Fri, Mar 21, 2025

“Mos i përqafoni”- Porosia e ish-ministrit Hekuran Isai për dinamovitet në ndeshjen me volejbollistet nga Moska! Intervista me ish-kampionen: Si i dhashë dorën për herë të parë një ruseje

  • PublishedMarch 21, 2025

“Mos i përqafoni”- Porosia e ish-ministrit Hekuran Isai për dinamovitet në ndeshjen me volejbollistet nga Moska! Intervista me ish-kampionen: Si i dhashë dorën për herë të parë një ruseje

UVIL ZAJMI

PJESA E DYTË

Turneu i “Final Four” i Kupës së Kampioneve, Forli ’90, për femra është mbyllur me vajzat dinamovite që do të renditen të tretat, një sukses plotësisht i merituar, historik, një arritje e papërsëritshme. Në një rikthim pas 35 vitesh, ajo ngjarje madhore, ekskluzivisht për “Panorama” do të rrëfehet me kujtime, detaje nga disa dëshmitarë në fushë e jashtë saj. Nga kapitenia Ela Tase, gazetari Kastriot Ahmati, këngëtari Ardit Gjebrea dhe mjeku Josif Mece. Këto i kanë mbetur nga Forli ’90, si dhe kujtimet. Bashkë me momentin kur i dha dorën kapitenes ruse. I ka takuar asaj të jetë e para, publike dhe zyrtare, jo politikës, as diplomacisë, për të shkëmbyer dorën e rikthimit të miqësisë së harruar në dekada. “Sigurisht që pata emocion. Në atë turne doja një “Dinamo” të paraqitej sa më mirë”- shprehet Ela Tase.

Znj. Tase, një “Dinamo”, drejt Forlisë, si finaliste?

Për në Forli u nisëm me dëshirën për të treguar se aty nuk ishim rastësisht. Në eliminatore zhvilluam 6 ndeshje vajtje – ardhje, që në start as e mendonim se do të shkonim në finale. Por, pas çdo kualifikimi, shihnim se kishim mundësi të kalonim një tjetër turn. Ekipi kishte në përbërje vetëm lojtare të “Dinamos”, asnjë përforcim, me vajza të reja. Alketa Doci shkëlqeu atje.

Pas 30 vitesh, ishte marrë një vendim, me vajzat e “Dinamos” në start?

Që do të luanim ndaj ruseve dhe kjo kishte rëndësi. Do jepnim dorën në fillim të lojës dhe në fund të saj. Sidoqoftë ndihej tjetër frymë. Prania e Mehdi Bushatit në krye të sportit, ndikoi shumë në normalizimin e marrëdhënieve, rikthimin e raporteve me disa shtete që nuk luanim më parë. Që në Siri, Lojërat Mesdhetare. Bushati ka qenë nga të parët e ndryshimeve në sport, që unë e kam ndjerë. Dukej mbështetja e madhe e tij, duke e vënë në plan të parë interesin për sportistin, jo shumë aspektin politik.

Të gjitha ekipet janë bashkë në një hotel, normale?

Nuk ishte rastësi që organizatorët i kishin vendosur të gjitha ekipet në një hotel, për të shmangur, eliminuar çdo keqkuptim. Shkëmbeheshim krejt normalisht me të gjitha vajzat, drejtuesit, në korridore, restorant, pa asnjë paragjykim, veçanërisht ato ruse, vajza shtatlartë. Ne sportistet flisnin anglisht po kështu edhe Kresniku, anglisht, rusisht. Ndeshjet ishin në darkë. Pastaj secili ekip kthehej në regjimin e tij.

Vjen momenti: Dy kapitene përballë, ju dhe ajo ruse?

Sipas protokollit, para takimit dy kapitenet shkojnë te gjyqtaria, japin dorën, hidhet shorti, caktohen fushat, topi i parë, shkëmbejnë flamurët. Pra, më takonte mua të isha e para, kisha emocion, që do t’i jepja dorën një kundërshtari në rrethana të veçanta. Por, të japësh dorën në sport është normale, diplomatike. Te kapitenia ruse, nuk vihej re asnjë shenjë emocioni. Nuk e di nëse ato ishin informuar për situatën, dhe që pas shumë vitesh pa luajtur, ajo ishte ndeshja e pare. Vijmë te ndeshja, edhe kjo një e parë historike 12 vite pjesëmarrje në Europë të Dinamos, e kishim ëndërr të luanim me një ekip rus. Për të fituar, ishim të ndërgjegjshme aq që bëhej fjalë. Ato ishin një ekip fenomenal, që kishin dominuar në Europë në ato vite, kampione në fuqi. Me një trajner kolonel. Humbëm me pikë të vogla. Për ne ishte kënaqësi profesionale që u matëm me një skuadër aq të fortë. Pas ndeshjes, shkëmbyem edhe një herë dhënie duarsh

Ju pret një tjetër sfidë, e vështirë tashmë në fushë?

