MUSE-X/ Panairi i parë i muzikës vjen në Tiranë
MUSE-X, panairi i parë i muzikës dhe arteve kreative vjen për herë të parë në Tiranë dhe në Ballkan në datat 11/12/13 prill.
I konceptuar si expo-festival, MUSE-X do të mirëpresë në Tiranë për 3 ditë rresht mbi 100 kompani dhe profesionistë të ndryshëm të industrisë së muzikës dhe arteve nga e gjithë Evropa, Mbretëria e Bashkuar, si dhe nga Rajoni, të cilët do të vijnë me të gjithë “arsenalin” e tyre në sheshin Italia.
Profesionistë të muzikës dhe arteve të tjera kreative do të kenë mundësinë të shpërfaqin talentin dhe profesionalizmin e tyre në panairin më cool që mund të keni parë ndonjëherë. Jo vetëm kaq, por përgjatë 3 ditëve emra të njohur të fushës do të mbajnë konferenca dhe TEDtalks duke shënuar kështu, një moment kyç në strukturimin dhe funksionimin e kësaj industrie.
Kështu, MUSE-X ka si qëllim ndërtimin e një ure lidhëse mes bizneseve dhe kompanive të huaja të interesuara për partneritete me kompanitë Shqiptare. Duke bërë këtë, MUSE-X përmbush një tjetër qëllim, përçimin e kulturës shqiptare në entitete të huaja dhe jo vetëm. Dhe në fund, Shqipëria do të ketë për herë të parë një studim të mirëfilltë, profesional të industrisë muzikore dhe arteve kreative.
Sakaq, MUSE-X nuk do të fokusohet vetëm në të qënurit panair, por edhe një festival 3 ditor, ku për 3 netë, artistë të mirënjohur ndërkombëtar dhe kombëtar do të dhurojnë një spektakël të vërtetë në kryeqytet.
Nata e muzikës Elektronike do të sjellë në Tiranë fituesin e çmimeve Grammy, Dubfire, krahas Petar Dundov, Egorythmia, Fanatek, Rea Lemnusha dhe Ema Popivida. Nga ana tjetër, nata e muzikës Hip/Hop, me Flashmobs dhe breakdance ku do të performojnë artistë të famshëm si Buta, Killua, Marin, Doza MC, LaFazani, DJ Goce, dhe për të gjithë dashamirësit e muzikës Rock, Eugent Bushpepa, Jericho, Bojken Lako, Tre Musketierët (Aleksandër Gjoka, Elton Deda, Redon Makashi), si dhe Gjergj Kaçinari do të mbyllin edicionin e parë të MUSE-X, me performanca të zjarrta (flakë për flakë).
Betejat e “vjetra” të rrepit në një ring gjigand, DJ Battles, Production Battles, Open Jam Sessions, performanca dhe show surprizë ju presin përgjatë 3 ditëve dhe 3 netëve në sheshin Italia, në datat 11-13 prill. MUSE-X nuk është vetëm expo-festival, por është ajo eksperiencë që nuk do të donit të humbnit në Tiranë.