Fri, Mar 21, 2025

Drejtuesi i SPAK kërkoi shkarkimin e kryeprokurorit të Lezhës, ç’ndodhi gjatë seancës në KPA! BIRN: Një qytetar u ankua me zë të lartë se Erjon Shehaj i shkatërroi jetën

  • PublishedMarch 20, 2025

Drejtuesi i SPAK kërkoi shkarkimin e kryeprokurorit të Lezhës, ç’ndodhi gjatë seancës në KPA! BIRN: Një qytetar u ankua me zë të lartë se Erjon Shehaj i shkatërroi jetën

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u qëndroi shkaqeve të ankimit për drejtuesin e Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj dhe kërkoi shkarkimin e tij për probleme në kriterin profesional, ndërsa subjekti i rivlerësimit i cilësoi gjetjet të pabazuara dhe duke nënvizuar se vlerësimi tërësor mund të kryhet vetëm në tre kriteret, kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 19 mars me parashtrimet në çështjen e drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, konfirmimi të cilit u ankimua për probleme në kriterin profesional. Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani parashtroi shkaqet e ankimit duke konstatuar mangësi profesionale, që sipas tij e bëjnë subjektin e rivlerësimit të papërshtatshëm për vijimin e detyrës. Prokurori Shehaj u përfaqësua në seancë nga avokati Julian Mërtiri i cili paraqiti mbrojtjen dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimmarrjes së Komisionit.

Në seancë u evidentua se ndaj prokurorit Shehaj ishin depozituar disa denoncime, një pjesë e të cilave ishin shqyrtuar më parë nga KPK. Edhe për një denoncim të ri, Dumani vërejti se nuk gjente element për vijimin e hetimeve të mëtejshme.

Seanca dëgjimore u ndoq dhe nga publiku, ku një qytetar i pranishëm u ankua me zë të lartë për vendimarrjet e Shehaj duke pretenduar se i ishte hskatërruar jeta. Megjithëse punonjësit e Gardës së Republikës i tërhoqën vëmendjen në mënyrë të përsëritur ai vijoi të shprehte me zë të lartë ankesat e tij, kur në një moment që drejtuesi i SPAK, Altin Dumani po futej në sallë, ju drejtua dhe atij duke kërkuar hetime ndaj subjektit. Si pasojë e qëndrimit të tij përsëritës, punonjësit e Gardës e shoqëruan jashtë ambjenteve prej nga mund të ndiqte drejtëpërdrejtë seancën.

Prokurori Erjon Shehaj u konfirmua në detyrë më 1 prill 2022, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u bind nga shpjegimet dhe provat e tij për barrën e provës për pasurinë dhe për konstatimet në kriterin profesional, ku dy prej çështjeve të shqyrtuara u transferuan për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për figurën nuk u evidentuan probleme.

Por, ish-komisioneri Florian Ballhysa pretendoi se nga shqyrtimi i vendimit të Komisionit për Shehajn dhe aktet e administruara, paraqiten gjetje dhe rrethana të tilla ligjore e faktike që nuk përmbushin kriteret dhe standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes, që garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut. Komisioneri çmoi se problemet e verifikuara në çështjet e analizuara, janë të tilla që cënojnë konkluzionin se subjekti arrin nivel minimal kualifikues në kriterin profesional dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi.

Edhe drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u qëndroi shkaqeve të ankimit. Në fillim të seancës ai solli në vëmendje se dy çështjet e transferuara pranë ILD për verifikim të mëtejshëm, e kanë kaluar afatin 5-vjeçar dhe nuk mund të jenë më objekt kontrolli i atij institucioni, pasi janë parashkruar.  Në vijim, ai parashtroi shkaqet e ankimit në mënyrë të detajuar, duke kërkuar që gjithë mangësitë e konstatuara për secilën prej çështjeve të konsiderohen në vlerësimin tërësor.

Dumani paraqiti qëndrimin e tij lidhur me gjetjet për një procedim të vitit 2018 të regjistruar nga subjekti për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe i municionit”. Personi i arrestuar është kapur me rreth 3 kg hashash dhe lëndë plasëse e modifikuar me qëllim mundësimin e shpërthimit në distancë nëpërmjet telefonisë së lëvizshme.

Subjekti ka dërguar çështjen për gjykim duke kërkuar nga 5 vjet burg për secilën vepër penale dhe në bashkim të dënimeve, përfundimisht 5 vjet heqje lirie. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar prej nga përfitohet ulja e 1/3-ës së dënimit, Shehaj ka kërkuar dënimin përfundimtar me 3 vjet e 4 muaj burgim. Në fund, ka kërkuar pezullimin e dënimit dhe vendosjen në shërbim prove për 5 vjet. Gjykata e ka dënuar të pandehurin me 6 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar masa ka mbetur 4 vjet. Vendimi ka marrë formë të prerë, pasi nuk është ankimuar nga palët.

