Aksidenti tragjik me 4 viktima në Fushë Prezë, arrestohet drejtuesi i betonierës dhe dy të tjerë! Akuzat që rëndojnë ndaj tyre
Është arrestuar drejtuesi i betonierës e cila u bë shkak për aksidentin tragjik të ndodhur rreth orës 23:50 të mbrëmjes së të mërkurës, në Fushë Prezë, ku humbën jetën 4 persona.
Blutë bëjnë me dije se në pranga ka rënë Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i akuzuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Sipas policisë, 24-vjeçari kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Ndërkohë, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonierën, dhe mjeti i tij shpërtheu në flakë, duke shkaktuar vdekjen e tyre në vend.
Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja me ndihmën e kushëririt të tij, Valentin Krrashi, 25 vjeç, i cili mësohet se është arrestuar.
Po ashtu në pranga ka rënë dhe Danjel Koxha, 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi me iniciale A. K.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi me iniciale S. H., 27 vjeç.
NGJARJA
Aksidenti ndodhi rreth orës 23:50 të mbrëmjes së të mërkurës. Viktimat janë identifikuar si 25 vjeçari Enejdi Laçi, 20 vjeçari Erildi Laçi, 24 vjeçari Enrikejd Kurti dhe 22 vjeçari Andi Laçi.
Sipas informacioneve mjeti ku udhëtonin 4 viktimat është përplasur me një betoniere në Fushë-Prezë.
Më pas Benzi është përfshirë nga flakët duke u marrë jetën të rinjve që u dogjën brenda mjetit.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;
-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;
-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.