Wed, Mar 19, 2025

Masat e sigurisë ndaj punonjësve të OSHEE për vjedhje energjie, policia jep detaje për operacionin! Zbardhet skema

  • PublishedMarch 19, 2025

Masat e sigurisë ndaj punonjësve të OSHEE për vjedhje energjie, policia jep detaje për operacionin! Zbardhet skema

Policia ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me operacionin për zbatimin e 16 masave të sigurisë, ndaj punonjësve dhe ish-punonjësve të OSHEE, të cilët akuzohen për shpërdorim të detyrës.

Ndaj 4 punonjësve është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, 6 me “arrest në shtëpi”, ndërsa ndaj 6 të tjerëve “detyrim për paraqitje”.

Një ish-punonjës, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, është shpallur në kërkim.

Nga hetimet ka rezultuar se punonjësit dhe ish-punonjësit e OSHEE, Gjirokastër, kanë shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë, për të siguruar dhe instaluar matës të energjisë elektrike, pa kontratë me OSHEE-në, me qëllim marrjen e përfitimeve të kundërligjshme, nga abonentë familjarë dhe subjekte, të cilët nëpërmjet këtyre matësve, vidhnin energji elektrike.

Njoftimi i Policisë:

Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, mbi kallëzimin e bërë nga Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion e Ministrisë së Drejtësisë, finalizohet operacioni policor i koduar “Kilovati”.

Ekzekutohen masa sigurie, të caktuara nga Gjykata e Gjirokastrës, për 16 shtetas:

✅“Arrest në burg”, për 4 shtetas dhe “Arrest në shtëpi”, për 6 shtetas, punonjës dhe ish-punonjës të OShEE, Gjirokastër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërdoronin bazën materiale të drejtorisë, si dhe siguronin dhe instalonin matës të energjisë elektrike, pa i regjistruar;

✅“Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë, të cilët vidhnin energji elektrike, nëpërmjet këtyre matësve.

Shpallet në kërkim 1 ish-punonjës, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.

Sekuestrohen në banesën e njërit prej të arrestuarve: 22 matës të energjisë elektrike, si dhe 13 kuti plastike dhe 9 vula për vendosjen dhe vulosjen e tyre. Gjithashtu, janë sekuestruar sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe dokumente të ndryshme në funksion të hetimit.

Gjatë operacionit “Kilovati”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ekzekutoi masën e sigurisë:

  • “Arrest në burg”, për shtetasit:

-S. K., 30 vjeç, banues në Libohovë, me detyrë përgjegjës grupi;

-R. Gj., 60 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë përgjegjës grupi;

-R. B., 51 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë elektricist;

-I. B., 32 vjeç, banues në fshatin Lazarat, ish-punonjës.

 

  • ”Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

-Xh. B., 62 vjeç, banues në fashtin Mashkullor, me detyrë elektricist;

-E. Xh., 39 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë faturist;

-R. S., 68 vjeç, banues në Gjirokastër, ish-punonjës;

-S. R., 42 vjeç, banues në Gjirokastër, ish-punonjës;

-S. B., 58 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë elektricist;

-T. B., 37 vjeç, banues në Konispol, me detyrë elektricist.

 

  • Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit”, për 6 qytetarë të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike.

Nga hetimet dyshohet se punonjësit dhe ish-punonjësit e OShEE, Gjirokastër, kanë shpërdoruar bazën materiale në magazinën e drejtorisë, për të siguruar dhe instaluar matës të energjisë elektrike, pa kontratë me OShEE-në, me qëllim marrjen e përfitimeve të kundërligjshme, nga abonentë familjarë dhe subjekte, të cilët nëpërmjet këtyre matësve, vidhnin energji elektrike.

Në banesën e 32-vjeçarit të arrestuar, u gjetën sendet e sekuestruara me cilësinë e provës materiale dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.