Dumani kërkoi që qëndrimi i subjektit në këtë çështje të shqyrtohet në drejtim të bashkimit të dënimeve dhe kërkimit për pezullimin e masës përfundimtare.

Drejtuesi i SPAK vërejti se rrezikshmëria e personit ka qenë shumë e lartë, pasi lënda plasëse ka qenë e gatshme për t’u aktivizuar në distancë. Sipas tij, nuk është hetuar nëse kishte bashkëpunëtore dhe se nisur nga rrezikshmëria shoqërore, nuk mund të aplikohej bashkimi dënimeve apo pezullimi.

Lidhur me këtë shkak, prokurori Shehaj pretendon se pavarësisht se Komisioneri Publik nuk ka paraqitur ndonjë qëndrim të ndryshëm nga KPK, ai e ka ushtruar ndjekjen penale dhe e ka përfaqësuar akuzën në përputhje të plotë me ligjin. Sipas tij, nuk afektohet asnjë kriteret apo indikatorët e vlerësimittë aftësive profesionale  si dhe nuk mund të sjellë ndikim në cënimin e besimit të publikut. Shehaj pretendon se mungesa e paraqitjes së një kërkimi konkret në ankim lidhur me këtë çështje, e bënë të pamundur marrjen në shqyrtim nga ana e KPA.

Për moskryerjen e hetimeve lidhur me bashkëpunimin e mundshëm të të gjykuarit me persona të tjerë, avokati Mërtiri shpjegoi se në atë hetim kishte qenë një agjent policie i infiltruar, i cili mund të dëmtohej nëse bëhej një gjë e tillë.

Subjekti ka pushuar hetimet për një procedim të vitit 2014, të referuar nga policia për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës”. Mbi bazën e këtij materiali, subjekti ka regjistruar procedimin vetëm për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”. Sipas Dumanit, personi që ka sulmuar një punonjës së Policisë së Shtetit, rezulton të ketë qenë i arrestuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Dhunë në familje”, si dhe për “Pengim për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës”.

Dumani vërejti se Komisioni ka konstatuar se veprimet hetimore të kryera nga subjekti kanë qenë të pamjaftueshme për të konkluduar në pushimin e procedimit penal, por se nuk mund të sillnin penalizim për Shehajn.

Sipas Dumanit, Shehaj nuk jep shpjegime bindëse mbi gjetjet dhe të metat e veprimeve procedurale të kryera prej tij e të konstatuara në aktet e fashikullit procedural konkret. Ai u shpreh se nuk është zbatuar dhe kërkesa procedurale mbi njoftimin e palëve për zgjatjen e afatit hetimor. Drejtuesi i SPAK, konstatoi se subjkti ka treguar mangësi profesionale në trajtimin e kësaj çështjeje, në kuadër të aspektit të njohurive ligjore, pasi nuk ka ndërmarrë logjikisht hetimin sipas kërkesave ligjore, për të mbledhur provat e kërkuara me ligj, për të interpretuar ligjin dhe për të konkluduar bazuar në këto elemente.

Dumani paraqiti para trupit gjykues rethanat e kësaj ngjarjeje të hetuar nga prokurorit Shehaj. Ai tregoi se kishte qenë një punonjës plicie që i kishte ushtruar kontroll një personi, por ky i fundit e ka qëlluar efektivin. Ndërsa të nesërmen kur janë shkëmbyer e ka kanosur. Sipas Dumanit, këto kanë qenë arsyet përse policia ka referuar dy vepra penale.

Drejtuesi i SPAK nënvizoi se ajo që bënte përshtypje ishte fakti se punonjësi policisë kishte dhënë deklarime të qarta e të detajuara, por disa javë më vonë ishte ripyetur për të njëjtat rrethana dhe kishte dhënë shpjegime të ndryshme. Dumani e cilësoi të panevojshme ripyetjen e të dëmtuarin, ndërkohë që oficeri policisë gjyqësore që e kishte pyetur, nuk e kishte ballafaquar me dëshminë e mëparshme.

Në vijim, sipas Dumanit, situata ka ndryshuar, pasi janë pyetur dhe persona të tjerë, duke paraqitur rrethana të tjera. Drejtuesi i SPAK, i cilësoi këto momente si decisive për hetimin. “Nëse e orjenton drejt pushimit, do marri drejtim tjetër”, tha Dumani dhe solli në vëmendje se zëvendësdrejtuesi i prokurorisë nuk kishte qenë dakord për pushimin e çështjes.

