“Mungesa e Salianjit, populli shqiptar do hakmerret!”- Gjekmarkaj komenton listat e PD: Tabaku meriton të ishte tek e mbyllura! Çupi dhe Sula, kanë bërë opozitë efikase
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, njëherazi dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka komentuar listën e kandidatëve për deputetë të forcë politike ku ai bën pjesë, por gjithashtu u ndal dhe tek çështja e Ervin Salianjit, i cili ky i fundit ndodhet në burg.
I ftuar në rubrikën “Kjo Javë”, me Nisida Tufa, në News 24, Gjekmarkaj u shpreh se vihet re mungesa e Salianjit, por se “populli shqiptar do hakmerret”.
“Mungesa e Salianjit, i cili është marrë peng nga padrejtësia dhe pushteti, ai duhet të ishte në qarkun e Elbasanit, si drejtues politik, si një aset i PD-së. Populli shqiptar do të hakmerret edhe për padrejtësisë më 11 maj”, tha ai në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24.
Gjekmarkaj foli edhe për deputeten Jorida Tabaku, e cila është lënë në listën e hapur të Tiranës.
“Jorida Tabaku mendoj se është një personalitet i PD-së, është një zonjë intelektuale. Duket se kalkulimi që ka bërë zoti Berisha. Në optikën time meritonte të ishte në listë të mbyllur, por ajo është një politikane që nuk u trembet sfidave. Mendoj se do të ketë mbështetje, është nder për qytetarët e Tiranës të kenë Tabakun përfaqësuese, mendoj se do të jetë shumë e votuar dhe surpriza.
Nuk mendoj se procesi i primareve ka qenë një proces në vetvete. Ka pasur shumë nuanca që çojnë drejt një vendimi. Tabaku ka qenë më e votuara dhe kjo mund të ketë çuar Berishën ta vendosë në listën e hapur”, tha Gjekmarkaj.
Koment erdhi dhe për Dhurata Çupi e cila do kandidojë në listë të hapur për PD, dhe për Dashnor Sulën, i cili u largua pasi nuk u përfshi në listë. Gjekmarkaj u shpreh se të dy ata janë forca efikase për Partinë Demokratike, e se Çupi i ka të gjitha mundësitë për t’u futur në Kuvendin e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 11 majit.
“Janë dy kolegë që kanë bërë opozitë efikase. Janë natyra të ndryshme, janë nuanca. Edhe zonja Çupi është në listë të hapur të PD. I ka të gjitha mundësitë të jetë në Kuvendin e Shqipërisë.”