Tue, Mar 18, 2025

EKSKLUZIVE/ “Mrekullitë ekzistojnë, por duhen ndryshime”, “receta” e Hafizit për Anglinë: Na mungon guximi, në Botëror shkohet me mentalitet tjetër

  • PublishedMarch 18, 2025

EKSKLUZIVE/ “Mrekullitë ekzistojnë, por duhen ndryshime”, “receta” e Hafizit për Anglinë: Na mungon guximi, në Botëror shkohet me mentalitet tjetër

Me zemrën zjarr dhe me mendjen e ftohtë, Shqipëria synon që për herë të shkojë në kampionatin botëror. Në ndeshjen e parë kualifikuese, kuqezinjtë sfidojnë të premten Anglinë në “Wembley”, ndërsa disa ditë më pas, përballen me Andorrën.

Në një intervistë për Sport News në News 24, i mirënjohuri Astrit Hafizi, në një bisedë me Trevisa Tufën, foli për mangësitë, problemet, si dhe shanset që ka skuadra e Sylvinhos jo vetëm për ndeshjen ndaj “3 luanëve”, por edhe për arritjen e ëndrrës botëror.

Besoni te mrekullia profesor, mendon realisht se mund të kualifikohemi në Botëror, apo dhe vendi i dytë në këtë grup, faza play-off do të ishte një arritje?

Mrekullia na pëlqen të gjithëve, por duhet të kthehemi te realiteti. Kush nuk  ka qef që ekipi jonë të bëjë një arritje të tillë? Besojmë te kjo ëndërr, është diçka që e ëndërron gjithë populli.  Pjesa sportive, pjesa drejtuese mendon ndryshe, duhet të jetë me këmbë në tokë.

Është e pamundur t’i marrësh pikë Anglisë në Wembley? A mund të besojmë se mund të dalim me një rezultat pozitiv?

Në futboll çdo gjë është e mundur, por kjo i takon më tepër disa skuadrave që ekzistojnë si skuadër, në kuptimin e mirë të fjalës. Janë ekipe që bëjnë mrekulli ndonjë në takime dhe kampionate të ndryshme. Mrekulli ishte kualifikimi i Gjeorgjisë për herë të parë në kampionatin europian. Një mrekulli ishte edhe shpallja kampione e Greqisë në 2004. A mund të kemi ne një mundësi? Unë mendoj që ka disa gjëra që nuk të bindin.

 Çfarë duhet të bëjmë profesor?

Ne jemi me të njëjtin ritëm, grup dhe qasje. Ne kemi nevojë për ndryshim drejtuesish, trajnerësh. Ne nuk kemi krijuar ende një stil loje. Vazhdojmë me të njëjtin ritëm, synojmë që të mos pësojmë gola dhe të mos humbasim thellë.  Ne i kemi kaluar këto faze. Duke vazhduar me këto ritme, i bie që jemi aty ku kemi qenë. Kjo nuk më bind mënyra e grumbullimit të lojtarëve, stilit të lojtarëve dhe faktit që nuk njihen lojtarët se kush janë. Kjo më le dyshime.

 A mjafton të mbrohemi për 90 minuta?

Do gabojmë shumë, ajo që ne paraqitëm në Europian, ne  treguam mungesë dëshirë për të bërë një hap më tepër në lojë, për të guxuar. Ne kemi akoma ndjenjën e frikës. Çdo gjë do ia lejmë rastësisë, kam frikë. Ashtu siç ka ndodhur në disa raste, që ne kemi përfituar në një moment.

A mund të ndikojë takimi kundër Anglisë për sfidën me Andorrën, fundja 3 pikët janë detyrim ndaj Andorrës, jo ndaj Anglisë, a ekzistojnë këto dilema në kokën e Sylvinho-s?

Nuk besoj. Ne do ecim me faktin se e dijmë se kush është Anglia. Unë mendoj që duhet futur një mentalitet tjetër, karshi ekipeve të mëdha. Nëse e kujtojmë golin e Balaj ndaj Portugalisë. Ne duhet të  guxojmë, edhe ndaj Anglisë. I takon drejtuesve dhe stafit që të futin këtë mentalitet te ne.

Çfarë pret nga lojtar si Broja, a mendon se Sylvinho do t’i besojë minuta? A mund ta karikojë një rival si Anglia?

Broja është një nga më të mirët që kemi. Kush nuk e pranon këtë, nuk ka njohuri për futbollin. Janë disa arsye, si dëmtime, mos-angazhim në kombëtare, nuk e kemi shfrytëzuar këtë lojtar.Lojtari si ai, janë të paktët. Nëse e marrim Brojën para disa vitesh, kur  kemi luajtur në Angli me Rejën, e morëm dhe e lamë në tribunë. Ishte i padëmtuar, më i ri dhe më me dëshirë, luante edhe në Angli, nuk u përdor fare. Vijmë në Europian, e përdorëm me Italinë dhe në dy ndeshjet e tjera në stol. Tani vjen nga dëmtimi i gjatë, çfarë do marrim nga ai, kur nuk ka atë orientimin në fushë? Nuk e di si do e përdorim, do e mbajmë kot për emër, apo do e mbajmë në stol dhe e fusim në vonë. Një lojtar që vjen nga dëmtimi nuk mund të futet direkt. Ne na duhet, por mos ta dëmtojmë prap. Kjo është futje para kohe, mund të gabosh. Nëse sillet një lojë rreth një lojtari, rreth tij do sillemi, kur të jetë në formë.

Më thuaj një emër, cili mendon se do të jetë njeriu i këtyre kualifikueseve, siç ishte Jasir Asani gjatë kualifikueseve në “Euro2024”?

Shumë e vështirë për të dhënë një mendim të tillë. Pjesa më e madhe e lojtarëve tanë nuk aktivizohen. Gati 75-80 përqind nuk luajnë. Përjashtu këtu, Gjimshitin që është i përhershëm, apo Kumbulla.  Apo lojtarë që janë në disa kategori, si Asani në kore. Pjesa tjetër kanë dalë nga loja,  si Ramadani, Bajrami,  Asllani (një herë luan, një herë jo). Për ne janë lojtarë kyç. Nëse do një mendim, e pamundur ta them. Strakosha ka dalë jashtë loje. Ajo që po e përsëris, paradoksi më i madh i joni është që kemi një ekip kombëtar që 80 përqind e lojtarëve nuk luajnë dhe ne marrim pjesë në kompeticione. Ndonjëherë marrim rezultat dhe teknikisht nuk shpjegohet.

Më jep një parashikim, si del sfida me Anglinë dhë më pas me Andorrën

Parashikimet janë për tifozerinë. Për mua do jetë diçka shumë e mirë, që ne arrijmë të luajmë në mënyrë dinjitoze. Po arritëm deri këtu, do isha i kënaqur. Duke patur parasysh që kemi një  Serbi që është e etur dhe që ka eksperiencë, patjetër që ka vështirësi edhe këtu. Nëse kemi ekipe si Andorra dhe Letonia, që do i marrim 6 pikë, prap do ishte diçka e mirë. Mos harrojmë që në Nations League, treguam dobësi me disa rivalë, jo të nivelit të lart. Çdo gjë ndodh në futboll.

(J.S/)


AlbaniaWeb.net