mobilizoja të gjithë PDIU-në”, u shpreh Idrizi.

Ai konfirmoi gjithashtu marrëveshjen me Partinë Demokratike për pjesëmarrjen e PDIU-së në listat e hapura në nëntë qarqe të tjera, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të saj nga ana e PD-së.

“U detyrova të shkoja vetë në selinë e PD-së mbrëmë për të siguruar që kjo marrëveshje të përmbushej brenda afateve ligjore”, theksoi ai.

Më tej ai tha se në lista PDIU nuk u fut për mëshirë, por për peshën dhe rëndësinë që ka si parti.

“Nuk na ka fut njeri në listë për sadaka e mëshirë. Ne jemi koshientë për peshën tonë, ndaj jemi këtu. Nuk është e lehtë në listë të hapur me këtë Kod, por është rasti të ballafaqohen. Unë e kam bërë dhe më parë, në 2021.

Sot ka një motiv më shumë të kemi një përfaqësim më të fuqishëm, radhën e kaluar kishim më shumë deputetë çamë, në këto zgjedhje nuk kemi përfaqësues. Kjo është arsyeja më shumë që ne të ringrihemi, të bëjmë maksimumin tonë duke dalë vetë të parët. Jam optimist, por sido që të jetë rezultati, ballafaqimi është gjithmonë i vlefshëm. Jam besimplotë dhe i motivuar”, u shpreh ai, ndërsa shtoi se: “ky është një koalicion ku secila parti ka peshën e vet”.