Sun, Mar 23, 2025

Na ishin 33 vjet më parë një PD e një PS…

  • PublishedMarch 22, 2025

Na ishin 33 vjet më parë një PD e një PS…

NGA XHEVAT MUSTAFA 

Sot, pas 33 vitesh nga 22 marsi 1992, duke analizuar me paanshmëri dy krahët apo partitë kryesore, nxirren disa përfundime. Fatkeqësisht, në tufën e tyre janë si numër e peshë më shumë ata të pakënaqshëm e shqetësues. Në mënyrë figurative, ndërsa janë shtuar ndjeshëm numri i partive, kullave, oligarkëve, i zyrtarëve të administratës, patronazhistëve, policëve e komisarëve, gjeneralëve… të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të burgjeve e të burgosurve, të televizorëve… dhe të turistëve, pagat në piramidën qeverisëse dhe shtetërore e në disa sektorë në vartësi të saj, njëherazi janë shtuar frikshëm edhe disa dukuri e shifra negative apo që shprehin, ose ngecje në vend numëro, ose rrëshqitje prapa. Si rrjedhojë e mungesës së pjekurisë dhe përvojës qeverisëse si e diversionit nga brenda nisur qysh më 11 dhjetor 1999, nëpërmjet “mishrave të huaj”, “kuajve dhe pelave” të ish-Sigurimit enverian, të Ramiz Alisë, Hekuran Isait, Gramoz Ruçit, Xhorxh Sorosit… të Serbisë, Greqisë, Rusisë…

PD nuk mundi të qeveriste as tamam 5 vjet. Siç dihet, pas fitores së bandave shumëngjyrëshe e shumëflamurëshe të 1997-tës, pushtetin politik dhe qeverisës e ri rrëmbeu PS-ja, duke zgjedhur për kryeministër ekonomistin Fatos Nano, një nga politikanët dhe kryeqeveritarët më të korruptuar në historinë e shtetit shqiptar! Pas dy mandateve qeverisës nga PD dhe Berisha e pas zgjedhjeve politike më 23 qershor 2013, posti apo froni i kryeministrit si dhe “trashëgimia” e Nanos, sidomos në “artin e korrupsionit” iu la në duar apo prapanica, piktorit sorosianist, Edi Rama, me një të kaluar jo pa njolla e jo pa përfolje të pabaza nëpër trotuaret e Parisit. Mbështetur edhe nga ortakët e tij të mafies ndërkombëtare e nga Amerika e Xhorxh dhe Alex Soros, Obama- Hilari Clinton dhe Biden- Kamala Harris dhe e ambasadorëve të tyre në Tiranë si dhe me diversionin nga brenda, Edi Rama vazhdoi rrëmihjen nëpër të katërta anët e mureve të “piramidës PD”! Tani mund të thuhet pa gabuar e pa e tepruar se ai ka arritur të dëmtojë tepër rëndë PD-në si parti dhe si koalicion opozitar në përgjithësi.

Ata kanë rreth 10 vjet muaj që japin shenja jete apo gjallese nëpërmjet zërave anemikë dhe kartonëve pa peshë në parlament, nëpërmjet deklaratave mediatike të kryetarëve Lulëzim Basha e Sali Berisha, si të zëdhënësve dhe politikanëve me detyra pranë tyre, sipas departamenteve përkatëse. Për të qenë të saktë apo për të mos i ngrënë hakun, Edi Rama ia ka arritur t’i bëjë e shfrytëzojë PDnë dhe partitë në koalicion me të, si garniturë apo reklamë propagandistike pluralizmi! Apo që të luajnë rolin e opozitës, duke mos ngjallur as tek shumica e anëtarësive dhe elektoratit të tyre besueshmëri e shpresë, si më 22 mars 1992. Edhe demonstratat rrallë e për mall, më shumë për të dëshmuar gjallesë se sa forcë të brendshme dhe mbështetje masive në popull kanë shkaktuar tek Edi Rama me ministresha e ministra të tij, vetëm ngërdheshje e humor. Njëkohësisht, me shumë gjasa, u kanë përforcuar atyre bindjen se me këtë opozitë kaq të brishtë dhe amorfe, me aleancat me oligarkinë shqiptare dhe bosë të mafies ndërkombëtare, italiane, serbe, ruse, turke, latino-amerikane…, mund të blejnë dhe vjedhin edhe më 11 maj 2025 aq vota sa të sigurojnë 2/3 e mandateve në parlament si dhe mund të mbretërojnë dhe miliardizohen qetësisht për një kohë të gjatë…