Avokati Mërtiri parashtroi se kishte qenë drejtuesi i prokurorisë që i kishte orientuar subjektit me shkrim që procedimi të regjistrohej për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe se udhëzimi kishte qenë në dukje në përputhje me ligjin. Ai shpjegoi se rrethanat e paraqitura në kallëzim paraqisnin fyerje dhe tentativë për ta goditur.

Mërtiri konstatoi se megjithëse zëvendësdrejtuesi nuk kishte qenë dakord për pushimin e çështjes, dosja më vonë kishte kaluar tek drejtuesi i organit të akuzës, që e kishte gjetur të drejtë vendimarrjen e prokurorit Shehaj.

Avokati e cilësoi të pasaktë konstatimin në ankim se nuk është kryer verifikimi i personit të hetuar, duke evidentuar se në dosje janë administruar të dhënat e sistemit TIMS, prej nga rezultonte se nuk ishte i proceduar, nuk kishte qenë në kërkim aktiv në atë kohë, si dhe nuk ishte caktuar ndonjë masë sigurimi personal.

Po ashtu u pretendua se janë kryer hetimet e nevojshme që kanë çuar në vendimarrjen e pushimit të çështjes, si dhe se është kryer njoftimi të hetuarit në një rast për zgjatjen e hetimeve. Kurse lidhur me mosnjoftimin për zgjatjen për herë të dytë të hetimeve, u tha se mbette e vetmja e metë që është pa lidhje për t’u pretenduar si shkak që mund të çojë në cënimin e besimit të publikut.

Shehaj ka konkluduar me vendim pushimi dhe për një tjetër procedim të vitit 2014 të regjistruar prej tij për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, duke argumentuar se çështja mund të ndiqej me ankim në gjykatë. Në ankim u konstatua se subjekti i është referuar në vendimarrje edhe një akti të një tjetër procedimi penal.

Policia e ka depozituar kallëzimin penal për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje në bashkëpunim”. Ndryshe nga Komisioni që i ka gjetur bindëse shpjegimet e subjektit, Dumani konstatoi se në aktet e hartuara prej prokurorit Shehaj, mungon arsyetimi ligjor mbi ndryshimin e cilësimit të veprës penale nga ajo e referuar nga oficeri i policisë gjyqësore. Po ashtu, u evidentua se arsyetimi i subjektit mbi përdorimin e një akt ekspertimi që i përket një procedimi tjetër, më të hershëm në kohë, mbi një mjet të pretenduar se mund të jetë kryer vepra penale, nuk mbështetet nga rrethanat, deklarimet dhe aktet në dosje. Sipas ankimit, përmbajtja e të dhënave të këtyre akteve procedurale, mbi natyrën e mjetit nëse ka qenë armë e ftohtë, është kontradiktore.

Avokati Julian Mërtiri e cilësoi të pabazuar pretendimin për mungesën e arsyetimit lidhur me ndryshimin e cilësimit të veprës penale. Sipas tij, rezulton se zgjidhja ligjore e çështjes nga ana e prokurorit Shehaj ka qenë në përputhje me provat dhe njoftimet mbi veprën penale të regjistruar. Mërtiri argumentoi se regjistirmi i faktit penal për plagosje të lehtë me dashje është pranuar jo vetëm nga i hetuari, por dhe nga i vetmi dëshmitar okular, shpjegimet e të cilit janë marrë menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes.

Lidhur me pretendimin për përfshirjen në dosje të aktit të ekspertimit teknik për shkopin me të cilin dyshohej se ishte kryer akti i goditjes, Mërtiri shpjegoi se ndaj të hetuarit ka rezultuar se ishte referuar një tjetër material për për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe në kuadër të atij hetimi ishte urdhëruar kryerja e ekspertmit teknik të shkopit që i ishte gjetur e sekuestruar në makinë.

Nisur nga fakti se plagosja e të dëmtuarit është deklaruar dhe provuar se ka ndodhur me një shkop, është marrë ekspertimi për këtë send i kryer në funksion të procedimit tjetër. Sipas Shehajt, sendi në fjalë nuk përmbushte kriteret për t’u konsideruar si armë e ftohtë. Po ashtu, u shpjegua se pushimi çështjes është bërë bazuar në ekspertimin e të dëmtuarit që është vlerësuar i papaftë deri në 9 ditë. Ndërkohë, u theksuar se nuk janë cënuar të drejtat e të dëmtuarit, pasi hetimi është kryer dhe nuk ka cënim të procedurës për shërplim dëmi.

