Anglia, kjo tabu e madhe, nga Wembley dalim “duar bosh”, por tani presim Andorrën, 3 pikët detyrim
Anglia ishte dhe mbetet një tabu e madhe, por në “Wembley” vendosën disa detaje, pa diskutim, diferencën e bënë yjet e ishullorëve, lojtarë si Bellingham apo Harry Kane. Ishte e pritshme që ekipi i Thomas Tuchel do të kishte kontrollin e lojës, mbajtën 74% topin, krijuan 12 raste dhe goditën 6 herë kuadratin.
Pavarësisht shifrave, ekipi i Sylvinho-s nuk doli në asnjë moment nga loja, pavarësisht se pësuan një gol të shpejtë nga Lewis-Skelly, talenti 18-vjeçar që vendosi një rekord historik duke u bërë lojtari më i ri që i shënon në debutim.

Në fraksionin e dytë, Sylvinho hodhi edhe Brojën në fushë, me “bomberin” kuqezi që vendosi menjëherë në siklet mbrojtjen e “Tre Luanëve”. Për fat të keq, Harry Kane me një veprim individual, me shumë klas brenda në zonë shpiku një gol duke “vrarë” përfundimisht ndeshjen.

Ekipi i Tuchel administroi me qetësi pjesën e mbetur të këtij takimi duke e nisur me fitore fushatën kualifikuese në Botëror. Në përballjen e shtatë me Anglinë, Shqipëria del sërish “duar bosh”, por objektivi kryesor, pikët e plota luhen të hënën kundër Andorrës.

“Dinjitozë në Londër, 3 pikët në Tiranë”, shkruan “Panorama Sport” në faqen e parë.
()