Sat, Mar 15, 2025

Analiza/ Arian Galdini: Anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE, si sfidë kombëtare! Bashkim apo ndarje përfundimtare…

  • PublishedMarch 15, 2025

Analiza/ Arian Galdini: Anëtarësimi i shpejtë i Shqipërisë në BE, si sfidë kombëtare! Bashkim apo ndarje përfundimtare…

Nga Arian Galdini

(Një tezë që meriton debat të matur e të kujdesshëm kombëtar.)
Historia e kombeve nuk është një rrjedhë e rastësishme, por një produkt i vendimeve strategjike, i vizionit politik dhe i kapacitetit për të lexuar momentin historik në mënyrën e duhur.
Sot, Shqipëria po përballet me një moment tejet sepcifik që mund edhe ta quajmë edhe si udhëkryq historik: anëtarësimin e shpejtuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2027 apo 2030.
Në sipërfaqe, kjo duket si një arritje e madhe, një triumf diplomatik dhe politik.
Por pyetja thelbësore që ne si shqiptarë duhet të bëjmë është kjo:
• A ndihmon ky proces bashkimin e shqiptarëve apo rrezikon ta bëjë ndarjen e tyre të pakthyeshme?
• A është ky një hap i domosdoshëm për integrimin europian dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, apo një strategji për të cementuar distancën mes Shqipërisë dhe Kosovës?
• A po veprohet me një plan të madh kombëtar, apo po luhet një lojë e cila i shërben të tjerëve dhe jo shqiptarëve?
Historia ka treguar se nëse shqiptarët nuk janë të vëmendshëm dhe nuk mbrojnë interesat e tyre strategjike, të tjerët vendosin për ta.
Sot, ne nuk mund të lejojmë që të përsëritet një skenar ku Shqipëria shkon në një drejtim, ndërsa Kosova mbetet e izoluar dhe e shtyrë drejt një identiteti të veçuar.
Nën këtë dritë e kontekst neoshqiptarizmi nuk është thjesht një ideologji kulturore, por një projekt madhor kombëtar që synon të bashkojë shqiptarët në një të ardhme të përbashkët, politike, ekonomike dhe strategjike.
Kjo nuk mund të ndodhë nëse Shqipëria dhe Kosova nuk ecin në të njëjtin drejtim dhe në të njëjtën kohë.
Shqiptarët dhe Europa: Një marrëdhënie historike.
Integrimi apo anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është një aspiratë e re, por një proces i gjatë që ka rrënjë të thella historike.
Nëse e analizojmë me një optikë më të gjerë:
• Sami Frashëri, në vizionin e tij për Shqipërinë e ardhshme, e shihte vendin si pjesë të natyrshme të Perëndimit.
• Faik Konica e përshkroi shqiptarizmin si një ndërthurje mes identitetit kombëtar dhe qytetërimit europian.
• Ismail Kadare e ka cilësuar Shqipërinë si një komb që historikisht i ka takuar Europës, por që është shtyrë jashtë saj përmes dhunës historike.
Por pyetja që lind sot nuk është nëse Shqipëria duhet të integrohet në BE, por si dhe me çfarë kushtesh.
Një proces i shpejtë për Shqipërinë, por çfarë ndodh me Kosovën?
Edi Rama ka shpallur objektivin e integrimit të Shqipërisë në BE deri në vitin 2027 apo 2030.
Por nëse Shqipëria arrin këtë anëtarësim ndërkohë që Kosova mbetet jashtë apo larg apo e veçuar, çfarë ndodh?
• Kosova do të mbetet në një hapësirë gjeopolitike të paqartë, e izoluar nga Shqipëria dhe e shkëputur nga rrjetet e zhvillimit të BE-së.
• Marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ndërlikohen, pasi Shqipëria do të jetë pjesë e një tregu të rregulluar nga ligjet e BE-së, ndërsa Kosova do të mbetet jashtë tij.
• Subkulturat politike dhe identitare do të evoluojnë ndryshe, duke krijuar një hendek të ri që mund të përkeqësohet me kalimin e kohës.
Në këtë kontekst, a është ky një integrim e anëtarësim i Shqipërisë në BE, apo një plan me ngut për ndarjen e saj përfundimtare nga Kosova?
Për të kuptuar më thellë këtë skenar, duhet të analizojmë një tjetër zhvillim të rëndësishëm:
“Kombi Kosovar”: Një narrativë e re me synime strategjike.
Në vitet e fundit, në Kosovë ka filluar të artikulohet gjithnjë e më shumë ideja e “kombit kosovar”.
• Kjo tezë po prezantohet si një mënyrë për të forcuar identitetin shtetëror të Kosovës.
• Por në realitet, krijimi i një identiteti të veçuar nga ai shqiptar është një mënyrë për të larguar përfundimisht Kosovën nga çdo projekt i Bashkimit Kombëtar.
• Një Kosovë që nuk e konsideron veten më pjesë të kombit shqiptar nuk do ta ndjejë më veten të lidhur me Shqipërinë, pavarësisht nëse ajo është apo jo në BE.
A nuk është kjo një lojë e qartë për të ndarë shqiptarët një herë e përgjithmonë?
Dikush mund të argumentojë se kjo është thjesht një rastësi.
Por historia nuk njeh rastësi, ajo njeh vetëm plane të zbatuara mirë ose gabime strategjike të pafalshme.
Në këtë pikë, Neoshqiptarizmi duhet të formulojë një strategji të qartë dhe të matur për të mbrojtur interesat kombëtare.
Një proces i harmonizuar Integrimi për Shqipërinë dhe Kosovën…
• Nëse Shqipëria hyn në BE para Kosovës, duhet të sigurojë që kjo të mos krijojë barriera për bashkëpunimin kombëtar.
• Duhet të nxisë një integrim paralel për Kosovën, duke e përfshirë atë në të gjitha proceset europiane.
Krijimi i një Komunuelthi Ekonomik Shqiptar.
• Para se të ndodhë integrimi në BE, Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë një hapësirë të përbashkët ekonomike dhe tregtare.
• Ky Komunuelth do të sigurojë që asnjëra palë të mos mbetet e izoluar.
Luftimi dhe refuzimi i plotë dhe shterrues i narrativës së “Kombit Kosovar”.
• Identiteti shqiptar nuk mund të shpërbëhet për interesa politike të momentit.
• Duhet të krijojmë një narrativë të fortë kulturore dhe historike që mbron unitetin kombëtar.
Një Dialog i përbashkët strategjik mes Tiranës dhe Prishtinës.
• Nuk mund të kemi më dy politika të ndara.
• Çdo vendim madhor i Shqipërisë për integrimin në BE duhet të kalojë përmes një strategjie të përbashkët me Kosovën.
Nëse shqiptarët nuk janë të kujdesshëm, viti 2027 apo 2030 mund të hyjë në histori jo si viti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por si viti kur shqiptarët u ndanë përfundimisht.
Ky është momenti për të ndërtuar një vizion kombëtar të përbashkët, për të mos lejuar që ky proces të na gjejë të ndarë dhe të papërgatitur.
Nëse historia po na jep një mundësi, duhet ta shfrytëzojmë për bashkim, jo për ndarje.
Dhe ky është misioni ynë i madh.