Mon, Mar 17, 2025

Pason Anastasin, kush është Joan Pelushi, Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse! Pagëzimi fshehtas në diktaturë, si u konvertua në të krishterë më 1975

  • PublishedMarch 17, 2025

Pason Anastasin, kush është Joan Pelushi, Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse! Pagëzimi fshehtas në diktaturë, si u konvertua në të krishterë më 1975

FERDINAND SAMARXHI *NDERI I KOMBIT ferdinand samarxhi

Hirësi Joan Pelushi u zgjodh Kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Zgjedhja e Kryepeshkopit Joan u bë dje nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse, pas Liturgjisë Hyjnore të së dielës, që për besimtarët ortodoksë përkon me të dielën e dytë të Kreshmës. Hirësi Joani u prit me një ceremoni të veçantë dhe hyri në Katedralen “Ngjalla e Krishtit”, ndërsa kambanat e saj dhe ato të të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri, ranë njëkohësisht në nder të këtij momenti historik. Pas shpalljes së emrit të tij, Kryepeshkopi i ri mbajti një fjalë të shkurtër, që u prit nga dhjetëra besimtarë të pranishëm me duartrokitje dhe thirrjet “i denjë”.

“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor, pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës. I vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie, i lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim”,- u shpreh Imzot Joani. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi, ka lindur në Tiranë në 02.01.1956. Qysh në rininë e tij të hershme, në kohën më të egër të persekutimit fetar, u pagëzua fshehurazi nga prifti hero, më vonë peshkopi i Apollonisë, z. Kozma Qirio, duke u bërë pjesë e një grupi të vogël të kishës së nëndheshme. Ai u konvertua në të krishterë në vitin 1975-ën, gjatë vitit të maturës pasi një shok i krishterë ortodoks i fshehtë, sipas tij, i huazoi një kopje të Dhiatës së Re në frëngjisht.

Në vitet 1979-1990 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavijonin e rehabilitimit nëpërmjet terapisë okupacionale. Dashuria për t’i shërbyer njeriut si krijesë e çmuar, ikonë e Zotit, në vitet ‘79- ‘90 e çon të riun Joan të punojë në Spitalin Psikiatrik të Tiranës, në pavijonin e rehabilitimit të terapisë okupacionale, ku shfaq vlera të tij humane, njerëzore si besimtar. Thirrja KryqNgjallësore e Zotit, do të bënte që ai t’i drejtohej SHBA-së në vitin 1990, për t’u arsimuar në Theologji në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston, ku diplomohet me “High Distinction” në Master i Studimeve Teologjike, në vitin 1993. Qysh në vitin 1992, i nxitur nga dëshira për të dhënë një kontribut në rindërtimin e Kishës, ai kontaktoi Kryepeshkopin Anastas dhe i parashtroi vendimin e tij për t’u kthyer në Shqipëri, në një kohë kur të gjithë donin të largoheshin nga vendi.

Kjo dëshirë dhe ky vendim u prit më gëzim nga Kryepeshkopi, i cili e inkurajoi dhe e përgëzoi. Në shtator të atij viti u kthye në Shqipëri dhe filloi të punonte si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Joan Pelushi, Kryepeshkopi i ri i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Joan Pelushi, Kryepeshkopi i ri i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Në 27 shkurt 1994 u dorëzua dhjakon dhe në 4 dhjetor prift, duke vazhduar të jepte mësim në Akademinë Teologjike. Në 1995 shkon përsëri për të ndjekur studime të mëtejshme në Universitetin “Holy Cross Greek Orthodox School of Theology” në Boston, USA. Për rezultate të larta në sezonin akademik 1995-1996 ishte në Listën Kombëtare të Dekanit (The National Dean’s List), ku shkruhen emrat e studentëve më të mirë të të gjithë universiteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1996 u ngrit në rangun e arkimandritit. Në vitin 1997 u diplomua përsëri me “High Distinction” në MT (Master i Teologjisë, një master i avancuar, ekuivalent me kandidat i shkencave) po në Holy Cross, Boston. U kthye në Shqipëri ku u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse, detyrë në të cilën qëndroi nga viti 1996 deri në 1998, deri sa u emërua Mitropolit.

