Mon, Mar 17, 2025

FOTO/ Shqipëria nis rrugëtimin drejt Botërorit, shihni notën mesatare të vitit të fundit për 26 emrat e përzgjedhur nga Silvinjo

  • PublishedMarch 17, 2025

FOTO/ Shqipëria nis rrugëtimin drejt Botërorit, shihni notën mesatare të vitit të fundit për 26 emrat e përzgjedhur nga Silvinjo

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot grumbullimin për dy ndeshjet e para kualifikuese të Botërorit 2026, të cilat i luan në ditët e fundit të marsit kundër Anglisë dhe Andorrës. Trajneri Silvinjo ka përzgjedhur 26 emra, në një listë që gjithmonë ka vend për diskutime, për shkak të formës së ndryshme që kanë kaluar apo po kalojnë lojtarët.

“Panorama Sport” ju sjell një tabelë më të qartë të formës që kanë kaluar të 26 emrat e përzgjedhur nga tekniku, duke u bazuar te vlerësimi i “Sofascore” për 12 muajt e fundit. Një vlerësim sipas notës mesatare të dhënë për ndeshjet në klubet përkatëse dhe jo vetëm me fanellën e ekipit kombëtar dhe merr për bazë paraqitjet statistikore, sipas të cilave vlerëson portali në fjalë. Sigurisht, duhet marrë parasysh fakti se lojtarët janë në kampionate të ndryshme, ndaj secila mund të ketë një peshë të ndryshme, pavarësisht rolit të njëjtë që mund të mbajnë lojtarët, ashtu si edhe fluksi i aktivizimit të disa prej tyre.

Mes portierëve është Elhan Kastrati ai i cili ka notën më të lartë mesatare për vitin e fundit, ku ai ka qenë rregullisht pjesë e Çitadelës në Serinë B. Nota mesatare 7,04 e bën Berat Gjimshitin mbrojtësin më të vlerësuar, një arritje jo e vogël duke llogaritur se kompeticionet në të cilat ka marrë pjesë gjatë kësaj periudhe janë Seria A, Liga e Kampioneve dhe Liga e Europës ku ai u shpall fitues me Atalantën.

Prurja e re, Etnik Brruti, bie në sy me notën 7,3. Por duhet marrë parasysh se kjo notë vjen nga vlerësimet që ka marrë ai kryesisht në kampionatin kosovar të futbollit me fanellën e Malishevës. Ndërkohë, mes emrave të zakonshëm të Kombëtares në mesfushë, spikat Qazim Laçi, me notën mesatare 7,1.

Sa i përket sulmit, Jasir Asani me 7,2 spikat dhe duket e natyrshme duke parë formën që ka kaluar në Ligën e Kampioneve të Azisë ku është ndër golashënuesit më të mirë. Një notë e lartë mesatare prej 7,16 edhe për Rei Manajn, i cili është kthyer në një golashënues me emër në Turqi.

NOTAT MESATARE SIPAS SOFASCORE

WhatsApp Image 2025-03-15 at 5.17.34 PM


AlbaniaWeb.net