Tue, Mar 18, 2025

Përse nuk u krahasuakan Gjermania dhe Shqipëria…?

  • PublishedMarch 18, 2025

Përse nuk u krahasuakan Gjermania dhe Shqipëria…?

NGA XHEVAT MUSTAFA 

Pas publikimit të shkri meve me shifra konkretizuese dhe krahasuese mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, disa komentues, me anim politik e partiak majtas, më janë kundërvënë me sajesën e të njëjtës “kuzhinë” apo dorë “kuzhinieri”: “Nuk mund të krahasohen Gjermania me Shqipërinë!”. Kjo thënie e tyre mbart e fsheh një qëllim të mbrapshtë apo të keq, justifikimin e paaftësisë e të dështimeve qeverisëse nga PKSH-PPSH-PSSH!? Megjithatë, le ta pranojmë për ta analizuar, për t’ia hequr petët byrekut e për të lënë në tepsi vetëm “barnat e këqija”, me të cilat është gatuar. Duke mos u larguar shumë në kohë, le të fillojmë me dy data startimi të dy vendeve dhe popujve tanë, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Dihet se ne e kemi nisur rrugën e rindërtimit rreth 6 muaj më parë, më 29 nëntor 1944. Ndërsa Gjermania, figurativisht, më 10 maj 1945, një ditë pas aktit zyrtar të kapitullimit të regjimit hitlerian. Ata të moshuar nga të dyja vendet dhe popujt që i kanë përjetuar ditët e para të rindërtimit mund të mbajnë mend se në fillimet e asaj faze, të dyja vendet ishin fare ngjashme, të shkatërruara fort nga lufta apo në nivelin zero. Kuptohet se Gjermania, shumë më tepër apo më rëndë, sidomos nga dëshira për hakmarrje nga Ushtria e Kuqe apo e Stalinit, e justifikueshme pjesërisht, jo deri në limitet e çmendurisë, sidomos me përdhunimet masive të femrave dhe masakrat ndaj fëmijëve…!

Por, ndryshimi fillon të duket e shprehet qysh nga formimi apo përbërja e qeverive. Nëse në Gjermaninë Perëndimore, qeveria e parë e pas Luftës së Dytë Botërore, u formua më 1949. Konrad Adenauer bëhet kancelari i parë i Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ), pas ndarjes dhe integrimit të padëshirueshëm masivisht të Republikës Demokratike Gjermane apo Lindore në Kampin Socialist të kryesuar nga Bashkimi Sovjetik dhe individualisht, Stalini. Brenda pak viteve, Adenauer arrin që Republikën Federale Gjermane ta integrojë përsëri në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve perëndimore. Veçanërisht pajtimi me Francën dhe “Orientimi Perëndimor” duke u mbështetur në fuqitë ngadhënjyese SHBA-të dhe Britaninë e Madhe e përmirësojnë shpejt e ndjeshëm gjendjen politike dhe ekonomike të vendit. Është për t’u theksuar se qeveria “Adenauer”, edhe pse ai si kancelar ishte përfaqësues i CDU-së, u krijua me ekspertë elitarë nga fushat e ekonomi-financave, inxhinierive, të bujqësisë dhe veterinarisë, shkencave sociale e të pedagogjisë, politikës dhe diplomacisë si dhe jopartiakë fanatikë e militantë! Ndërsa qeveria e parë e të tjera pas saj në Shqipëri patën në krye Enver Hoxhën, qeveritarë e drejtues me nivel arsimor, profesional, përvoje administrative paralel apo më poshtë nga ai i tij! Domethënë, ish-kuadro të PKSH dhe të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, komandantë e komisarë me grada të dhuruara po nga Enver Hoxha, si komandant i Shtabit të Përgjithshëm. Në vitin e parë të pas çlirimit, Shqipëria ia kalonte Gjermanisë për shumëllojshmërinë e pasurive nëntokësore, e për disa minerale me vlera dhe me përbërës strategjikë…

