Dyshja Ze Gomesh-Tsague, një dështim më vete te Elbasani
Elbasani nuk ka gjetur “karar” me sulmin këtë sezon. Edhe pse në organikë ka disa lojtarë që janë afruar për të garantuar golat, kjo gjë nuk po ndodh.
Si për ironi, katër golat në pesë ndeshjet e fundit kanë ardhur nga një lojtar mbrojtës, Emiljano Musta. Për më tepër edhe golashënuesi i skuadrës është po Musta me shtatë rrjeta, po aq sa edhe Arsen Lleshi që ka mbyllur sezonin si shkak i një dëmtimi të rëndë. Duket se pikërisht dëmtimi i tij në momentin kur shpërtheu po penalizon jo pak elbasanasit në këtë pjesë të kampionatit, sepse aktualisht askush në majën e sulmit nuk po tregon aftësitë që të nxjerrë skuadrën nga situata.
“FIKJA” E ZE GOMESH – Lojtari që ishin varur shpresat këtë sezon në sulm, ishte Ze Gomesh. Vinte në Elbasan pas një eksperience me shumë skuadra dhe i dalë nga akademia e Benfikës. Pritshmëritë e 25-vjeçarit ishin të mëdha dhe në javët e para tregoi potencialin dhe aftësinë për të shënuar dhe asistuar për shokët. Mirëpo, me kalimin e ndeshjeve, ku nuk e lanë të qetë as dëmtimet, portugezi u “fik”.
Për herë të fundit ai ka shënuar ndaj Skënderbeut në Korçë në fitoren 0-2, që i përket datës 20 dhjetor. Nga ajo periudhë kanë kaluar tre muaj dhe nuk janë pak për një lojtar që detyrën parësore ka shënimin e golave. Sigurisht, gjatë kësaj periudhe nuk i janë ndarë edhe problemet shëndetësore, por minutat për të luajtur nuk i kanë munguar. Në Elbasan shpresojnë të gjejnë lojtarin e javëve të para, që shënonte dhe nxirrte ekipin nga situata, sepse aftësitë dhe cilësitë nuk i mungojnë.
“LUHATJET” E TSAGUE – Pak a shumë e njëjta situatë edhe me sulmuesin tjetër, Blaise Tsague, i cili gjithashtu ka disa ndeshje që nuk po gjen rrjetën. Edhe në fillim të sezonit nuk kishte një marrëdhënie të mirë me golin, pasi rrugën e rrjetës për herë të parë e gjeti në muajin nëntor në barazimin 1-1 ndaj Laçit, ku fillimisht humbi një 11-metërsh. Kur u duk se e gjeti veten pas atij momenti, duke shkuar në kuotën e pesë golave, sulmuesi nisi sërish me luhatjet, pasi bëhen pesë ndeshje radhazi që nuk po shënon.