Strategjia, objektivi për ne lojtaret, trajnerin, drejtuesit ishte vendi i tretë. Kreshniku, nuk i vuri rëndësi ndeshjeve me Oralockën dhe Teodorën, se e njihte potencialin e tyre. Italianet kishin ekip të mirë. Lojtare të superpaguara, me një argjentinase, një franceze në formacion. E mbyllëm me pikë diçka më mirë se me ruset.

Znj. Ela, flitet për një truk të Tartarit?

Nuk është se u tolerua, dhe nuk u mobilizuam. Ishte një opinion që u krijua, nga gazetat, të cilat shkruanin se nuk u shfaq “Dinamo” e vërtetë. Duke aluduar se ndaj italianeve, Tartari aplikoi një taktikë, duke mos shfaqur forcën e plotë të skuadrës së tij për ta ruajtur ndaj francezeve. Absolutisht jo, ne ishim përgatitur, u përpoqëm por përballë ishte Italia, që dominoi.

E treta, me francezet, një “Dinamo” ndryshe?

Francezeve i kishim parë në fushë, dhe pak në video. Për aq kohë të shkurtër e në pak ditë, nuk është e lehtë, nuk realizon dot studime, as me filmime. Ajo që Tatari nguli këmbë ishte se çdo lojtare, duhet të jepte maksimumin në pozicionin e saj. Unë kisha përgjegjësinë për të realizuar pikë.

Si e kujtoni lojën me Resing-un?

Ne morëm të parin, ato barazuan në të dytin, që pati rivalitet të madh. Kthesa e ndeshjes me Rasingun, ishte në setin e tretë, kur francezet gabuan në shifrat 2-1 për to. Kujtoj se pikërisht këtu “Dinamo” pati një shpërthim për të mos u ndalur në dy sete radhazi. Fituam, ndaj kampioneve te Francës, një skuadër me lojtare të mira, dhe me eksperiencë.

Në atë takim, salla ishte mbushur, ka tifo për “Dinamon”?

Po, e vërtetë, ishin mjaft shqiptarë, midis tyre edhe këngëtari Ardit Gjebrea, asokohe student në Romë. Ai ishte shumë i apasionuar pas “Dinamos” së vajzave dhe pas meje, pasi motra e tij ishte gruaja e Nardit, vëllait tim. Madje, pati bërë edhe një këngë për “Diamon” tonë, që mund të jetë e para që dedikohej një ekipi, sportiv. Thoni se një ndryshim të madh në volejbollin e dy epokave.

Për çfarë bëhet fjalë?

Në volejbollin e sotëm me 25 pikë, është shumë herë me e lehtë, më e volitshme pasi t’i bën një goditje, merre pikë. Ndryshe atëherë, kur duhet të realizoje dy gjuajte te sakta për një pikë. Dhe kur Kreshniku bënte statistika, mua më takonte të bëja 80 gjuajtje, në lojë, për të bërë 40, 50 pikë. Kjo për tre sete. Mendoni kur loja zgjatej, sa volum i madh kërkohej.

Znj. Tase, ku ndodhet sot trofeu i vendit të tretë në Forli?

Janë rreth 40 kupa të fituara nga “Dinamo” e vajzave, bashkë me atë të Forlisë. Dikur ishin në klub. Një pasuri e vërtetë, me vlerë si dëshmitare dhe për historinë e volejbollit kombëtar. Nuk kam asnjë informacion ku mund të ndodhen, të jenë, ku kanë përfunduar.

******

Mjeku Josif Mece: Njoftimi që na dha Hekuran Isai. Mos i përqafoni, ishte orientimi

I pranishëm në atë turne, mjeku i njohur i “Dinamos”, për “Panorama” kujton: “Ishim të grumbulluar në Durrës, dhe stërviteshim, por ende nuk ishim të sigurtë do të shkonim në Itali, do luhej me ruset apo jo. Një ditë, aty vjen Hekuran Isai, ministër e Brendshëm. Na takon, duke na njoftuar se ishte marrë vendim, që do të luhej me ruset.