Në vitin 1998 u zgjodh dhe u dorëzua peshkop, si mitropolit i Korçës, duke vazhduar të ishte përsëri pedagog në Akademinë Teologjike. Ai ka përgatitur tekstet e Dogmatikës dhe ka përkthyer shumë libra, si edhe ka botuar shumë artikuj në gazeta, revista dhe periodikë studimorë të huaj dhe të vendit. Përveç gjuhës së tij amtare shqipes, zotëron anglishten, frëngjishten italishten, greqishten dhe ka njohuri në latinishten dhe hebraishten.

Ka përkthyer disa libra teologjikë në shqip, përfshirë edhe përkthime të vështira nga etërit e kishës, si “Mbi Shpirtin e Shenjtë” të Vasilit të Madh, një libër i cili është bazë në zhvillimin e doktrinës së krishterë. Kontributi në këto përkthime është në formimin, unifikimin dhe përcaktimin e terminologjisë filozofikofetare, sepse ka pasur mangësi në literaturën shqipe në këtë fushë. Kontributi i Imzot Joan Pelushit në fushën e terminologjisë është vlerësuar nga studiues të vendit dhe të huaj. Joan Pelushi ka shkruar tekstin e parë të Dogmatikës në shqip, tekst që përdoret si botimi zyrtar i Kishës Ortodokse në Shqipëri.

Në vitin 2000 ka themeluar dhe vazhdon të drejtojë Revistën periodike “Tempulli”, që është bërë tashmë një nga revistat më serioze në fushën studimore dhe kulturore, ku marrin pjesë intelektualë, studiues dhe albanologë nga më të njohurit, si nga Shqipëria ashtu edhe nga jashtë vendit. Ai është jo vetëm kryetari i redaksisë së revistës, por edhe një nga kontribuesit kryesor në shkrimet e saj. Gama e shkrimeve është e gjerë: në fushën e kulturës, përkthimeve, shkencës, arkeologjisë, filozofisë, teologjisë, historisë, së kritikës së artit, të figurave të shquara të vendit dhe historisë kulturore të vendit tonë, rajonit dhe më gjerë.

Ka përfaqësuar Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në shumë takime ndërkombëtare, si referues dhe si pjesëmarrës në grupet e hartimit të teksteve, deklaratave dhe mesazheve të ndryshëm. Ka përfaqësuar në nivel të lartë Kishën Ortodokse Botërore në shumë grupe pune të Këshillit Botëror të Kishave dhe ishte një nga anëtarët e grupit të rëndësishëm të punës (Joint Working Group) me një mandat pesëvjeçar për hartimin e bashkëpunimit ndërmjet Këshillit Botëror të Kishave dhe Kishës Romano-Katolike. Ka përfaqësuar, po në nivel të lartë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në konferenca dhe takime të rëndësishme ndërkombëtare, si referues dhe si përfaqësues. Përfaqësoi, gjithashtu, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, gjatë pothuajse një dekade, në hartimin e dokumenteve shumë të rëndësishëm për përgatitjen e Sinodit të Madh dhe të Shenjtë, që u mbajt në qershor të vitit 2016, në Kretë

Vazhdon të përfaqësojë me dinjitet Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në dialogun shumë të rëndësishëm ndërmjet Kishave Ortodokse dhe asaj Romano-Katolike, si edhe ndërmjet Kishave Ortodokse dhe Kishave Orientale.

Është ftuar si lektor në dhjetëra konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, duke dhënë një kontribut të madh sidomos në fushën e teologjisë, historisë dhe filozofisë. Ftohet në shumë vende, përfshirë universitete, shkolla teologjike, seminare, takime ndërkombëtare, si të krishtera ashtu edhe ndërfetare, për leksione të ndryshme. Është nderuar me medalje dhe urdhra të ndryshëm nga shumë Kisha Ortodokse në botë.

Jep një kontribut të madh në jetën shoqërore dhe humanitare të qytetit të Korçës, si në fushën studimore dhe kulturore, ashtu edhe në atë humane. Ftohet shpesh për referime dhe biseda në Universitetin e Korçës dhe në shkolla të tjera të rëndësishme të qarkut. Me iniciativën e tij është hapur një mensë për të ndihmuar çdo ditë njerëzit në nevojë, e cila funksionon prej tashmë 27 vjetësh. Kontributi i tij nuk është vetëm në fushën kulturore, shkencore dhe humanitare të qarkut të Korçës, por edhe në atë të forcimin të bashkëjetesës, të dialogut ndërfetar dhe të formimit atdhedashës.