Prokurori Shehaj ka proceduar ngjashëm edhe lidhur me një procedim penal të vitit 2020. Policia vendore ka referuar materiale ndaj një personi për veprat penale “Drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”, në gjendje të dehur dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi i ndaluari nuk i’u është bindur urdhërave të punonjësve të policisë për të ndaluar. Shehaj e ka regjistruar procedimin penal vetëm për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. Po ashtu, ka kërkuar vleftësimin e arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal, detyrim për paraqitje.

Sipas Dumanit, subjekti nuk ka hetuar dhe nuk ka arsyetuar lidhur me cilësimin e veprës penale, prej nga duket se ka favorizuar të hetuarin.

Në mbrojtjen e prokurorit Shehaj u evidentua se në seancën paraprake të kësaj çështje nuk është konstatuar ndonjë mungesë veprimesh hetimore. Sipas subjektit, moskthimi i akteve për hetimeve të mëtejshme kjo tregon se fakti penal është kualifikuar në mënyrë të drejtë dhe se veprimet e tij nuk cënojnë asnjë nga kriteret apo indikatorët e rivlerësimit profesional.

Dumani paraqiti pretendimet lidhur me hetimin e një çështje nga subjekti në kushtet e konfliktit të interesit. Bazuar në një denoncim, është verifikuar një çështje penale e vitit 2015, e regjistruar nga subjekti për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”. Në mars të vitit 2015, Prokurorinë Lezhë është adminsitruar një zarf brenda të vilit kanë qenë dy letra, drejtuar ish-drejtuesit dhe prokurorit Shehaj, në të cilat kishte përmbajtje kërcënuese.

Për hetimin e kësaj çështje është caktuar subjekti, i cili ka regjistruar procedimin penal dhe ka urdhëruar ndalimin e një personi për veprën penale “Kanosja e gjyqtarit”. Pasi është caktuar dhe masa e sigurimit personal detyrim paraqitje ndaj personit të dyshuar, subjekti ka konstatuar moskompetencën dhe ka kaluar aktet në Prokurorinë e Tiranës.

Sipas Dumanit, shkelja ka shkatkuar pavlefshmëri të akteve të hetimit të kryera deri në momentin e kalimit të çështjes në një prokurori tjetër për moskompetencë. Ai e cilësoi këtë rrethanë si një nga shkeljet më të rënda dhe shtoi kjo çështje nuk duhej të ishte transferuar në ILD, pasi është në tejkalim të afateve kohore. Dumani kërkoi që konstatimi për konfliktin e interesit të vlerësohet me gjetjet e tjera.

Subjekti e kundërhston këtë shkak me argumentin se në kohën e regjistrimit të kallëzimit penal në fjalë, prokuroria ishte organ i centralizuar dhe se urdhërat dhe udhëzimet e prokurorit më të lartë ishin të detyrueshëm për prokurorin më të ulët.

Mërtiri parashtroi se kjo rrethanë është verifikuar më parë nga Prokuroria e Përgjithshme që ka mbajtur qëndrim ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë Lezhë në atë kohë, duke e shkarkuar nga funksioni dhe kaluar si prokuror të thjeshtë. Sipas subjektit, pretendimeve të denoncuesit pranë KPK, u është dhënë përgjigje nga ana e inspektimit të kryer kohë më parë nga Prokuroria e Përgjithshme. Lidhur me konfliktin e interesit, u argumentua se vetëm në një fletë ishte shënuar emrin “Erion”, por që mund të ishte referim tek çdo individ tjetër i ndryshëm prej subjektit të rivlerësimit. Shehaj nënvizon se në atë kohë kishte vetëm 2 vjet që ishte emëruar prokuror dhe në asnjë nga tri personat e cituar në përmbajtjen e kallëzimit nuk ishte në konflikt interesi.

Sipas subjektit, rrethanat e çështjes e bëjnë pa lidhje kërkimin e Komisionerit Publik për vlerësimin në Kolegj.

Dumani kërkoi që të konsiderohet në vlerësimin tërësor edhe gjetjet për një rast kur dy shtetas janë hetuar edhe pse ishin gjykuar më parë për të njëjtin fakt penal.

Avokati Mërtiri konstatoi se në kallëzimin e paraqitur rishtazi ndaj dy personave në fjalë, ka rezultuar se ata e kishin mashtruar kallëzuesin edhe për dy fakte të reja.

Sipas subjektit, vlerësimi tërësor kryhet në tre kriteret dhe jo vetën në një prej tyre. Në përfundim, u kërkua lënia në fuqi e vendimit të KPK për konfirimin e tij.

Seanca e radhës për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare u caktua më datë 4 prill, në orën 09:00./BIRN