Partizani vuan në shtëpi, të kuqtë “fluturuan” 24 pikë deri tani
Mund të duket çudi, por Partizani vështirësitë më të mëdha i has në përballjet që luan në shtëpi.
Në një vëzhgim të thjeshtë, konstatohet se të kuqtë kanë humbur më shumë pikë në “Arenën e Demave” sesa në transfertë. Zakonisht, në futboll ndodh që në shtëpi skuadrat të jenë shumë të forta dhe kundërshtarët ta kenë më të vështirë ndaj tyre, por në rastin e të kuqve ndodh ndryshe. “Demat” janë më të fortët në transfertë dhe mjaft “të vobektë” në ndeshjet që luajnë në stadiumin e vet, nën mbështetjen e tifozëve të kuq.
NË SHTËPI – Në 15 ndeshje të luajtura në “Arenën e Demave”, Partizani ka grumbulluar vetëm 21 pikë, pra, as gjysmën e totalit prej 45 pikësh që kanë qenë në lojë. Me një llogari të thjeshtë në “Arenën e Demave”, skuadra e Abilaliajt fiton afro 1.4 pikë për ndeshje. Nëse renditja do të bazohej vetëm në ndeshjet në shtëpi, të kuqtë do të renditeshin të gjashtit. Po 21 pikë ka grumbulluar edhe Elbasani, teksa Tirana, që luan gjithnjë jashtë për shkak të mungesës së fushës, ka koleksionuar 20 pikë. Skuadra më e fortë në ndeshjet në shtëpi është Dinamo me 33 pikë në 15 ndeshje, teksa paradoksi është se kryeqytetasit i luajnë ndeshjet si pritës në “Elbasan Arena”. Një pikë më pak ka mbledhur Egnatia, që luan në shtëpinë e vet, të cilën e ka shndërruar në një nga stadiumet më simpatike në vend.
FUSHA – Terreni i gjelbër i “Arenës së Demave” është me siguri një nga shkaqet që Partizani nuk arrin të marrë rezultat. Të gjithë do të thoshim se fusha është njësoj për të gjithë dhe se Partizani është mësuar aty, por fakti është se vetë cilësia e fushës nuk i lejon skuadrat të japin më të mirën dhe të dalin në lojën e tyre. Kjo ka ndikuar që në 11 nga 15 ndeshje në total, të kuqtë të regjistrojnë 9 barazime dhe 2 humbje. Në shtëpi, Partizani ka marrë vetëm 4 fitore.
TRANSFERTAT – Jo fort më mirë Partizani ka bërë edhe në transfertë, por fakti është se në këto ndeshje janë paraqitur më keq rivalët. Të kuqtë në 15 transferta kanë grumbulluar 23 pikë, dy më shumë se sfidat në shtëpi. Megjithatë, kaq mjafton që skuadra e Abilaliajt të konsiderohet si skuadra më e fortë në ndeshjet jashtë. “Demat” kanë mbledhur një pikë më shumë se Egnatia dhe Vllaznia.