Në një çast, Kreshnik Tartari e pyet: Zoti ministër, do t’i japim duart, do t’i shkëmbejmë flamurët? Po, patjetër, por jo t’i marrim në qafë, e t’i tregojmë barsoleta”-u përgjigj ai. Gjatë qëndrimit në hotel, ishin edhe ato, të gjithë zyrtarët, ruheshin, nuk i flisnin, as komunikonin, përshëndeteshin me to. Ruheshin nga njëri-tjetri, kurse vajzat ruse, ishin ta hapura, madje kishte raste që na kërkonin të vinin me autobusin tonë, për në stërvitjen e tyre. Sigurisht që i merrnim.

Kujtoj edhe një detaj: Në Rumani, ndaj “Rapid” të Bukureshtit në raundin e tretë, para ndeshjes, një drejtues i klubit vendas, na pyeste vazhdimisht do të luanim apo me ruset, nëse “Dinamo” do të kualifikohej, për në “Final Four”, pasi finalistet thuajse diheshin. Si anëtar i CEV që ishte, duke na kërcënuar ai na thoshte se do të ndërhynte, për ta dënuar “Dinamon” shumë rëndë. Indirekt, ai na ftonte që, nëse nuk do të luanim me ruset, të toleronim, duke ia lënë kulifikimin rumuneve. Por, ajo nuk ndodhi.

“Dinamo” pati fituar 3-1 në Tiranë, humbëm 3-1 në Bukuresht, por me diferencë pikësh u kualifikuam”. Me ne në Forli ishte edhe këngëtari Ardit Gjebrea, madje dukë bërë tifzollëk për ekipin tonë. Ishte student në Romë. Shqiptarët që ishin në Forli, nja dhjetë vetë i kishte sjellë Arditi, që ndoqën të tri takimet.

******

Dëshmitar në atë kohë, Kastriot Ahmati: “”Dinamo” e “mrekullisë”

“Dinamo e “mrekullisë”, kështu e përcakton sot, pa 35 vitesh gazetari i njohur i “Sporti popullor” dëshmitar në atë turne, Final Four” Forli ’90, kur shprehet: E Treta në Europë, çfarë surprize e bukur!

Z. Ahmati, një eksperiencë e parë për ju?

Jemi në fillim vitet ‘90, kur në atmosferën politike ka nisur të tjetër erë, edhe për ne gazetarët. Në redaksi kishim vendosur një rregull që jashtë shtetit të dilnim në formë rrethore. I ndjeri, Ramadan Bigza, shkoi në Turqi me çiklizmin, dhe për në Itali më takonte mua. Por nuk ma dhanë. Nuk e di mirë se kush ishte caktuar, por ti nuk do të shkosh më thotë Besnik Dizdari.

Ka një takim që ndryshon gjithçka

Ishte Ali Vukatana, për të cilin kam shumë respekt edhe sot, Kryetari i BFSSH-së në atë kohë, i ulur në piano Bar, ndërsa po kaloja, rastësisht, më fton, të pimë një kafe. Çfarë ke më pyet? Si duket ishte njoftuar. E sqaroj, që më takonte mua të shkoja me “Dinamon” në Forli, por ma refuzuan. Prandaj jam i mërzitur. Ishte e diel, që për ne gazetarët ishte dita më e ngarkuar. Dilja në mëngjes, kthehesha të hënën në shtëpi.

Jeni para një fakti të kryer, por nuk ka kohë?

Të nesërmen futet në zyrë K/Redaktori, po më shikonte. Çfarë e ke Ali Vukatanën më pyet?. Asgjë i përgjigjem. Si nuk e ke gjë, vijoi me një hije dyshimi. A ke pasaportën? Jo i them. Merr makinën dhe shko nxirr pasaportën më thotë. Ishte bërë fakt që do të shkoja në Itali, dhe për herë të parë do të dilja jashtë vendit. Kisha vetëm tre ditë kohë, të mërkurën do të nisej ekipi. Do të isha gazetari i parë, i pranishëm në një fazë finale të volejbollit europian për vajza, ku përballë do të ishte edhe një skuadër e Bashkimit Sovjetik. Një tjetër moment delikat, për të cilën ishte dhënë ‘Ok’ që do të luhej. Më mungonte eksperienca edhe për situata të tilla.

Para se të niseni, ju pret një zyrë

Më thirrën në Ministrinë e Jashtme, në një zyrë, posaçërisht për të tilla takime. Pas 35 vitesh ishte vendosur, që do luhej me ruset. “Vetëm rezultatin dhe pak koment. Nuk do flasësh çfarë sheh, dëgjon. Ftohtë gjithçka. Nuk ke nevojë t’i themi, i di vetë”- më orientoi një person që ishte një drejtor. Edhe pse kishte nisur era e ndryshimeve, Muri i Berlinit kishte rënë, ishim të fundit dhe të vetmit kundër të gjithëve e që nuk mund të vazhdohej më kështu. Pas disa muajve, kemi ngjarjet me ambasadat.

