Paqe të drejtë, jo pushtim për Ukrainën!
NGA DR. JORGJI KOTE
E dyta, po, mund të krijohen premisat për paqe të besueshme, duke filluar me vendosjen e një armëpushimi, ama pa kushte siç po bën Rusia dhe duke ndaluar menjëherë luftimet dhe sulmet, veçse jo nga Ukraina që mbron veten, por nga Rusia, kjo do t’i çelte rrugën nisjes së negociatave me garancitë e duhura të sigurisë për Ukrainën dhe ndaj çdo vendi tjetër. Natyrisht, dhe me lëshimet e rastit nga të dyja palët, pse jo dhe një afat më i gjatë kohor dhe me faza për anëtarësimin e Ukrainës në NATO etj.. Kjo është e domosdoshme për krijimin e klimës së mirëkuptimit dhe besimit, siç kërkon me të drejtë Presidenti Zelenski, e cila është tepër larg, mirëpo pa të nuk mund as të mendohet e jo më të realizohet kjo paqe. Mesa duket, nuk po kuptohet ende nga aleatët tanë amerikanë se problemi dhe faji qëndron te Moska me Putinin dhe jo te Kievi me Zelenskin, ndaj dhe paqja fillon kur të tërhiqet Moska agresore. Për pasojë, zgjatja pa afat e agresionit rus dhe e luftës në Ukrainë bën të pamundur çdo demarsh dhe arritje për paqe, apo armëpushim në tryezën diplomatike. Këtë realitet e ka sintetizuar disa herë muajt e fundit dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATOs, Jens Stoltenberg, duke paralajmëruar Aleancën Perëndimore që “të përgatitet për një luftë, e cila nuk dihet sa mund të zgjasë” e duke garantuar mbështetje të vazhdueshme, sidomos ushtarake për Ukrainën, sepse vetëm kështu “Putini do të bindet se nuk mund të fitojë dot as në fushën e luftimeve”. Siç është shprehur këto ditë ish-ministri i Jashtëm gjerman, legjenda e të Gjelbërve, Joshka Fgisher, vërtet që sot ndaj Rusisë kërkohet diplomaci elitare, por që të ketë edhe mbështetje të fortë ushtarake, ndryshe Moska nuk do t’ia dijë për të, siç po e injoron dhe BE-në. Kështu, vijmë natyrshëm te alternativa e tretë bazë, më e vështira, por më e sigurta dhe jo e pamundur, pavarësisht nga kostoja që në çdo rast tjetër do të ishte dhe më e lartë, lufta pa kompromis deri në fitoren përfundimtare të Ukrainës me ndihmën dhe mbështetjen e SHBA-vë, BE-së etj..
Me garanci ligjore nga Rusia që nuk do të ndërmarrë më akte të tilla agresioni bashkë me anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe në NATO. Në konferencën për Paqen në Luzernë të Zvicrës më 14–15 qershor 2024 dhe kohët e fundit nga lidershipi i ri amerikan shtrohet gabimisht pyetja se si dhe çfarë procedurash duhen ndjekur për “ta futur Rusinë në vallen diplomatike të paqes”! Kur, në fakt, çështja e vërtetë jetike është si ta mbrojmë Ukrainën dhe si ta mundim, si të fitojmë mbi Rusinë në frontin e luftës! Fakti i hidhur është se siç treguam dhe më lart, paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme me Rusinë e Putinit është bërë praktikisht e pamundur. Këtë e argumentojnë bindshëm dhe shumë specialistë të kësaj fushe, ku po veçojmë Alexander Rhotert, ndër ekspertët më të njohur gjermanë të sigurisë, kur thotë se: “Mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve. Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke e ulur atë në tryezë, sepse vetëm trysnia ushtarake i detyron diktatorët dhe agresorët të pranojnë paqen, veçse me kushtet tona, jo të tyret”. Mirëpo, situata në front aktualisht është e pafavorshme për Ukrainën dhe çuditërisht aleatët tanë amerikanë në javët e fundit po ndikojnë që ajo të përkeqësohet dhe që pastaj të thuhet se Zelenski “nuk i ka kartat”, a thua se jemi në një lojë bixhozi! Duke i pezulluar ndihmat Kievit, duke deklaruar se me “Putinin merresh vesh më kollaj” etj., që natyrisht janë “muzikë” për këtë të fundit. Nisur nga këto dhe të tjerë faktorë gjeopolitikë, eseisti dhe filozofi i shquar francez i kësaj fushe, Nicolas Tenzer, në librin e tij të kohëve të fundit “Lufta jonë” (Notre Guerre) kërkon me zë të lartë zbatimin nga Perëndimi të “diplomacisë së luftës”. Sipas tij, kjo është e pashmangshme kur tjetri të kërcënon hapur se do të të shkatërrojë, atëherë këtu nuk ka më vend për diplomacinë klasike, takime, propozime dhe ulje në tryeza diplomatike dhe plane paqësore; përkundrazi, gjithçka duhet kthyer dhe vënë në dispozicion të përgatitjeve për luftë pa kompromis kundër agresorit. Pikërisht këtë kanë bërë më së miri populli, qeveria dhe ushtria e Ukrainës të cilët meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje për rezistencën e shkëlqyer dhe heroizmin, që kanë treguar në këto mbi 3 vite sfiduese për ta, duke mbrojtur vendin por edhe vlerat, parimet dhe interesat e Europës dhe të Perëndimit në përgjithësi, përfshirë këtu dhe SHBA-të. Ata që i “hyjnë në gjynah” Ukrainës dhe kushdo tjetër harrojnë ose nuk duan ta kuptojnë se Ukraina do të kishte pasur shumë më tepër përparime dhe Rusia mund të ishte mposhtur, nëse Perëndimi, duke filluar nga SHBA-të deri më 20 janar 2025 dhe BE-ja, do të kishin livruar shumë më tepër dhe shumë më shpejt fondet ndihmat dhe armatimet e tyre më moderne ushtarake ndaj Ukrainës. Mirëpo, ata i trembi çuditërisht frika e përshkallëzimit ushtarak rus dhe rreziku i armëve bërthamore, edhe pse SHBA-të dhe Europa kanë më shumë të tilla se Rusia. Kështu, republikanët amerikanë vonuan për gati një vit miratimin e 61 miliardë dollarë ndihma, mirëpo siç kanë vënë në dukje ekspertët, këto vonesa e cenuan ndjeshëm efektivitetin e ndihmave dhe të luftimeve, sepse ndërkohë, Rusia mori masat për t’u përgatitur dhe për t‘u kundërpërgjigjur. Tepër vonë iu dha dhe leja Kievit për të goditur objektiva ruse me armët e sofistikuara perëndimore dhe brenda territorit rus, madje edhe kjo me shumë kufizime.
Më tej, alternativa për një armëpushim dhe paqe, si kjo që ka shumë gjasa të propozohet tani dhe që filloi të shfaqet me telefonatën Trump-Putin me shumë JO-ra për Ukrainën – JO me territoret para vitit 2014, JO në NATO, JO me garanci amerikane, JO me BE-në, JO me trupa tokësore, JO ndërmjetësuesi amerikan gjenerali Kellog dhe me JO të tjera, të cilat në terren përkthehen si PO e shumëfishtë për Moskën. Në një rast të tillë, me të drejtë nobelistja ukrainase Oleksandra Matviichuk, pohon se kjo “nuk do të jetë më paqe, por pushtim i ri i Ukrainës, dorëzim i Europës dhe SHBA-ve. Për pasojë, Rusia do të marrë zemër dhe më vonë do të vijojë me synimet e saj agresive ndaj vendeve të tjera, duke përfshirë dhe ato të BE-së dhe NATO-s. Sepse ajo e ka shpallur publikisht synimin e vet madhor për ringritjen e ish-perandorisë sovjetike pas “katastrofës së ish-Bashkimit Sovjetik më 1990”. Ja pse, pa mohuar vlerën e demarsheve dhe propozimeve të tanishme paqedashëse diplomatike amerikane, sot parësore dhe vendimtare mbeten ndihma dhe mbështetja ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën, si kërkesë përparësore për të treguar se Perëndimi e ka seriozisht dhe se duke mbrojtur Ukrainën, ai mbron gjithë vendet e tjera sovrane dhe properëndimore. Ndaj, sot kumbon dhe më fort aforizma e famshme latine “nëse do paqe, përgatitu për luftë”! Këtë po e bën tani me vendosmëri, me shpejtësi dhe me një revolucion epokal mbrojtës BE-ja me aleatët e saj.
/Gazeta Panorama