Angli-Shqipëri, diferencat janë 1 miliard euro. Kombëtarja kuqezi “kushton” sa gjysma e Bellingamit
Do të jetë një sfidë si ajo e Davidit me Goliatin. I vogli sfidon të madhin, i “varfri” sfidon pasanikun. Kombëtarja shqiptare do ta nisë rrugëtimin e saj për në Botërorin e Amerikës pikërisht ndaj një prej skuadrave më të shtrenjta në Europë, Anglisë.
Nuk duhet asnjë fakt për të treguar se diferencat mes dy skuadrave janë të tmerrshme në letër dhe në fushën e lojës. Pavarësisht se kuqezinjtë e Silvinjos do të provojnë të bëjnë gjithçka dhe mrekullinë në mitikun “Uembli”, ka disa të dhëna të tmerrshme që tregojnë se sa shumë diferenca ka mes Kombëtares shqiptare dhe nënkampionëve të Europës. Vlera e dy skuadrave në “Transfermarkt” (sajti i specializuar për statistika dhe vlerësimin e lojtarëve) është e frikshme. Anglia e Tomas Tuhel me lojtarët që ka në përbërje kap vlerën e 1.3 miliardë eurove, ndërsa kuqezinjtë tanë kapin vlerën 100 milionë euro.
DIFERENCAT- Interesant është fakti që 4 futbollistë të kombëtares angleze kushtojnë më shumë sesa Kombëtarja shqiptare, Xhud Bellingam që kap vlerën e 180 milionë eurove, Fill Fodën që është 140 milionë euro, Palmer (që do të mungojë me shumë mundësi) vlen 130 milionë dhe Deklan Rajs, 110 milionë euro. Herri Kejn është lojtari i pestë më i shtrenjtë në skuadrën e “Tre Luanëve” me 90 milionë euro, vetëm 10 milionë më pak sesa të gjithë futbollistët e grumbulluar nga Silvinjo. Megjithatë, diferencat e tilla duhet të tregohen në fushën e lojës dhe këtu është elementi që Kombëtarja mund të befasojë dhe mund t’i hapë punë një prej kombëtareve më të forta të kontinentit. Gara jonë nuk është ndaj tyre, por duhet një përfaqësim dinjitoz dhe përqendrim në limitet e perfeksionit për të tentuar kolpon në “Uembli”.
KOMBËTARJA- I pari nga kuqezinjtë që ka vlerën më të lartë në treg është Kristjan Asllani, mesfushori i Interit. 23-vjeçari vlerësohet me 18 milionë euro dhe lë pas Armando Brojën që kap vlerën 15 milionë euro. I treti në listë është Ernest Muçi, kartoni i të cilit vlerësohet 12 milionë euro. Vetëm 3 janë lojtarët e listës së kuqezinjve që kanë numra dyshifrorë në vlera. Gjimshiti kushton 8 milionë euro dhe Ismajli kushton 6 milionë euro. Këta janë 5 lojtarët me vlerën më të madhe në tregun e merkatos në Kombëtaren shqiptare.
DIFERENCA- Në rast se do të largojmë nga lista e Anglisë Palmerin, vlera e kombëtares angleze do të bjerë, por jo nën 1.1 miliardë euro. E thënë ndryshe, Anglia dhe Shqipëria kanë një diferencë të frikshme prej 1.1 miliardë eurosh. Por në fushën e lojës mund të ndodhë gjithçka dhe futbolli prandaj është loja më e bukur në botë, sepse askush nuk mund të bëjë parashikime. Anglia është superfavorite, por me besim mund të bëjmë mrekullinë.