Kështu pra, si në një fillim përralle, mund të thuhet edhe me mall e nostalgji se, “Na ishte dikur një Parti Demokratike…”. Gjithashtu, pas afro 20 vitesh shprehet, duket dhe kuptohet se PS-ja, qysh kur ka rënë në duart apo nën këmbët e Edi Ramës me shokë e shoqe, me ortakë bosë të trafiqeve shumëformëshe, më së shumti nga mafia e politikës, kanabisit, inceneratorëve, investitorëve strategjikë, drejtësisë, ndërtimit (kullave, autostradave, tuneleve), shëndetësisë, arsimit, hipotekave, tatimeve, bordeve dhe këshillave drejtues… është katandisur në një pronë të re të kryetarit, ngjashëm si një “thesar votash i Ali Babës” në fundin e çerekut të parë të shekullit 21. Apo në një sallë dhe skenë kukullash, që dinë vetëm të thonë “po” dhe të ngrenë duar, kartonë dhe këmbë, sipas vështrimeve apo shenjave të kryetarit dhe lëvizjeve të “teknikëve”, që i shërbejnë atij në pultin e komandimit. Edhe në një magazinë flamurësh, banderolash, pllakatesh, dosjesh, gazetash, librash të pluhurosura, të mykura e vende-vende “të ngrëna nga mijtë dhe mola…”! Duke gërmuar nëpër to, si në një qendër arkeologjike, mund të gjenden të dhëna apo dëshmi se dikur në këtë parti ka pasur shumë më tepër idealizëm e shqiptari; demokraci të brendshme, debate, kolegjialitet, dhimbje dhe shqetësime qytetare, sociale, kombëtare…

Gjatë 4 viteve të mandatit të tretë, ndoshta nga ndjerja në ceitnot individualisht apo nga shtimi i presionit nga jashtë, sidomos nga Amerika, nga qarqe qeveritare e politike jashtë “piramidës Soros”, Edi Rama i ka “dhuruar” SPAK-ut dhe burgjeve plot nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt apo më besnikë, me të cilët kishte “fituar” disa beteja politike dhe elektorale dhe kishte bërë bollëk punësh, edhe me erë të fortë korrupsioni. Kjo koniunkturë e re në PS e ka ndihmuar Edi Ramën të shtojë dozat e kultit të vet, si lideri më i aftë e më i denjë i “së majtës së re shqiptare”, ngjashëm apo krahasueshëm me kultin dhe idealizimin e Enverit! Nëpërmjet “djegies” së shokëve dhe shoqeve, deri në postet e zv.kryeministrit, ministrave, zv.ministrave, drejtorëve të përgjithshëm, të deputeteve, kryebashkiakëve… Edi Rama, në mënyrë figurative apo fantazimi u ka përcjellë socialistëve shqiptarë dhe elektoratit të PS-së edhe mesazhin: “E shikoni se me cilët njerëz është e mbushur PS-ja, që ju e doni dhe votoni prej 80 vitesh? Më mbështesni ta pastroj nga këta të korruptuar apo “plehra politikë”, që po e kanë turpëruar keq e rëndë, që të bëj një “të majtë” të re apo një Parti Socialiste të re, të cilës do t’ia gjente dhe vinte po ai vetë emrin…!”.

Dihet mirë se qysh në fund vitin 1990 e fillim vitin 1991, Edi Rama nuk e llogariste veten e nuk ishte me zemër as “i majtë” e as “i djathtë”. Në të vërtetë, me gjithçka ka bërë, thënë e shkruar në këta rreth 34 vjet, ai ka qenë e është një egocentrist, narcizist, sorosianist…, pa ideal e me doza shumë të larta internacionalizmi apo globalizmi, duke mos arritur t’i fshehë me brekushet e kohës së Haxhi Qamilit ndjesitë e munguara apo të akullta nacionaliste e kombëtare. 12 vitesh si kryeministër de jure e si mbret de facto ai ka rrëmbyer e fituar çfarë ka dashur, plot edhe pa i ëndërruar! E megjithatë, Edi Rama as e çon ndërmend të ndjenjë mbingopje, mbilodhje, mbistres, vrasje në ndërgjegje dhe reflektim për abuzimet me pushtetet e pakufizuara; për pasuritë e pallogaritshme e për privilegjet e panumërta; për gabimet, mashtrimet, dështimet, mëkatet e shumta… Prandaj do të ishte çudi në qoftë se do të gdhinte ajo ditë që Edi Rama të ndjente turp e të mos e duronte më edhe rrethimin e tij të tejzgjatur prej kukullave, servilëve, diplomablerësve, askushëve, injorantëve, trafikantëve, kriminelëve me disa emra dhe qeli burgjesh… me mandate biznesmeni, ministri, zv.ministri, deputeti, prefekti, kryebashkiaku, drejtori të përgjithshëm, drejtori apo shefi policie, doganash, tatimesh, hipotekash, agjencish… dhe të shpallte “divorcin” e tij me këtë tufë politikanësh dhe pushtetarësh me doza të larta korrupsioni dhe amoraliteti.

