EKSKLUZIVE/ “Të mos parkojmë autobusin, Anglia jo perfekte”, Zmijani: Botërori i mundur, Shqipëria s’është inferiore
Shqipëria synon kualifikimin historik në Botëror, për herë të parë. Kuqezinjtë nisin fushatën kualifikuese ndaj Anglisë të premten në Wembley, ndërsa pas disa ditësh, përballemi me modestët e Andorrës.
Hysen Zmijani, ish futbollist i Kombëtares, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24 analizoi përfaqësuesen kuqezi. Në bashkëbisedimin e bërë me Trevisa Tufën, ai lë të kuptohet se tani nuk është e pamundur të sfidosh “3 luanët”, për më tepër që nuk janë në kushte perfekte. Gjithashtu, Zmijani flet edhe për shanset që ka ekipi i Sylvinhos për të shkuar në Botëror.
Zmijani, jeni nga të paktët lojtarë që keni pasur fatin, luksin, të luani kundër Anglinë, madje në “Wembley” si është të përballesh me Anglinë, si është të luash në Wembley, çfarë kujton nga ajo sfidë e 26 prillit 1989, Çfarë do veçoje?
“Wembley” është mitik për të gjithë. Kënaqësi e madhe të luash aty. Krahasimi i tyre me ne në atë kohë ishte i madh, domethënë kishte diferenca të jashtëzakonshme, ndërsa tani janë minimizuar gjërat. Tani lojtarët janë të rritur dhe me përvojë. Le të presim e të shohim si do reagojmë ne dhe si janë ato. Kampionati anglez është më i forti në botë, ta shikojmë tani kombëtaren, pasi nuk e kanë patur gjithmonë perfekt. Ne duhet të shfrytëzojmë këtë rast.
I ke sfiduar në Wembley, por njeh dhe shumë mirë dhe Kombëtaren sot, si mendon, ishte më e vështirë të përballej në ato kohë apo tani?
Atëherë ka qenë më e vështirë. Tani kanë ndryshuar gjërat, tani kemi shkuar dy herë në Europian. Sigurisht që Anglia është Angli, futbolli i tyre është në majën e Europës dhe të botës.
Është realisht kaq e pamundur t’i rrëmbesh pikë Anglisë, beson se mund t’i befasojmë në këtë sfidë të parë në kualifikueset e Botërorit?
Unë them që kemi shkuar në Europian dhe kemi befasuar ekipe të mira. Nuk mund të them që të jemi të hapur dhe të shkojmë të mundim Anglinë, mos të shkojmë te ajo pikë, nuk është e lehtë. Anglia është Anglia, Shqipëria është Shqipëria.
Mendon se Anglia ka pika të dobëta, apo thjeshtë do të mbrohemi për 90 minuta, me shpresën që të mos jenë në ditën e tyre më të mirë?
Kjo është diferenca jonë me atë kohë. Ne nuk duhet të shkojmë dhe të mbrohemi, kemi kualitete edhe të sulmojmë. Përse jo të mos pretendojmë? Shpeshherë kemi lënë ekipe të mëdha mbrapa si Polonia apo Çekia.
A mund të sjell Sylvinho një përfaqësuese ndryshe në këto kualifikuese, apo pret t’i qëndrojë besnik ideve të tij?
Idetë e tij në fillim kanë qenë premtuese, kemi luajtur futboll të bukur. Ndaj ekipeve të forta duhet të kemi rezerva. Nuk e kemi të lehtë të luamë të hapur. Trajneri duhet të jetë i kujdesshëm me këto ekipe, pasi kanë shpejtë, cilësi. Kemi një sulm, shpresojmë që të luajë edhe Broja. Ne do jemi në presion 90 minuta. Ne të jemi ata që kemi shkuar në Europian.
Dua një koment personal për Brojën, nuk vjen në kushte perfekte, por mund të aktivizohet për disa minuta, a mund t’i bëj keq Broja Anglisë, fundja është i vetmi lojtar që i njeh, e njeh Anglinë, është përballuar me pjesën më të madhe të tyre?
Ne presim prej tij, nuk është ai që dëshirojmë. Futbolli ka edhe shans. Me dëmtimet që ka patur, nuk e ka atë fat që të jetë lider i vazhdueshëm. Them se do i jepja disa minuta, ne kemi nevojë për të.
Më jep një parashikim, si del ndeshja?
Humbim 1-0 ose 1-1, shpresojmë. Disfata minimale do ishte rezultat i mirë, ndërsa barazimi duket perfekt.
Më thuaj të drejtën, beson realisht se mund të shkruajnë historinë në këto kualifikuese?
Sigurisht, këto 3 ekipe, pasi ekipet e tjera janë të limituara. Anglia, Serbia dhe ne luajmë për dy vendet e para. Ne kemi lënë mbrapa ekipe më të forta se Serbia. Duhet potenciali, apo edhe siguri.
Çfarë duhet të ndryshojmë?
Duhet të kemi një mentalitet më krijues. Ne shkuam në Europian, përse të mos shkojmë në Botëror? Nuk besoj se jemi inferiorë me këto kualitete që kemi. Lojtarët tanë luajnë jashtë, ndaj tyre luajnë.
Janë lënë jashtë disa lojtarë me minuta, janë marrë disa të tjerë që kanë emër por jo minuta. Për kë jeni ju?
Trajneri është psikologu i tyre, i ndjek nga afër. Ne nga stoli dhe karriga, e kemi të lehtë të flasim për merita. Duhet t’ia lejmë trajnerit, nëse nuk është për këtë punë, ai nesër do iki. Ekipi ka bagazh, ne jemi krenarë që kemi shkuar dy herë në Europian. Duhet t’i besojmë trajnerit.
(J.S/)