Tue, Mar 25, 2025

Kuqezinjtë stërviten në Londër para kthimit në atdhe, sot pasdite seanca zyrtare në “Arena Kombëtare”

  • PublishedMarch 23, 2025

Kuqezinjtë stërviten në Londër para kthimit në atdhe, sot pasdite seanca zyrtare në “Arena Kombëtare”

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur ditën e shtunë udhëtimin 4 ditor në Londër, për t’u rikthyer në orët e pasdites në kryeqytet.

Pas sfidës së parë të vlefshme për eleminatoret e Kupës së Botës 2026, djemtë e udhëhequr nga Sylvunho dhe stafi i tij kanë kryer një tjetër seancë stërvitore në token britanike, përpara se të largoheshin.

Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në stadiumin “The Hive” të Londrës, që ka zgjatur pak më shumë se 60 minuta. Lojtarët të cilët nuk u aktivizuan dhe ata që luajtën si zëvendësues kanë zhvilluar stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa titullarët kanë punuar vetëm në palestër.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se portieri Thomas Strakosha, i cili u zëvendësua gjatë ndeshjes me Anglinë për shkak të një goditjeje që mori gjatë lojës, është duke u mbajtur nën monitorimin e vazhdueshëm nga stafi mjekësor kuqezi. Gjendja e tij paraqitet e mirë dhe mjekët janë optimistë që ai mund të rikuperohet për ndeshjen e të hënës ndaj Andorrës në Arena Kombëtare.

Pjesa tjetër e lojtarëve nuk kanë shfaqur probleme fizike dhe janë të gjithë të gatshëm për sfidën e dytë të kualifikueseve.

Ditën e dielë pasdite ekipi ynë përfaqësues do të zhvillojë seancën stërvitore në tapetin e stadiumit “Arena Kombëtare” aty ku një ditë më pas do të zhvillohet edhe ndeshja e dytë e vlefshme për kualifikueset e botërorit 2026, atë ndaj Andorrës.


AlbaniaWeb.net