FOTO/ KQZ miraton fletën e votimit për zgjedhjet e 11 majit, Celibashi: Është gati një muaj para nisjes së fushatës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar përmbajtjen e fletës së votimit për zgjedhjet e 11 majit. Pasi u paraqitën të gjitha propozimet, komisioneri Celibashi tha se do të merret në konsideratë propozimi i Marash Logut, përfaqësuesit të PD që të bëhen disa korrektime për kandidatët me dy mbiemra.
Celibashi tha se ajo që është me rëndësi ështe fakti që fleta e votimit do të jetë gati një muaj para nisjes zyrare të fushatës.
Duke qenë gati fleta e votimit, Celibashi tha se kjo do ti vijë në ndihmë të gjitha partive politike gjatë fushatës.
“Vendimmarrja e sotme konsistonte në përmbajtjen e fletës së votimit. Si do ishin kandidatët dhe si do shfaqeshin në fletën e votimit. Duke marrë në konsiderate propozimin e zotit Logu do ta miratojmë fletën e votimit për të 12 qarqe, duke bërë këto korrektimet e kandidatëve me dy mbiemra. Kjo do të jetë përmbajtje e fletës së votimit. Kjo është për Tiranën, ndërsa për qarqet e tjera do të bëhet publike.
Qëndron argumenti për të patur një njëtrajtshmëri në shkrimin e emrave të kandidateve dhe cdo gjë tjetër që lidhet me kandidatët.
Ajo që ngelet e rëndësishëm për kandidatët dhe forcat politike është që si asnjëherë tjetër më parë kanë përmbajtjen e fletës së votimit gati 1 muaj para fillimit të fushatës. Ndonjëherë na është dashur që të jetë fleta e votimit edhe në fushatë”, tha Celibashi.
Po ashtu, Komisioneri tha se në javën e parë ose të dytë të prillit fleta e votimit do jetë gati edhe për diasporën.
“Besoj që ne do të mbyllim procedurat e përzgjedhjes së kompanisë që do bëjë printimin dhe besoj fillimi i javës së parë ose të dytë do fillojë shpërndarja në diasporë. Mund të fillojë edhe pak më herët nëse ia dalim që procesi i printimit jashtë vendimit të prodhohet më shpejt. Votuesit nga jashtë do të kenë jo më pas se një javë kohë që ta kenë fletën e votimit për të bërë përzgjedhjen e tyre”, u shpreh Celibashi.