Tue, Mar 25, 2025

Atentati ndaj CFO Pharma të Nadir Çaushollit/ Rindërtohet skema e sulmit, zbulohet itinerari që kanë ndjekur autorët! Çfarë kanë fiksuar kamerat e sigurisë

  • PublishedMarch 23, 2025

Atentati ndaj CFO Pharma të Nadir Çaushollit/ Rindërtohet skema e sulmit, zbulohet itinerari që kanë ndjekur autorët! Çfarë kanë fiksuar kamerat e sigurisë

Policia e Tiranës ka mundur të rindërtojë të gjithë mekanizmin e sulmit me armë ndaj kompanisë farmaceutike CFO Pharma të Nadir Çaushollit.

Gazetarja, Klodiana Lala, raporton se pasi qëlluan me breshëri kallashnikovi mbi 30 plumba mbi godinën e xhamte, autorët e dyshuar të ngjarjes janë larguar në drejtim të Vorës.

Burime pranë grupit të hetimit, thanë se përmes kamerave të sigurisë, është ndjekur trajektorja e lëvizjes së makinës së autorëve të dyshuar, por ende nuk është identifikuar se në pronësi të kujt është, pasi dyshohet se është i vjedhur jashtë vendit dhe targat janë po ashtu të vjedhura.

Gjurmët e fundit të automjetit me të cilin udhëtonin autorët e sulmit janë në zonën mes fushë Krujës dhe Fushë Kuqes. Në atë zonë nuk janë siguruar më kamera për të identifikuar bazën ku automjeti mendohet të jetë shkatërruar, pasi pas sulmit nuk pati njoftime për djegie makine.

Për këtë shkak është ushtruar kontroll në disa baza dhe banesa, por pa rezultat. Lidhur me motivin, prokuroria po heton në disa pista, sic është konkurrenca, por edhe përfshirja e Nadir Caushollit në dhënie fajdesh.

Burime nga policia bëjnë me dije si pronari i CFO Pharmës, ka dyshime të jetë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm dhe ka patur një hetim proaktiv ndaj tij, edhe pse vetë Causholli gjatë marrjes në pyetje pretendon se sulmi vjen nga konkurrenca.