Thu, Mar 27, 2025

“Ja çfarë më tha Silvinjo”, Broja entuziast për 75 minutat

  • PublishedMarch 25, 2025

“Ja çfarë më tha Silvinjo”, Broja entuziast për 75 minutat

“Ndjeva pak lodhje në fund, ishte një kohë e gjatë që nuk luaja kaq sepse kam pasur dëmtime. Kam dhënë një asist për ekipin dhe jam i kënaqur për tre pikët”.

Armando Broja nuk e fsheh lumturinë për ndeshjen e luajtur dhe fitoren e arritur. Një asist për të, por më shumë rëndësi kanë patur 75′ në fushë e pa asnjë shqetësim. “Tifozët na japin një mbështetje shumë të mirë, isha shumë i kënaqur dhe jam shumë i lumtur që jam kthyer në Kombëtare. Bogdani është legjende për Kombëtaren dhe shpresoj ta kaloj me gola një ditë”.

Broja luajti i spostuar në të djathtë të sulmit, duke i lënë qendrën Manajt, por për shkodranin e Everton nuk ka asnjë problem: “Kur isha edhe i vogël tek akademia e Chelseat luaja kudo në sulm. Jam një lojtar që dua të luaj dhe të dribloj me topin. E dija që Andorra është një ekip i vështirë dhe nuk futesh dot në lojë”.

Ka një “feeling” mes sulmuesit dhe trajnerit, edhe pse nuk kanë qenë në shumë beteja bashkë, për shkak të dëmtimit të 23 vjeçarit: “Silvinjo më tha para ndeshjes që je i lirë në sulm, mundesh të lëvizësh kudo. Jam sulmues dhe kam qejf të shënoj gola, por golat do të vijnë. Jam shumë i kënaqur për tre pikët dhe i kënaqur sepse e kemi filluar mirë. Trajneri i merr vendimet kush luan dhe kush jo, në krah ka pasur hapësirë, unë jam një lojtar i shpejtë dhe i shfrytëzova. Ishalla përpara me më shumë fitore”, tha Broja.