Gjermania nuk kishte naftë në nëntokën e saj, produkt që e ka siguruar kryesisht nga Rusia (Gazpromi), nga Azerbajxhani, nga vende arabe… Ndërsa Shqipëria kishte e ka naftë bruto relativisht me shtrirje të gjerë gjeografike dhe në sasi të mëdha, edhe pse për rreth 100 vjet është shfrytëzuar më shumë nga vende të tjera se sa për Shqipëri e për shqiptarë! E megjithatë, Shqipëria nuk e shfrytëzoi si e sa duhet avantazhin e pasurive më të mëdha nëntokësore, edhe ndaj Gjermanisë. Ajo më shumë ua fali apo ua shiti fare lirë ose me klering e pa transparencë të lartë Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik, Kinës dhe vendeve të tjera të ish-kampit socialist, duke vënë mbi interesat kombëtare dhe rritjen e ndjeshme të nivelit të jetesës së shumicës së shqiptarëve, detyrimet në kuadër të “internacionalizmit proletar”!? Edhe pas vitit 1990, këto pasuri të mëdha nëntokësore janë shfrytëzuar më shumë nga kompani të mëdha ndërkombëtare për vendet e tyre e të tjera se sa në dobi të vendit, për shkak të raporteve tejet të larta të fitimit në favor të tyre, deri në 75%-90%, de facto, për palët nxjerrëse dhe eksportuese!? Edhe pse e kishte lindur Karl Marksin dhe ish-shërbimi sekret prusian e kishte financuar atë të shkruante apo të sajonte teorinë e revolucionit proletar apo komunist, sidomos kryeveprën e tij “Kapitali”, përsëri klasa e re politike dhe qeverisëse e Gjermanisë i qëndroi besnike sistemit kapitalist, duke e mbajtur të jashtëligjshme e jashtë Bundestagut Partinë Komuniste. Ndryshe nga Gjermania, si rrjedhojë edhe e marrëveshjeve të tri fuqive të mëdha apo Ruswelt-Churchill-Stalin për ndarjen gjeopolitike të botës pas fitores së koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri, pushteti u rrëmbye nga Partia Komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha, një njeri mbetur me dëftesën apo diplomën e Liceut Francez të Korçës, një shkollë elitare, por gjithsesi e mesme. Ashtu siç ishte vendosur apo skenarizuar në Moskë e Beograd, Enver Hoxha e orientoi dhe e futi Shqipërinë në Kampin Lindor Socialist. Pikërisht, te kjo zgjedhje apo zgjidhje jo thjesht subjektive e jo rastësisht e gabuar, fillon edhe lëvizja e largimit në drejtime të kundërta e Shqipërisë në raport me Gjermaninë. Edhe më shqip: Gjermania qe fatlume që vazhdoi sistemin kapitalist e Shqipëria fatzezë, që nga Enver Hoxha dhe “vëllezërit” e tij jugosllavë dhe sovjetikë, iu imponua sistemi komunisto-socialist. Për më tepër, kur ishte bërë e kuptueshme dhe e qartë se komunizmi nuk kishte dhënë frytet e dëshiruara e të pritura as në vendin ku u eksperimentua për herë të parë nga Lenini, kurorëzuar me fitoren e Revolucionit Bolshevik të 7 Nëntorit 1917, ditë që shënon edhe lindjen e ish-Bashkimit Sovjetik.

