Wed, Mar 19, 2025

Më i shtrenjti i Superiores, por Vujnoviç “ngroh” stolin e Partizanit

  • PublishedMarch 19, 2025

Më i shtrenjti i Superiores, por Vujnoviç “ngroh” stolin e Partizanit

Mund të duket si çudi, por lojtari më i shtrenjtë i Kategorisë Superiore është Nikola Vujnoviç, një afrim i janarit te Partizani. Themi çudi, sepse një pjesë e madhe nuk ia kanë dëgjuar emrin në ndeshje.

Sipas portalit të specializuar “Transfermarkt”, vlera e malazezit në merkato është 550 mijë euro. Pas largimeve të janarit, ai mori fronin si më i shtrenjti, por minutat dhe paraqitjet e tij nuk shkojnë aspak paralel me atë që shkruhet në letër.

Kur janë bërë afro dy muaj nga ardhja e tij, malazezi ka luajtur vetëm 175 minuta me ekipin e parë të Partizanit, teksa në një ndeshje ka luajtur edhe në Kategorinë e Tretë me Partizanin B. Një nga lojtarët e ardhur më me bujë në merkaton e shkuar deri më tani ka rezultuar një goditje boshe për klubin e kuq, pasi nuk kemi parë asgjë premtuese.

Vujnoviç erdhi për të zëvendësuar lojtarë si Cara apo Mba, por deri më tani është me kilometra larg paraqitjeve që kjo dyshe dhuronte në fushë me fanellën e kuqe. Mbetet të shihet nëse malazezi do ta rrisë formën dhe do të kthehet në preferencat e Abilaliaj.

ÇIPI – U prezantua si afrim i ekipit të parë, por Mateo Çipi duket është shndërruar në një lojtar stabël të Partizanit B. I riu duket se nuk ka arritur të konkurrojë mbrojtësit e tjerë dhe është gjetur kjo zgjidhje. Edhe i riu Ogunleje, i blerë për 50 mijë euro, pritet ta nisë njësoj si Çipi, nga Partizani B.


AlbaniaWeb.net