“Nuk bëj premtime”, Asllani flet për të ardhmen e tij tek Inter
Nga Wembley, aty ku zbriti titullar ndaj Anglisë, Asllani tërhoqi vëmendjen e mediave italiane, ku pa diskutim interesi ishte në lidhje me Inter, me të ardhmen e tij. Mesfushori kuqezi u pyet nga gazetarët e pranishëm nëse e sheh veten edhe për shumë vite në Milano:
“Po, sigurisht. Unë e kam thënë gjithnjë që jam një tifoz interist, por është e kotë të flas për këtë tani. Mendoj vetëm të mbyll këtë sezon”, u shpreh Asllani. Ndryshe nga 2 vitet e para, këtë sezon, Asllani ka pasur më shumë mundësi kjo pasi Calhanoglu nuk ka qenë në kushte perfekte, por ndaj tij nuk kanë munguar as vërshëllimat nga ana e tifozëve:
“Jam vërshëllyer, po është e vërtetë, por besoj se tifozët kanë pasur arsyet e tyre pse e kanë bërë, mbase kanë pasur të drejtë, nuk kam luajtur mirë. Mendoj gjithashtu se pas Superkupës tifozët u treguan agresivë me mua, nuk besoj se e meritoja një trajtim të tillë”.
Në fund nuk mungoi as një koment mbi shanset që këtë sezon Inter të fitojë tripletën: “Shpresojmë t’i bëjmë një mbyllje të mirë këtij sezoni, janë muaj të rëndësishëm pasi jemi në garë në çdo front, do të përpiqemi të bëjmë maksimumin”, theksoi Asllani në një intervistë për Sportmediaset.
()