Pak ditë pasi mori detyrën, kryeministri kanadez fton Zelenskyn të marrë pjesë në samitin e G7 në qershor
Kanadaja, e cila mban presidencën e radhës të G7 këtë vit, ka ftuar presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të marrë pjesë në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet në qershor në Alberta, Kanadaja perëndimore.
Presidenti ukrainas ka theksuar në një postim në X, se ka pasur “një bisedë të mirë me Carney”, duke thënë se ky i fundit “bëri pikat e duhura për nevojën për të rritur presionin ndaj Moskës”, por presidenti ukrainas nuk përmendi se kishte marrë një ftesë për të marrë pjesë në samitin e këtij viti të Grupit të Shtatë.
Nga ana e tij, kryeministri i ri kanadez përsëriti se vendi i tij mbështet fuqishëm luftën e Ukrainës për liri kundër agresionit rus. “Një paqe e qëndrueshme në Ukrainë kontribuon në sigurinë e të gjithë neve.”, ka thënë ai.
Javën e kaluar, G7 riafirmoi mbështetjen e palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e integritetit të saj territorial dhe kërcënoi Rusinë me sanksione të reja pas një takimi të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të G7.