VIDEO/ Shqipëria bie në Londër, kuqezinjtë pësojnë disfatë ndaj Anglisë në ndeshjen e parë kualifikuese të Botërorit
Shqipëria humbet ndeshjen e parë të eleminatoreve për Kupën e Botës 2026, teksa mundemi 2-0 nga Anglia në Wembley.
Në mitikun Wembley të pushtuar nga tifozët kuqezinj, ndeshja nisi me një kontroll asfikses të topit nga skuadra angleze. Pasime të shumta dhe një ritëm i lartë nga “Tre Luanët”, që detyruan kuqezinjtë e Sylvinhos të luanin në gjysëmëfushën e tyre.
Goli dukej çështje kohe dhe në fakt kështu ishte, pasi do të vinte minuta e 19, aty ku një vertikalizim i saktë nga Bellingham do të nxirrte të lirë 18 vjeçari debutues Lewis-Skelly që godet saktë për sjellë golin e parë të Anglisë në këto kualifikuese nën drejtimin e Thomas Tuchel.Skelly bëhet lojtari më i ri që shënon në debutim me përfaqësuesen angleze.
Ekipi ynë mundohet të reagojë në të 28, por ishim të pafat teksa topi devijuar në këmbët e Burn shkon në traversë. Anglia tenton të dyfishojë shifrat në të 35, aty ku Bellingham pati një shans të artë, por Strakosha neutralizoi mjaft mirë gjithçka. Fundi i fraksionit të parë foli sërish për të besuarit e Tuchel, aty ku Bellingahm, Kane dhe Burn iu afruan ndjeshëm golit, por Starkosha dhe fati ishte në anën e kuqezinjve, duke bërë që Shqipëria të shkojë në pushimin e pjesëve me disavantazhin e vetëm një goli.
Në pjesën e dytë ritmi mbetet i njëjtë me vendasit që dominojnë në kontrollin e lojës, ndërsa ekipi ynë mendon thjesht të mbrohet. Broja do të ishte lëvizja e parë e Sylvinhos pas më shumë se sa 1 ore lojë. Dhe pikërisht futja e Brojës i dha kuqezinjve më shumë kreativitet përpara, me gjigandin që u mundua të ishte aktiv, duke vendosur në vështirësi në disa momente prapavijën e anglezëve. Një Angli jo e bukur në pjesën e dytë na ndëshkon sërish me sulmuesi kryesor të saj Harry Kane, që në minutën e 77, i shpëton mbulimit të Ajetit e nuk fal për ta çuar topin në rrjetë.
Përfundimisht mbyllet 2 me 0 në Wembley për “Tre Luanët”, e nisim me humbje fushatën e eleminatoreve drejt Botërorit 2026, ndërsa të hënën ndaj Andorrës në Tiranë do të kemi shansin për të marrë pikët e para.
(J.S/)