Rikthehet Liga e Kombeve, Itali-Gjermani “kryefjala”, Spalletti e Nagelsmann me dyshime në sulm
Liga e Kombeve rikthehet me fazën më interesante të saj, aty kur të enjten do të luhen ndeshjet e para, ku spikasin super përballjet e Ligës A. Mbi të gjitha sfida e San Siros, aty ku “azzurrët” e Luciano Spallettit do të presin Gjermaninë, në një klasike të vërtet në historinë e futbollit botëror.
Tek italianët shqetëson gjendja e dy mesfushorëve të krahur Cambiasso e Zaccagni, gjë që ka shtyrë teknikun Spalleti, që ditën e martë të thërrasë mesfushorin e Atalantës Raoul Bellanova. Pikëpyetjet e vetme për teknikn “azzurr” duket se mbetet maja e sulmit, aty ku Retegui do të luajë përkrah njërit prej Raspadorit apo Kean.
Probleme në repartin ofensiv do të ketë edhe tekniku i “panzerave”, Julian Nagelsmann. Mungesat e Havertz dhe Wirtz mund të shtyjnë teknikun të luajë me skemën 4-2-3-1. I sigurtë duket se është prezenca e “yllit” bavarez Jamal Musiala. Ndërsa në majën e sulmit mund të luajë sulmuesi i Boussia Monchengladbah, Tim Kleindienst, autor i 15 golave në Bundesligë deri më tani.
Ndërkohë të tjera sfida interesante do të luhen në fazën çerekfinale të League A. Në Rotherdam, Holanda pret Spanjën, në një përsëritje të superdueleve të mëparshme në finalen e Kupës së Botës 2010, apo në fitoren spektakolare të tulipanëve 1-5 në Botërorin e Brazilit 4 vite më vonë. Një duel i zjarrtë, që edhe këtë here pritet të ngjallë emocione e spektakël.
Kroaci-Francë dhe Danimarkë-Portugali janë dy përballjet e tjera që do të kompletojnë fazën çerekfinale të Ligës së Kombeve, sfida në të cilat “gjelat” e Didier Deschamps dhe lusitanët e Cristiano Ronaldos vijnë si favoritë për të kaluar më tej.