Fri, Mar 21, 2025

Malomo humbje e madhe, por Bylisi ka plan “B” për sfidën me Tiranën

  • PublishedMarch 20, 2025

Malomo humbje e madhe, por Bylisi ka plan “B” për sfidën me Tiranën

Bylisi ka nisur seancat stërvitore në prag të duelit me Tiranën. I ndarë në dy grupe, teksa nga njëra ana janë trajnuar ata lojtarë të cilët nuk luajtën me ekipin B. Nga dje, ekipi është në grumbullim dhe regjim absolut në kompleksin “Gjanica” në Ballsh dhe kështu do të vazhdojë deri një ditë para sfidës me Tiranën.

Ndërkohë që në mesditë, stafi mallakastriot ka pasur mundësinë që të shohë të tjerë lojtarë, një pjesë të titullarëve, por edhe ata të cilët nuk do të luajnë ndaj bardhebluve, për arsye pezullimi nga kartonët. Në ndeshjen ndaj Besës U-21, trajneri Mezani ka parë gjendjen e Beqajt, Alaos, Përndrecës, Muktar, Çelaj, Sulovari, Kasaj, Ofori, Mici e Papa, që kanë luajtur si titullarë, ndërsa kanë marrë minuta edhe Akibu, Baçi, Igor e Malomo.

Nga sot, skuadra do të ketë një program ndryshe, me dy seanca në ditë, por edhe stërvitje në palestrën e forcës, ndërsa sfida me Tiranën po vlerësohet shumë në Ballsh, pasi është një tjetër finale. Synimi është që Bylisi të marrë një rezultat pozitiv, në mënyrë që të mos humbasë edhe më pozitat në tabelën e renditjes.

SKEMAT – Në mungesë të Malomos, pritet që trajneri Gentian Mezani të bëjë disa lëvizje, por të ndryshojë edhe skemë. Jo më kot është parë që të marrë sa më shumë minuta, me skuadrën “B”, por edhe me ekipin U-21, sulmuesi nigerian, Alao, që shihet me mjaft perspektivë dhe është “pykë”, ndërsa pritet që afër sulmit të jetë edhe Ruçi.

Mallakastriotët kanë marrë 4 pikë në fazën e katërt, ndërsa duhet thënë se kalendari u ka rezervuar sfida mjaft të vështira, sidomos në 3 javët e radhës. Do të luajnë në Tiranë dhe presin në shtëpi dy nga skuadrat që luftojnë për titullin kampion, siç janë Egntia dhe Vllaznia. Në Ballsh duan me patjetër që të shmangin dy vendet e fundit në renditje.

RIVALITETI – Ballshiotët do të hasen me një rivalitet të ashpër deri në fundin e garës, pasi ekipet që luftojnë për mbijetesën, po ecin “rrotë më rrotë” javë pas jave. Nga Elbasani, te Laçi e Tirana, apo Bylisi, Skënderbeu e Teuta, do të luftojnë që të shmangin fundin e renditjes. Madje, ballshiotët do të luajnë me Elbasanin, Tiranën, Skënderbeun në fund, çka do të thotë se në një farë mënyrë e kanë vetë në dorë mbijetesën. Me 18 pikë në lojë, mallakastriotët kanë shanse që të sigurojnë edhe direkt mbijetesën në elitë.

 


AlbaniaWeb.net