“BE duhet të fokusohet te siguria”- Eurobarometri: Rritet besimi i evropianëve! 74% e qytetarëve të vendeve anëtare vlerësojnë anëtarësimin! Thirrje për mbrojtje të përbashkët
Një sondazh i fundit nga Parlamenti Evropian, ka treguar se evropianët kanë pritshmëri të mëdha nga BE-ja në rolin e saj për t’i mbrojtur ata nga sfidat globale dhe rreziqet e sigurisë.
Sipas Eurobarometrit, shumica e qytetarëve po kërkojnë një BE që i mbron duke u fokusuar në sigurinë, mbrojtjen dhe ekonominë.
Ekziston po ashtu një qëndrim i qytetarëve, se shtetet anëtare të BE-së duhet të jenë më të bashkuara për t’u përballur me sfidat aktuale globale dhe se Bashkimit Evropian i duhen më shumë mjete për t’u marrë me sfidat përpara.
Qytetarët janë gjithashtu gjithnjë e më të vetëdijshëm për përfitimet që vijnë nga anëtarësimi në BE dhe shohin një rol më të rëndësishëm për Parlamentin Evropian.
“Ndikimet e inflacionit dhe rritja e kostos së jetesës janë një shqetësim i madh, me një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të BE-së që presin që standardet e tyre të jetesës të ulen në vitet e ardhshme”, thuhet në raporin e Eurobarometrit.
Gjetjet kryesore
– Më shumë se kurrë, njerëzit vlerësojnë atë që marrin nga Evropa. 74% mendojnë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në BE, rezultati më i mirë i regjistruar ndonjëherë që kur kjo pyetje u bë për herë të parë në 1983.
– 89% besojnë se më shumë unitet është thelbësore për të trajtuar sfidat globale. Konsensusi është i lartë me 75% ose më shumë qytetarë që pajtohen me këtë në çdo Shtet Anëtar.
– 62% e qytetarëve do të dëshironin që Parlamenti Evropian të merrte një rol më të spikatur. Kjo shifër është rritur me gjashtë pikë vitin e kaluar, duke arritur kulmin që nga viti 2020.
– Imazhi i Bashkimit Evropian është pozitiv për më shumë njerëz (50%). Kjo është një rritje prej dy pikësh në krahasim me pranverën e 2024 dhe pesë pikë më shumë se në vjeshtën e 2023.
– 66% duan që roli i BE-së në mbrojtjen e qytetarëve nga krizat globale dhe rreziqet e sigurisë të bëhet më i rëndësishëm, ndërsa 50% pranojnë se ky rol mbrojtës është rritur tashmë vitet e fundit.
– Mbrojtja dhe siguria është fusha kryesore në të cilën BE-ja duhet të fokusohet për të forcuar pozitën e saj në botë, sipas qytetarëve (36%). Nënkampion i ri është konkurrueshmëria, ekonomia dhe industria (32%), e cila ka fituar pesë pikë në vitin e kaluar.
– 33% presin që standardi i tyre i jetesës të ulet gjatë pesë viteve të ardhshme. Kjo është shtatë pikë më shumë se menjëherë pas zgjedhjeve të fundit evropiane (26%) dhe kthehet në nivelin e pranverës 2024 (32%).
– 43% i kërkojnë Parlamentit Evropian që t’i japë përparësi trajtimit të inflacionit, rritjes së çmimeve dhe kostos së jetesës. Mbrojtja dhe siguria e BE-së dhe lufta kundër varfërisë dhe përjashtimit social janë të radhës në listë (të dyja me 31%).
– Arsyeja kryesore pse njerëzit mendojnë se anëtarësimi në BE është i dobishëm ka ndryshuar! Mbrojtja e paqes dhe forcimi i sigurisë ka fituar tre pikë që nga vera dhe tani është në vendin e parë me 35%. Arsyeja kryesore e mëparshme, përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve të BE-së, humbet dy pikë dhe tani është në vendin e dytë (34%).
– Prioritetet politike ndryshojnë, vlerat janë të qëndrueshme: paqja (45%), demokracia (32%) dhe të drejtat e njeriut (22%) mbeten tre vlerat kryesore që njerëzit duan që Parlamenti Evropian të mbrojë, ashtu siç ishin një vit më parë.