Hera e parë dy gazetarë në një turne të tillë?

Me avionin e linjën rumune “Tarom”, TiranëRomë. Shkuam edhe në ambasadën tonë, Dashnor Dervishi ishte ambasador, kurse sekretari Spartak Myftiu, që erdhi me ne. Me autobus drejt Forlisë, u sistemuam në Kastrokarro Terme, hotel “Ambasador”, ku ishin të gjitha ekipet. Nga Radio Tirana kishte ardhur gazetari i njohur, Ahmet Shqarri. Hera e parë dy gazetarë që shoqëronin një ekip shqiptar në një aktivitet ndërkombëtar.

Eksperienca e parë, ka disa befasi edhe për ju?

Kisha marrë disa gazeta “Sporti”, që i dhurova, të cilat i shihnin me kureshtje. Aty kam parë për herë të parë që gazetarët e huaj vinin me laptop në tribunën e shtypit. Transmetonin direkt në gazetat e tyre, ndërsa ne me diktofon e bllok. Me redaksinë komunikoja me telefon. Kur shkoja te zyra e shtypit, gratë italiane më ndihmonin, erdhi gazetari shqiptar, lironi linjën i thoshin të tjerëve.

Ju kërkohet një intervistë, jeni i rezervuar, dikush ju nxit për ta dhënë?

Në krah në tribunën e shtypit kisha një gazetare të “La Republika”, Valentina De Salvi, që më kërkoi të bënte një intervistë me mua. Mirë i them por me një kusht: Unë do të flas për shumë gjëra, ndërsa t’i trajtoi, duke iu referuar dikujt tjetër pa vënë emrin tim. Jo vetëm ajo por edhe të tjerë, ishin kureshtarë të dinin për Shqipërinë. Patëm polemika. I them Spartak Myftiut, lidhur me intervistën. “Mos e çaj kokën, jepe se ka plas, është hapur çdo gjë më”,- thotë ai. Unë prap nuk kisha besim.

Çfarë trajtohej në atë material dhe u botua intervista?

Gazetarja, nuk e kuptonte, as kur i thosha që Dinamo është ekip i ministrisë së Brendshme, ku censurojnë, kontrollojnë gjithcka, prandaj kam frikë se sapo te kthehemi do të më thërrasin. Ajo e botoi jo në formë interviste. I mbaj mend titujt: “Rrëzohet një mur, Shqipëria del nga ishulli si Robinson Kryzo”. Një faqe, të madhe. Deri edhe lidhur me situatën e rëndë ekonomike, çmimet e ushqimeve, të bukës, etj. Madje në një rast kishte cituar edhe emrin e Kreshnikut, që i nervozuar e takoi, debatoi me të.

Sa e njohur ishte Dinamo në Forli, në atë “Final Four”?

Dinamo e femrave kishte një dekadë që shkëlqente, me rreth 50-60 takime dhe lojtarëve nuk i bënte përshtypje asgjë. Në atë edicion pati eliminuar tre skuadra të njohura dhe shtypi vendas shkruante me superlativa. Kishin kureshtje, vinin, ndiqnin Dinamon në stërvitje, specialistë, njerëz të njohur. E shikonin me habi ç’është ky ekip, hera e parë edhe për to.

Ka një favor, bëhet një tolerim për delegacionin shqiptar?

Ata e bënin stërvitje me dyer të mbyllura. Me Ilia Kongon, Sokol Morinën, Kreshnik Tartarin po bisedonin me mundësinë për të parë një stërvitje të tyre. Flas Karlo Babinin, personalitet nderi i Tedorës, ai komunikoi me to, dhe për shqiptarët jemi dakord ishte përgjigja. Vetëm ne, jo lojtaret. Trajneri i rrinte me thupër në dorë, disiplinë ushtarake. Në sporti perëndimor bëhej me garancinë e parave, e kundërta me atë lindor, vetëm disiplinë. Po kështu edhe për ne, me rezultate të arritura edhe nga disiplina.

Më folët për një pije që shtangu italianët?