Ishte e natyrshme dhe e pritshme që të mos bëheshin krahasime mes Shqipërisë dhe Gjermanisë edhe për nga ritmet e ecjes përpara. U bë e qartë qysh në dhjetëvjeçarin e parë se ndërsa Gjermania kishte vrapuar apo fluturuar, Shqipëria, edhe pse kishte në emrin dhe flamurin e saj një shqipe (shqiponjë), kishte ecur në raport me Gjermaninë, në mënyrë figurative, me hapa breshke, gomarice, bullice…! Natyrshëm mund të mendohet dhe bëhet pyetja: Përse ky dallim apo kontrast kaq i gjerë dhe i thellë? Përgjigja është edhe e thjeshtë, edhe e vështirë…. Megjithatë, mund të them me bindje se avantazhi tepër i dukshëm i Gjermanisë ka si bazë sistemin ekonomiko-politik tradicional të saj. Vazhdimi dihet. Brenda të njëjtës periudhë kohore, rreth 47 viteve, ndërsa Gjermania u ribë Gjermani, fuqia e parë apo më e fuqishme ekonomike në Evropë, Shqipëria as komuniste, as socialiste, mbeti herë e fundit dhe herë e parafundit nga të njëjtët anketime ndërkombëtare. Fatkeqësisht, edhe në këta rreth 34 vjet gjase demokraci e gjase kapitalizëm, por një sistem hibrid apo përçudnues allashqiptar, “deti” për treguesit e zhvillimit, përparimit, fuqizimit, demokratizimit, funksionalitetit të shtetit ligjor e social, mes Gjermanisë dhe Shqipërisë u bë “oqean”! Në kërkim të arsyeve dhe shkaqeve, “të majtët” shqiptarë me maska shumëngjyrëshe, përpiqen të imponojnë bindjen apo tezën e tyre se Gjermania u bë Gjermani e ajo që është edhe në këta muaj të parë të vitit 2025, në kulmin e krizës së recesionit, me paga e pensione rreth 4-8 herë më të lartë dhe me shumicën e çmimeve të artikujve ushqimorë të konsumit jetik, të higjienës, kozmetikës, ilaçeve mjekësore, veshjeve… rreth 25-100% më të lirë se në Shqipëri, sepse ishte dhe është e privilegjuar nga fati dhe nga avantazhet si vend e popull i madh. Këta, duke harruar edhe ndihmën amerikane nëpërmjet Planit Marshall, kapen fort edhe tek “argumenti” se gjatë dy luftërave botërore, sidomos pas asaj të Dytë, Gjermania u pasurua edhe duke grabitur bankat e shumicës dhe pasuri mbi dhe nëntokësore të vendeve të pushtuara. Kjo nuk mund të kundërshtohet prerazi, sepse janë të zakonshme në periudha luftërash, por po kështu nuk mund të kundërshtohet kategorikisht edhe e vërteta apo fakti se kjo rrugë nuk ishte vendimtarja apo përcaktuesja për rimëkëmbjen e shpejtë e të vrullshme të Gjermanisë. Në të vërtetë, fuqizimi dhe modernizimi me ritme kaq të shpejta e me përmasa të paimagjinueshme e kanë përgjigjen brenda zemrave, mendjeve, resurseve, kapaciteteve, patriotizmit, sakrificave të shumicës së popullit dhe Kombit Gjerman. Ata nuk u bënë e nuk janë as sot skllevër të partive, të politikës, qeverive, kancelarëve, pronarëve…

As tregtarë votash! As avokatë mbrojtës vullnetarë e të verbër të partive dhe liderëve të tyre, sidomos të gabimeve dhe abuzimeve korruptive të tyre, qoftë ky kancelar apo president! Pra, mbetja e Shqipërisë, të paktën 80 vjet prapa Gjermanisë, është përcaktuar nga ndryshimi në sisteme, qeverisje, në mendjet dhe mentalitet e popujve, të klasave politike dhe të ekipeve qeverisëse, në nivelet e emancipimit të tyre qytetar, demokratik, politik, partiak… si dhe të funksionalitetit të shtetit ligjor! Duke “e shqipëruar” apo konkretizuar, në papërgjegjshmërinë, pandjeshmërinë njerëzore e sociale, në paskrupullsinë…në poste e detyra të pushtetarëve të 3 niveleve në Shqipëri, për t’u pasuruar sa më shumë individualisht dhe familjarisht, me çdo mënyrë, formë, rrugë… abuzimi e korrupsioni. Mjafton të vëmë në dukje faktin e publikuar më 30 janar 2024 nga TI (Transparencë International) se ndërsa Gjermania për vitin 2023 bënte pjesë në 10 vendet me nivel më të ulët korrupsioni, Shqipëria ishte e 98-ta mes 180 vendeve. Pra, nuk e ka fajin Gjermania që është kaq shumë vite përpara dhe kaq shumë lart nga Shqipëria për nga treguesit e zhvillimit e të mirëqenies. Apo përse ajo është kampione në Evropë për plot të mira e ne si vend vetëm për të këqija. Fajin dhe fajtorët duhet t’i kërkojmë, gjejmë e dënojmë, ligjërisht ata që janë gjallë e moralisht ata të vdekur, në mbi e nëntokën shqiptare, te kokat tona si qytetarë e te kokat partiake e qeverisëse, që i kemi mbështetur dhe votuar masivisht si të verbër apo të dehur, duke “harruar” për 80 vjet vetveten, familjen, vendin, kombin…

/Gazeta Panorama