HIRËSIA E TIJ, IMZOT JOANI, KRYEPISKOPI I RI I TIRANËS, DURRËSIT DHE GJITHË SHQIPËRISË
HIRËSIA E TIJ, IMZOT JOANI, KRYEPISKOPI I RI I TIRANËS, DURRËSIT DHE GJITHË SHQIPËRISË

Për këto kontribute të shquara është nderuar duke u shpallur në 23.07.2003 “Qytetar Nderi i Qarkut Korçë” me motivacionin ”Për kontribut të shquar në kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit fetar. Shkencëtar, botues, përkthyes i librave teologjikë në gjuhën shqipe. Ndihmues në emancipimin dhe vëllazërimin qytetar për Qarkun e Korçës dhe më gjerë.” Në 18.08.2008 është shpallur nga Këshilli bashkiak i qytetit të Korçës “Qytetar Nderi” me motivacionin ”Për merita të shquara për ringjalljen e besimit si dhe për veprat e shumta në fushën humane dhe sociale”.

Në 23.07.2018 Universiteti “Fan S. Noli” Korçë i jep titullin “Doctor Honoris Causa” me motivacionin: ”Personalitet i shquar i botës shpirtërore dhe fetare, humanist i madh, përkthyes, themelues i revistës periodike “Tempulli”, duke dhënë ndihmesa të shquara në fushën e kulturës, arkeologjisë, filozofisë, teologjisë, historisë, albanologjisë etj.; bashkëpunëtor i ngushtë dhe mik i Universitetit “Fan S. Noli”, me rastin e 20-vjetorit të fronëzimit të tij si Mitropolit i Korçës”.

Në 29.05.2019, Bashkia Tiranë i jep Certifikatë Mirënjohje me motivacion: Si një vlerë me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, si shembulli më model i promovimit të paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Respekt dhe mirënjohje pafund për tërë kontributin e tij të shquar në shërbim të komunitetit dhe njerëzve në nevojë.

Më 16 Mars 2025, Fortlumturia e Tij, Mitropoliti i Korçës, z. Joan, u zgjodh me votë unanime Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, duke pasuar të ndjerin Kryepeshkop Anastas.

“MË E THELLË DASHURIA PËR KRISHTIN, SESA PËR JETËN”

“Më kujtohet që ishte viti i tretë i shkollës së mesme, kur rashë në kontakt me Ungjillin dhe me një grup besimtarësh që e kishin mbajtur gjallë besimin (vitet ’74 -‘75), si Petro Zheji, Theofan Papa, papa Kozmai, dhe motrat Cico. Bisedonim vazhdimisht me zell të zjarrtë dhe dashuri të madhe për Ungjillin. Jashtë sundonte errësirë, por thellë në shpirt ndjeja një gëzim të madh, përshkruan imzot Joani.”

Vegim i madh Perëndie po e pushtonte të riun Joan dhe Zoti po e thërriste, ‘eja, eja bartu në kasollen time; eja, eja dhe shërbeji grigjës dhe jeto me ta. Kishte nevojë të madhe Kisha, grigja për bari. Njerëzit ishin të etur për Zotin. Brenda në shpirtin e tij kumbonte thellë kërkesa ungjillore e Zotit: “Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta” (Lukai 10:2).

Kjo ishte kambana e fortë e shpirtit guximtar që e thirri dhe e futi Joanin në udhën e apostujve, në udhën e barinjve, hierarkëve të Kishës për grigjën e etur të Zotit që endej ende pa bari, që ai “t’i japë krahë shpirtit, t’i marrë njerëzit dhe t’ia japë Perëndisë” (Shën Grigor Theologu).

Joani, i pagëzuar në kohën e regjimit komunist, duke marrë emrin e apostullit të dashur të Krishtit, Shën Joan Theologut, tashmë do të ishte edhe “bir i dashur” i Kryepeshkopit Anastas dhe “i parëlinduri episkop shqiptar pas komunizmit” i hirotonisur nga ai.

… U largove biri im i dashur jashtë shtetit, gjatë viteve të persekutimit, edhe pse kishe marrë Diplomën e Universitetit të Tiranës, duke mos përfillur rreziqet që kishte një ngjarje e madhe në atë periudhë, përshkruan Kryepeshkopi Anastas ditën e hirotonisjes së imzot Joanit në Mitropolit të Korçës, 1998.

… U largove jashtë shtetit, veçse për t’u përgatitur më mirë teologjikisht për misionin tënd të bariut në Kishë. U ktheve. U hirotonise dhe me vetëmohim po merr pjesë gjatë viteve të fundit në udhën e mundimshme apostolike të Kishës së Shqipërisë.

