Fri, Mar 14, 2025

E etiketojnë si ‘modele’, reagon gruaja e Feros: Unë kam karrierë akademike

  • PublishedMarch 14, 2025

E etiketojnë si ‘modele’, reagon gruaja e Feros: Unë kam karrierë akademike

Ish-reperi Fero është rikthyer në qendër të vëmendjes pas martesës së tij të dytë me Nitën — një vajzë që ai e mbajti larg syrit të publikut deri kur Prive zbuloi ekskluzivisht profilin e saj. Pas kësaj, çifti nuk ka hezituar të shfaqet shpesh në mediat sociale, duke ndarë me ndjekësit momente nga jeta e tyre së bashku.

Megjithatë, së fundmi Nita ka reaguar ndaj etiketimit të vazhdueshëm si “modele” në rrjetet sociale, duke sqaruar se modelingu ishte vetëm një kapitull i hershëm i jetës së saj.

“Nuk e di pse po shoh ‘modele’ në çdo postim të bërë për mua, kur hera e fundit që qëndrova para një kamere isha 18 vjeçe në London Fashion Week. E nisa si 15 vjeçe dhe fatmirësisht e kisha gjithmonë familjen time kudo që shkoja me vete”, ka shkruar Nita në një reagim në rrjetet sociale.

Ajo shtoi se, megjithëse e ka shijuar përvojën si adoleshente, prioritetet e saj kanë ndryshuar me kalimin e kohës. Aktualisht, Nita është e fokusuar në karrierën akademike dhe profesionale, duke studiuar Drejtësi në University College Dublin (UCD). Ajo ka pasur mundësinë të realizojë praktika në institucione prestigjioze, si firma ligjore Dillon Eustace dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Nita tregoi se frymëzimi për këtë rrugëtim ka ardhur nga nëna e saj, e cila ka pasur një karrierë të suksesshme diplomatike në Irlandë:

“Duke parë punën diplomatike të nënës sime në Irlandë dhe duke ndjekur gjurmët e saj, më bëri të vlerësoja se sa larg kemi arritur të gjithë dhe sa e bekuar kam qenë që jam dëshmitare e etikës së punës dhe forcës që prindërit e mi kanë treguar gjithmonë.”

Ndërsa Nita ndodhet në semestrin e fundit të studimeve, ajo po i përkushtohet ndërtimit të një karriere në diplomaci — një drejtim që e ka zgjedhur me shumë përkushtim dhe pasion.

Mesa duket, për Nitën e sotme, bota e modës është një kujtim i bukur, por e ardhmja e saj shkëlqen në një drejtim krejtësisht tjetër.