Merret me mend se me njerëz të këtij niveli apo modeli nuk të shpresohet për sukses të reformave në drejtësi, ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë, si dhe në luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit. Aq më pak për përshpejtim të afateve të anëtarësimit të plotë në BE e të pajisjes së shtetasve të Shqipërisë me pasaportat prestigjioze dhe të privilegjuara të shtetasve të 27 vendeve të tjerë të këtij unioni. Me kontingjentin e njerëzve pa CV fare ose me CV të sajuara e të blera, ashtu si dëftesat, diplomat, certifikatat…, me të shkuar apo edhe të sotme kriminale; me ortakërinë me Sajmir Tahira, Arben Ahmetaj, Safet Gjica, Elvis Rosha, Vangjush Dako, Ilir Beqaj, Ergys Çyrbje, Safet Bajra…, ai mund t’i blinte dhjetëra mijëra vota dhe 1,2,3… fitore elektorale, por hyri edhe në histori dhe në dosje të drejtësisë, edhe në kamera shqiptare e ndërkombëtare, edhe si ortak, shef, mbështetës apo mbrojtës i tyre. Nga gjithë sa shprehëm më sipër jepen boll arsye të themi edhe për PS-në: “Na ishte një herë e një kohë në Shqipëri edhe një Parti Socialiste…, ku kishte edhe njerëz me ideal dhe guxim të mendonin dhe shpreheshin ndryshe nga Fatos Nano dhe Edi Rama”. Para 5-6 nëntorit 2024, kur Donald Trump fitoi mbi Kamala Harris, mbi Biden-Blinken dhe partinë e tyre, ai nuk e kishte ndjerë lëkundjen e pozitave e të plotpushtetshmërisë së tij. Këta 3 muaj të viteve 2024-2025, sidomos me informacionet e freskëta për rihapjen e “Dosjes Charles MacGonigal-Shqipëri” dhe për ekipe të FBI-së në Tiranë, ai ka humbur ndjeshëm siguri, qetësi, aftësi vetëpërmbajtjeje, gjumë, autoritet…

Me shumë gjasa, pa e dashur e pa i përmbajtur, ka shtuar dozat e autoritarizmit, enverizimit, agresivitetit, prepotencës, vulgaritetit, banalitetit…! Edi Ramën dhe qeverinë e tij i kanë ndihmuar apo plotpushtetizuar edhe rrethana të tjera në vend. Fjala është për dukuritë apo faktet se ai me strategjinë e tij të njësojllëkut të dy krahëve politikë, të injektimit masiv të viruseve të indiferentizmit dhe depolitizimit masiv; të kanabizimit dhe konsumimit masiv të drogave, me koncerte e spektakle televizivë, mbush me tallava e lakuriqësi femërore, ia arriti ta bëjë Shqipërinë pa popull, pa pozitë e opozitë, pa sindikata, rini, shoqëri civile, që në fillimet e epokës së demokracisë rrëzonin qeveri të vjetra dhe krijonin qeveri të reja…! Prandaj, me të drejtë, plot qytetarë nëpër media, kryesisht radiofonike dhe televizive si dhe në rrjetet sociale, gremisen deri në atë shkallë pesimizmi dhe skepticizmi sa të mendojnë dhe shprehen se në Shqipëri, gjatë këtyre viteve të fundit, nuk mund të flitet më për ekzistencën në kuptimet e mirëfillta të opozitës, opozicionit në gjirin e dy partive kryesore, të sindikalizmit, të edukatës apo frymës së protestës, të konsensusit dhe marrëveshjeve të sinqertë dhe transparente, të vetë demokracisë. Kjo gjëmë shumëplanëshe po shprehet edhe këto muajt e fundit. Në shumicën e vendeve fqinjë e më të largët të Evropës zhvillohen protesta nga qindra mijëra njerëz për nivele më të përparuara qeverisjeje, mirëqenieje, demokracie…, në Shqipëri shumica e popullit prej të paktën 10 vitesh janë skllevër, robër, pengje të kafeneve, pijetoreve, klubeve të natës, ekraneve televizive, mbush me premtime si të Enverit, sidomos nga Edi Rama…dhe thjeshtë për konsum paraelektoral, nga Sali Berisha…! Duke parë këtë realitet nuk janë të paktë ata që shqiptarë shpresëhumbur apo optimizëm-djegur, që arrijnë deri në atë nivel të lartë dëshpërimi dhe skepticizmi sa të mendojnë dhe shprehen, si kolosi Faik Konica 120 vjet më parë, se ky vend është i mallkuar të mos bëjë shtet të zhvilluar, demokratik, modern, me mirëqenie të lartë…, sepse ka si armikun më të madh vetë… shqiptarët….

/Gazeta Panorama