VIDEO/ Në FSHF kanë harruar t’i tregojnë Silvinjos për Albion Markun, trajneri në konferencë: Kush është ky? Çfarë pozicioni luan?
Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo, nuk ia ka idenë se kush është Albion Marku. Mund të duket qesharake që trajneri brazilian nuk njeh mbrojtësin shqiptar që po shkëlqen në kampionatin hungarez, por është e vërtetë!
Kjo u kuptua qartësisht në konferencën e sotme për shtyp, kur u pyet se pse në mungesë të Hysajt, nuk ishte ftuar lojtari në fjalë, i cili kishte bërë paraqitje mbresëlënëse me skuadrën e Eto FC Gior, duke i shënuar edhe Ferencvaroshit.
“Kush është lojtaii? Ku luan? Është një lojtar qendre… I djathtë? Është qendër i djathë apo anësor i djathtë?”, pyet trajneri, para se të mendohej pak dhe pastaj të fliste për zgjedhjen e Hadrojt në atë pozicion, edhe pse ky i fundit nuk luan që nga janari dhe për më tepër vetë Silvinjo pak kohë më parë e quante mbrojtës të majtë në radhët e kuqezinjve.
“Shihni, ne duhet të respektojmë një transferim. Pas Hysajt dhe Balliu, ne kemi sjellë Hadrojn. Ai ka bërë një transferim në Ukrainë. Futbollisti, tek i cili kemi besim, vjen te ne. Balliu dhe Hadroj. Në këtë moment, na mungon një lojtar i cili është në anën tjetër, një i majtë”, tha trajneri i Kombëtares i zënë në befasi nga kjo pyetje e papritur.
SHIH VIDEON
Duket shumë e çuditshme që trajnerit nuk i është komunikuar asgjë nga stafi i Kombëtares për një lojtar i cili është 24 vjeçar dhe ka luajtur 15 ndeshje me fanellën e U21, pa harruar këtu praninë e tij në grumbullimet e Kombëtares A në periudhën kur ajo drejtohej nga Edi Reja.
Një gafë e pabesueshme nga personat pranë trajnerit apo departamenti i skautimit, i cili mori mbi vete një pjesë të meritës së kualifikimit në Europian falë “algoritmit” të trumbetuar në mediat ndërkombëtare si përpiluesit e listës më të plotë të futbollistëve shqiptarë anembanë botës. Rasti i çudisë të Silvinjos me Albion Markun, vërteton të kundërtën.
E. KUKA-PANORAMASPORT.AL