… Eja i dashur Joan, hyr tani në gëzimin e Zotit tënd. Që me fuqinë e Shpirtit të Tërëshenjtë, me uratat dhe urimet të Tërëshenjtërisë së Tij, të Hirshme Patrikut Ekumenik, z. Vartholomeu I, të vëllezërve tanë të zgjedhur e të shtrenjtë, Hirësisë së Tij Mitropolitit të Pergjit, z. Evangjellos dhe Hirësisë së Tij Mitropolitit të FiladeIfias, z. Meliton, të cilët gjithë këtë periudhë qëndruan pranë nesh me afeksion, urtësi dhe dashuri, eja me lutjet e priftërinjve dhe popullit të zgjedhur të Shqipërisë brenda në Hieroren e Shenjtë, për të marrë Hirin e Shpirtit të Tërëshenjtë për rrugën tënde të re, e cila nuk është prehje në ndonjë fron, por është pranim me gjithë shpirt i Kryqit, rrugë sipas vullnetit të Perëndisë deri në fund.

… Përpiqu, i dashur Joan, në këtë mënyrë të jetosh thirrjen dhe misionin tënd episkopal, duke i shërbyer Kishës, të cilën Zoti “e fitoi me gjakun e tij” (Vep. Ap.20:7).

Në këtë rrugë, në këtë përkushtim, Mitropoliti i Korçës, imzot Joani, kërkon dhe rrit devotshmërinë, përgjegjshmërinë, shërbimin e tij më të denjë ndaj Jisu Krishtit. Zotërues i shumë gjuhëve, anglishtes, frëngjishtes, italishtes, greqishtes dhe me njohuri të latinishtes, hebraishtes kontribuon pa pushim me përkthime, botime, në formimin, unifikimin dhe përcaktimin e terminologjisë filozofiko-fetare, duke plotësuar kështu mangësi të theksuara në literaturën shqipe në këtë fushë.

DEVOCION DHE PËRKUSHTIM PËR DIJE…

Mësues i së vërtetës së Perëndisë, imzot Joani, synon që të gjitha dijet duhet të përçohen, të përvetësohen nga të gjithë. “Personi që e do Zotin e vlerëson njohurinë për Zotin më shumë se çdo gjë të krijuar nga Zoti dhe e ndjek këtë njohuri me zjarr dhe pa pushim” (Shën Maksim Konfesori).

Imzot Joani, shkruan dhe boton që në 1994, në Gazetën “Ngjallja”, Njohuri për besimin tonë Ortodoks: Misteret – shenja të dukshme të Hirit Hyjnor, Shërbesa e Pagëzimit, Mirosja, Kungata Hyjnore, Martesa, Pendimi, Misteri i priftërisë.

Vlerësim i historisë apostolike të Krishterimit Shqiptar, që e lartëson kombin tonë, si komb nga të parët në përqafimin e krishterimit, imzot Joani shkruan dhe boton në Gazetën “Ngjallja” për vite me radhë, rubrikën: Shenjtorët iliro –shqiptarë, ku përshkruhen jetët e shumë shenjtorëve, në shërbim të Kishës, Krishtit dhe popullit të tij, dhe si pasuri e çmuar e kombit tonë shqiptar.

Vlera të rëndësishme Teologjike për Kishën dhe kohën, mban teksti i parë i Dogmatikës së Kishës Ortodokse në shqip, shkruar nga imzot Joani, që prej 1995.

Përhapja e dijes për grigjën, lexuesin, pajisjen e tyre me një informacion themelor, të kuptueshëm rreth besimit dhe jetës së Kishës Ortodokse ka qenë synim i kahershëm intelektual, shpirtëror i imzot Joanit për përkthimin dhe botimin e 4 vëllimeve të “Besimi Ortodoks” nga Protopresviter Thomas Hopko, që prej 1997 – 2002. Besimi Ortodoks: Doktrina, Adhurimi, Historia e Kishës, Spiritualiteti

Vlerë e madhe e përkthimeve është sjellja në shqip e disa librave të thellë teologjikë të Etërve të Shenjtë të Kishës, “Mbi Shpirtin e Shenjtë”, të Shën Vasilit të Madh, në 1996, libër bazë i zhvillimit të doktrinës së krishterë.

