Sat, Mar 15, 2025

“Ndeshje e vështirë, mund të na godasin”, Tuchel respekton Shqipërinë: Kanë një trajner shumë të mirë

  • PublishedMarch 15, 2025

“Ndeshje e vështirë, mund të na godasin”, Tuchel respekton Shqipërinë: Kanë një trajner shumë të mirë

Nën presion për faktin që një gjerman drejton Anglinë, për Thomas Tuchel, sfida e parë ndaj Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit është një test i fortë, kjo për disa arsye. E para dhe më e rëndësishmja, ishullorët janë të dënuar të fitojnë, çdo rezultat tjetër përveç tre pikëve përballë kuqezinjve do të ishte një dështim i madh, madje as kaq mund të mos mjaftojë pasi tifozët presin një lojë të bukur, një futboll ofensivë, presin që ekipi përfaqësues të tregojë të njëjtin nivel si Premier League, fakt që e pranoi edhe Tuchel:

“Ne nuk duhet të kopjojmë kombe, apo stile të tjera, duhet të pasurojmë lojën dhe nivelin e ligës më të fortë në botë. Ne do të përpiqemi të zbatojmë një stil loje të drejtpërdrejtë, te kemi ritëm të lartë dhe të shfaqim një futboll sulmues”

Tuchel do të debutojë përballë Shqipërisë, ndërsa tre ditë më pas luan kundër Letonisë, dy rivalë të lehtë në letër, por tekniku i “Tre Luanëve” flet me respekt, mbi të gjitha për Shqipërinë:

“Të dy ekipet janë për t’u respektuar edhe pse nuk janë favoritë. Shqipëria ka një trajner shumë të mirë që ka luajtur në nivele të larta. Ka lojtarë me karakteristika të mira individuale që mund të godasin falë aftësive të tyre teknike. Duhet të jemi të përgatitur mirë, pasi do të jenë ndeshje të vështira”.

Një ditë më parë, Tuchel publikoi listën me lojtarët e grumbulluar për këto dy takime, ku bie në sy rikthimi i disa lojtarëve të lënë jashtë “Euro2024”, por nuk munguan as emrat risi. Angli-Shqipëri do të zhvillohet në mitikun “Wembley” më 21 mars.

()


AlbaniaWeb.net