Me vete kisha një shishe me raki 10-vjeçare, të bërë në mënyrë artizanale në Ndroq. Nga 18 ishte bërë 24 gradë. Në mbrëmjen e fundit pronari i hotelit na ftoi në tavolinën e tij. E morri shishen, po e shikonte, çfarë është më pyeti? Provoje i them. Hapi tapën, shpërtheu një aromë, iu ngritën flokët përpjetë. Hodhi një teke, pastaj edhe një tjetër. I vuri tapën shishes e futi në kasafortë. Po si bëhet kjo më thotë. Nuk e bën dot iu përgjigja me shaka.

Ju vjen një ndihmë financiare nga Tirana?

Sapo Dinamo doli e treta në Europë, BFSHSH, morri një vendim, për një shpërblim financiar prej 100 dollarësh për çdo lojtare, stafin. Në kthim, në Romë ku qëndruam dy ditë, me Ardit Gjebrenë shkuam te një dyqan me pajisje elektronike, miku i tij, morra një kasetofon “Gruding”, kushtonte 140 mijë lireta, ma dha për 60 mijë. Pas meje, të tjerët blenë televizorë bardhezi.

Por në aeroport, para nisjes, del një problem?

Duke qenë se bagazhi i grupit të shqiptarëve peshonte shumë, pati një debat me inspektorët e linjës së Taromit. Pasi u bisedua, diçka i dhuruan personelit, atyre të kontrollit, dhe në mes humorit, u dha leja që avioni të ngrihej

*****

Ardit Gjebrea tregon emocionet e turneut dhe çfarë shkruante “La Republica”

Një befasi edhe për ne, kur duke iu rikthyer atij turneu zbulojmë një surprizë. Këtë na i jep gazeta “La Republica”, ndërsa lexojmë: “E mbështetur prej një grupi të vogël shqiptarësh që kishin edhe një pankartë ku shkruhej “Dinamo” do të fitojë…”. Një informacion të cilin e jep edhe Kastriot Ahmati në “Sporti”. “Ditën e tretë të finaleve, pas takimit “Dinamo”- “Resing”, në hollin e pallatit të sportit “Palafiera”, u takuam me mjaft sportdashës, studentë e specialistë pasuniversitarë shqiptarë në Itali, të pranishëm aty. Midis tyre dallojmë edhe kompozitorin e ri Ardit Gjebrea, që kishin ndjekur takimin, duke bërë tifo për ekipin tonë”.

Z. Ardit, jeni i pranishëm në Forli, në atë triumf të madh sportiv?

Pikërisht në atë periudhë ndodhesha në Romë më studime. Kur u informuam se “Dinamo” do të luante në Ravena, u organizuam, një grup me studentë shokë e shoqe, që erdhën edhe nga qytete të tjera, duke e ndjekur turneun në ato tre ditë.

Në gazetën “La Republica” shkruhet që ju shqiptarët keni bërë tifo pak të veçantë?

Kjo në takimin kundër francezeve, sepse skuadrës i duhej dhënë kurajë, nxitje, mbështetje. Patëm bërë një baner të vogël, “Dinamo”, duke e shfaqur sa herë realizohej pikë, për rritur entuziazmin. Madje ehe duke bërtitur” “Dinamo, Dinamo” e tërhequr vëmendjen. Një fitore, vendi i tretë, na gëzoi të gjithëve.

Jo vetëm artist, por edhe ndjekës i sportit?

Me “Dinamon” e vajzave kam qenë dashamirës nga të parët. E ndiqja në ndeshje në pallatin e sportit. Nisur edhe nga fakti se motra ime ishte gruaja e Nard Tases, vëllait të Ela Tases. Dhe unë isha tifozi personal i deklaruar i saj. Pastaj kam edhe një detaj tjetër që më shtynte të isha simpatizant i këtij ekipi shumë simpatik. Për çfarë bëhet fjalët? Në fund të viteve 80-të, kompozova një këngë, për Dinamon e vajzave, të cilën e pata kënduar te ceremonia e shpalljes së anketës së “10 sportistëve më të mirë të vitit”. Ndërsa unë këndoja strofat, vajzat e “Dinamos” më shoqëronin në refren. “Dinamo do fitojë”, ishte titulli, motivi, përmbajtja e këngës.

Z. Gjebrea, jeni dëshmitar në një dhënie dore historike?

Nuk e kishin dhënë më parë as drejtues shteti, as politikanë, as diplomatë, por do të ishte një sportiste, Ela Tase që do “nënshkruante”, për të rikthente miqësinë e humbur e të harruar. Gjatë kthimit për në Tiranë, ekipi qëndroi në Romë. Me sportistet, drejtuesit, dy gazetarët, Kastriot Ahmatin, dhe Ahmet Shqarrin kemi kaluar disa ditë të bukura së bashku.

/Gazeta Panorama