Libri i Shën Siluan Athonitit, botuar në vitin 2003, pasuron botimet në gjuhën shqipe për mësimet e besimit dhe frymës orthodhokse. Dispensa me predikime të vitit kishtar shpalosin thesarin e pamatë të ortodoksisë: mënyra e të jetuarit të besimit.

Koha, zhvillimet e saj të gjithanshme teknologjike, kibernetike, shkencore, kohëve të fundit inteligjenca artificiale ka bërë dhe kërkon që doktrina e shenjtë e besimit t’u mbijetojë sot kushteve të largimit të njeriut nga Zoti, rruga e tij. Kjo është dhe përballja më sfiduese e religjionit me botën e zhvilluar postmoderne, që besimi duhet të dominojë, të mbizotërojë vlera të reja për kohën më ekzigjente për zhvillimet e saj. I mbështetur në sigurinë e plotë të premtuar nga Krishti “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimit dhe mbarimi, Ai që është dhe që ishte dhe që vjen, i plotfuqishmi”, (Zbulesa 1:8).

Themelues i revistës periodike më të rëndësishme “Tempulli” në vitin 2000. Kryetar, kontribuues kryesor i saj, “vazhdues i gjurmëve të barinjve shpirtërorë, vizionarë, ndërthurje e bukur, e natyrshme, e njeriut të mendimit dhe veprimit”, është etiketuar, vlerësuar puna e tij shkencore nga intelektualë dhe personalitete të botës së shkencës dhe kulturës. Revistë me vlera universale studimore, filozofike, historike, kulturore, kërkimore, teologjike, arkeologjike, kritike arti.

Ceremonia e Fronëzimit të Kryepeshkopit të ri i Kishës, Joan Pelushi
Ceremonia e Fronëzimit të Kryepeshkopit të ri i Kishës, Joan Pelushi

KAPITULL I RI PËR KISHËN ORTODOKSE DHE SHQIPËRINË…

33 vite ringritjeje nga vdekja në ngjallje të Kishës Ortodokse. Mrekulli që Zoti i dhuroi Shqipërisë. Shënjon kapitullin e parë të Kishës pas komunizmit të egër. Mision i përmbushur! Vepra e Kryepiskopit Anastas sa universale dhe madhështore, mund të përshkruhet dhe ngjasohet më veprat e apostujve, si Shën Pavli, si arkitekt themelues i Kishës apostolike, si Hierark në gjurmët e Shën Vasilit të madh, shën Joan Gojarit, Shën Grigor Theologut, ditën e të cilit edhe ndërroi jetë.

Bashkëpunëtori më i ngushtë, biri i dashur i Kryepeshkopit, i parëlinduri i tij shqiptar, bartës i rrugës së Kryqit dhe Ngjalljes, përkushtues i denjë i mësimeve të Krishtit, apostull besnik i Tij që në vitet e egra të komunizmit, vitet ’70, përjetoi dhe përjeton rrugën e mundimshme të shenjtorëve që ngritën Kishën më gjak dhe besimit e thurur me lavdi, Fort i Hirshmi Joan Pelushi, si një nxënës i urtë i rrugës së Perëndisë, mësimeve të Kryepeshkopit Anastas, si filozof i rrugës së Krishtit dhe doktrinës së shenjtë, përçon më së miri mesazhin e tij të madh dhe fjalën profetike si kryepeshkop i ardhshëm i Shqipërisë.

Ndërrimi i jetës së Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit, Anastas, shënon fillimin e kapitullit të ri, vazhdim i misionit të Krishtit, shenjtorëve, mësimeve të Kryepeshkopit Anastas.

Personalitet i madh, hierark i lartë dhe i mirënjohur publik, akademik, shkencëtar, studiues, teolog, nxënës dhe pasues i denjë i krishtit, mbartës i Kryqit të Krishtit që në egërsinë e komunizmit, përqafimit të tij me dashuri të zjarrtë, mbizotërues i vlerave të mëdha për shoqërinë e sotme njerëzore, të religjionit, të besimit, rolit të madh që luan misioni i fesë sot në botë për sigurinë dhe paqen në luftën globale kundër rrymave agresive, radikale, në vazhdimësi, me vlera si Kryepeshkopi Anastas dhe Hierarkët e tjerë të shenjtë të Kishës, Fort i Hirshmi Joan Pelushi është më se i denjë të gëzojë fronin kryepeshkopal, fron kryqi, mundimi, dashurie, përkushtimi, si kryepeshkop i Shqipërisë, krenari për gjithë shqiptarët, si shqiptar, bir i këtij vendi.