Wed, Mar 19, 2025

Liga unike/ Përcaktohet çifti finalist në basketboll për femra

  • PublishedMarch 19, 2025

Liga unike/ Përcaktohet çifti finalist në basketboll për femra

Liga Unike e femrave ka mësuar skuadrat finaliste të edicionit 2024-2025, teksa për trofeun do të matin forcat Flamurtari dhe Peja 03. Vlonjatet dhe vajzat nga Kosova kaluan me sukses mbrëmjen e djeshme provat e gjysmëfinaleve, duke mundur përkatësisht Bashkimin dhe Partizanin.

Faza “Final 4” u hap dje në Vlorë me një ceremoni të bukur nga organizatorët e evenimentin të përbashkët të basketbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i lënë më pas vend ndeshjeve gjysmëfinale.

Përballja e parë ishte ajo mes Bashkimit dhe Flamurtarit, ekipe që e kishin mbyllur sezonin e rregullt respektivisht në vendin e parë dhe të katërt. Të mbështetura nga publiku i zjarrtë që kishte mbushur pallatin e sportit, vlonjatet e drejtuara nga trajneri Agim Dalipi bënë një ndeshje të madhe, duke i mundur prirzenaset me rezultatin 80-82 (19-18, 26-20, 14-25, 21- 19), për tu bërë ekipi i parë finalist i Ligës Unike të edicionit 2024-2025. Takimi ishte i shumë i bukur dhe me rivalitet të lartë deri në sekondën e fundit, ndërsa Flamurtari e bëri diferencën me një periodë të tretë të shkëlqyer. Thompson me 18 pikë e 11 kërcime, Johnson me 21 pikë, Ramos me 19 dhe Rreshpja me 15 shkëlqyen për vlonjatet.

Në gjysmëfinalen e mbrëmjes, e cila nisi me mbi 1 orë vonesë në krahasim me orarin e parashikuar, Peja 03 mposhti Partizanin me rezultatin 73-64 (16-18, 15-15, 16-19, 26-12). Një sfidë e luftuar nga të dyja ekipet, me Partizanin që udhëhoqi deri në fundin e periodës së tretë, por Peja shpërtheu në çerekun e fundit, duke hipotekuar kalimin në finale.

Të enjten në orën 18:30 do të zhvillohet finalja Flamurtari-Peja 03, mes dy ekipeve që do të kërkojnë titullin e tyre të parë në Ligën Unike.


AlbaniaWeb.net