Ujësjellësi në Tragjas: Fushatë dezinformimi online kundër banorëve protestues

Më 20 shkurt, një faqe në Instagram e titulluar “Ujësjellësi Tragjas/Himarë” nisi të shpërndajë materiale propagandistike për projektin kontrovers të ujësjellësit në lumin Izvor si dhe një fushatë dezinformimi duke targetuar banorët e zonës së Tragjasit që po protestojnë kundër këtij projekti.
Faqja në Instagram ka publikuar 33 video të shkurtra, ka deri tani 909 ndjekës dhe është dubluar me një faqe të dytë në rrjetin social “Facebook” për të rritur shpërndarjen e postimeve. Autorët e tyre janë deri më tani të panjohur.
“Tani që banorët e Tragjasit e dinë se do kenë ujë 24 orë dhe uji është i bollshëm… çfarë kërkojnë ata?”, shkruhet në njërin prej postimeve, e shoqëruar me pamjet e përplasjes së banorëve të Tragjasit me forcat e Policisë më 4 mars.
Në postime të tjera aludohet pa ofruar asnjë të dhënë se protestuesit në Tragjas po përdoren për interesa private apo citohen ekspertë pa emër që të thonë se ujë ka për të gjithë dhe ai shpërdorohet duke u derdhur kot në det.
Projekti që ka zemëruar banorët e Tragjasit titullohet “Furnizim me ujë i zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi Faza e III” dhe do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptare 8 milionë euro. Projekti parashikohet që ta marrë ujin në lumin Izvor në fshatin Tragjas dhe ta dërgojë atë në komplekset luksoze turistike të Dhërmiut.
Projekti është pjesë e një serie investimesh me para publike, prej dhjetra miliona eurosh, në shërbim të komplekseve luksoze të vilave dhe hoteleve të ndërtuara në bregdetin e Himarës nën petkun e investimeve strategjike. Si shumë projekte të ngjashme që prekin burimet natyrore, punimet për ujësjellësin kanë hasur në kundërshtim të banorëve të zonës.
Ata kanë organizuar protesta dhe janë përplasur me punonjës të kompanisë që po kryen punimet, ndërsa akuzojnë se punimet janë nisur në kundërshtim me ligjin, pa kryer konsultim publik me ta dhe se vijimi i tyre sjell pasoja të rënda, duke i lënë pa furnizim me ujë.
Faqet në Facebook dhe Instagram dhe një grup profilesh në dukje origjinale, por pa përmbajtje dhe të krijuara po ashtu sëfundmi, e kundërshtojnë këtë narrativë. Faqet përdorin për logo një imazh të marrë nga pngtree që shet logo të gatshme për një abonim minimal prej 399 dollarësh në vit.
Autorët pas këtyre faqeve e konsiderojnë aktivitetin e tyre si “shërbim publik”, pretendojnë se janë në pronësi të “Ujësjellësit Vlorë” dhe e reklamojnë projektin si “Projekti më i madh në Rivierën Joniane”.
Në faqe janë publikuar gjithashtu postime me përmbajtje politike, duke sulmuar parti të opozitës që kanë kundërshtuar projektin dhe në të njëjtën kohë, mesazhe mbështetëse për ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, kandidat i Partisë Socialiste në Vlorë.
BIRN gjeti gjithashtu se faqet në Instagram dhe Facebook i reklamojnë postimet e tyre propagandistike. Më 19 mars, ato kishin aktive 3 reklama, dy në Instagram dhe një postim të financuar në mbështetje të Vengut në Instagram dhe Facebook.