Gjykata turke urdhëron që Imamoglu të mbahet në paraburgim, pritet përshkallëzimi i protestave
Një gjykatë turke urdhëroi sot paraburgimin e kryetarit të Stambollit Ekrem Imamoglu në pritje të gjykimit të tij për dy akuza të veçanta, korrupsion dhe “terrorizëm”, raportuan mediat turke.
Ky vendim pritet të shkaktojë protesta edhe më të mëdha se ato që janë zhvilluar në shumë qytete të mëdha të Turqisë për katër ditët e fundit.
Kryebashkiaku i Ankarasë, i cili gjithashtu i përket Partisë Popullore Republikane (CHP) si Imamoglu, e quajti vendimin një “turp” për sistemin gjyqësor të vendit.
Vendimi për të dërguar në burg Imamoglu, i cili konsiderohet kundërshtari më i fortë i Presidentit Recep Tayyip Erdogan u mor pavarësisht akuzave nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe liderët evropianë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht.
Gjykata turke tha se Imamoglu dhe të paktën 20 persona të tjerë janë burgosur si pjesë e një hetimi korrupsioni. Nuk ka ende një raport të veçantë për hetimin ndaj kryebashkiakut të Stambollit për “terrorizëm”.