Tue, Mar 18, 2025

“Synimi, të sjellim PD-në në pushtet!”- Dhurata Çupi në listë të hapur, demokratja: Nuk jam e zhgënjyer! S’kemi luksin të merremi me kritika

  • PublishedMarch 18, 2025

“Synimi, të sjellim PD-në në pushtet!”- Dhurata Çupi në listë të hapur, demokratja: Nuk jam e zhgënjyer! S’kemi luksin të merremi me kritika

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka komentuar procesin e primareve dhe listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 11 majit, ku vetë është renditur në listë të hapur.

E ftuar në studion e News24, ajo u shpreh se nuk ndjen zhgënjim për përfshirjen e saj në garë dhe e konsideron këtë proces si një hap pozitiv për partinë.

“Jam pjesë e PD që nga fillimet e saj dhe kam hyrë në strukturat qendrore pas një vote në Këshillin Kombëtar në vitin 2009. Nuk kam asnjë zhgënjim. Do të isha e zhgënjyer nëse nuk do të më jepej mundësia për të kandiduar, por kjo nuk ka ndodhur,” tha ajo.

Sipas saj, primaret i kanë dhënë një shtysë pozitive opozitës dhe kanë nxjerrë në pah figura që ndihmojnë rotacionin brenda partisë.

“Lista e PD ka figura të konsoliduara politike prej 34 vitesh, por edhe emra të rinj. Nuk kam asnjë kritikë për listën e hapur apo të mbyllur. Ne nuk kemi luksin të merremi me kritika, por duhet të jemi të gjithë bashkë dhe pranë qytetarëve”, deklaroi Çupi.

Ajo e cilësoi listën e hapur si një proces me dinjitet politik, duke theksuar se qëllimi kryesor i PD-së mbetet rikthimi në pushtet dhe ndalja e korrupsionit qeveritar.

“PD ka një program dinjitoz për qytetarët dhe lista e hapur është një mundësi për të garantuar përfaqësim të drejtë. Synimi është i qartë: të sjellim PD-në në pushtet dhe t’i japim fund nivelit të lartë të korrupsionit që ka mbërthyer vendin,” tha ajo.