Wed, Mar 26, 2025

Rusia, te rikthimi i gjeopolitikës komuniste pa ideologji zyrtare

  • PublishedMarch 25, 2025

Rusia, te rikthimi i gjeopolitikës komuniste pa ideologji zyrtare

NGA PROF. DR. ELMAS LECI

Ukraina është viktima e radhës dhe e re e gjeopolitikës ruse, e asaj gjeopolitike, e cila herë ka vepruar nën mantelin e gjeopolitikës komuniste dhe pas viteve 1991 edhe pa ideologji zyrtare, por që ka rreth 100 vjet që “vepron” e që ndan e bashkon popuj sipas interesit rusomadh. Kështu ka edhe 3 vjet me radhë që ka nisur sulmi ushtarak rus mbi Ukrainë, sulm me të gjitha llojet e armëve konvencionale ruse duke lënë nëpër fshatra e qytete shkatërrimet masive marramendëse dhe sakrifikimin e qindra ushtarëve e oficerëve dhe të mijëra civilëve nga të dyja a më shumë palët, një veprim ky gjeopolitik, i cili e ka bazën thellë te gjeopolitika komuniste. Për ta përligjur konkluzionin po e ilustroj me një pasqyrë interesante të zbatimit të gjeopolitikës komuniste, që e justifikon plotësisht atë që e kam titulluar si ngatërrestare e popujve.

Në maj të vitit 1918 sapo proklamohet krijimi i BRSS, akaparohen nga federata socialiste ruse shtetet jugore të Armenisë, Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë dhe në vitin 1920 ripushton Ukrainën, në vitin 1921 edhe Gjeorgjinë, ndërsa fillon edhe luftën me Poloninë. Më 1922 pas Ukrainës, pushton Bjellorusinë, Transkauzinë dhe i bashkon me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike. Pas një periudhe tërheqjeje nga Polonia, në vitin 1939 BS e risulmon atë dhe po në vitin 1939 sulmoi edhe Finlandën e me pas në vitin 1940 edhe Estoninë, Lituaninë dhe Letoninë, “sebep” që hitlerianët të sulmojnë drejt lindjes dhe ndezja e Luftës së Dytë Botërore. Dihet rezultati i Luftës së Dytë Botërore dhe pastaj aplikuesit e gjeopolitikës komuniste, kryesori dhe frymëzuesi Bashkimi Sovjetik, më 1956 sulmon Hungarinë, më 1968 sulmon Çekosllovakinë e me 1979 Afganistanin. Mirëpo edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, dokumentet e gjeopolitikës komuniste ishin po aty në “grazhdin” e Moskës. Ndonëse për një farë kohe ish-Bashkimi Sovjetik ishte me “br…” nëpër këmbë ekonomikisht, më pas Federata Ruse sulmoi në vitin 1992 Moldavinë dhe dy vjet më pas në vitin 1994 edhe Çeçeninë, sulm që e përsëriti edhe në vitin 1999. Në vitin 2008, Rusia sulmon Gjeorgjinë dhe në vitin 2014 edhe Krimenë. Një vit më pas, në 2015 kemi sulme të njëanshme ndaj Sirisë dhe më e madhja më 2022 sulmon Ukrainën, agresion që ende vijon. Nga të gjitha këto, dalim në konkluzionin se edhe me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik, nga Rusia nuk “pushoi” ideologjia komuniste, gjeopolitika e së njëjtës ideologji, e cila asnjëherë nuk lëvizi nga tryeza zyrtare e Moskës së sotme.

Lëvizjet e dekolonizimit, fundi i perandorisë sovjetike apo edhe i krijesave të tjera komuniste, nuk çuan në “varrosjen” e gjeopolitikës së tyre të njëjtë, por koha tregoi se ato u shumëfishuan në disa vite dhe shtetet (numri i të cilëve arrin në më shumë se 190) me kufij ndonjëherë artificialë, që janë shfaqur në hartën botërore, shprehin shpesh qëllimet e realizuara të bazuar në gjeopolitikën komuniste pse jo edhe pa komunizëm të pranuar zyrtarisht. Referuar ngjarjeve të paspërfundimit të menjëhershëm të Luftës së Ftohtë u krijua ideja e gënjeshtërt se gjeopolitika mbaroi edhe ajo së funksionuari. E këto percepsione bazoheshin te shumë nisma që u morën kryesisht rreth çarmatimit bërthamor dhe te mungesa e rivalitetit kur në spektrin superfuqi botërore mbetën vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo koha tregoi se asnjë kontinent nuk ishte e nuk është realisht i çliruar nga rreziku i konflikteve. Nëse Afrika dhe Azia mund të prodhojnë kriza, që vendosin në rrezik ekuilibrat rajonalë, Europa nga ana tjetër nuk ka qenë e aftë të zgjidhë konfliktet brenda saj si psh., ato ballkanike, rezultat i “inateve të vjetra” të këtyre vendeve, të shfaqura në hartën botërore mbi rrënojat e ish-Jugosllavisë. Në hapësirën ish-sovjetike, konstatimi është i njëjti: Republikat e vogla të Azisë Qendrore janë në kërkim të stabilitetit.

Ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji apo Çeçeni e së fundi në Ukrainë ka provuar se lufta është gjithmonë prezente në “portat” e Perëndimit… Po ku e ka zanafillën gjeopolitika bashkëkohore? Studimi i gjeopolitikës moderne, apo të asaj të periudhës pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, tejkalon konceptin e shteteve-kombe dhe shteteve multietnike, ku dhe konsistojnë shkaqet e thella të konflikteve në botë… Duke nisur që nga zanafilla e saj në shek. XIX, gjeopolitika ka evoluar ndjeshëm, aq sa mund të studiohet në një këndvështrim epistemologjik. Ky term u shpik nga Rudolf Kjellen, një shkencëtar politik suedez në fillim të shek. XX, i cili u frymëzua nga gjeografi gjerman Friedrich Ratzel, që cilësohet si babai i Gjeopolitikës. Edhe Halford Mackinder gjithashtu ishte një ndër studiuesit e sferës së gjeopolitikës, por pa e përdorur asnjëherë mirëfilltazi termin “Gjeopolitikë”. Këtu rol lozin nëndegët e gjeopolitikës si gjeostrategjia, gjeoekonomia etj..

Analiza e gjeopolitikës aktuale të çojnë të konceptohet në këndvështrimin e studimit të ndërveprimit midis politikës dhe territorit, rivaliteteve apo tensioneve, që e gjejnë origjinën e tyre pikërisht në zhvillimet territoriale. Rrjedhimisht, gjeopolitika me qëllim që të mos përfshihet sërish në gjurmët e së kaluarës shfrytëzon gamën e njohurive mbi gjeografinë (gjeografinë fizike, humane dhe të gjithë elementët përbërës së saj socialë, ekonomikë, kulturorë etj.), duke mos përjashtuar edhe shfrytëzimin e historisë dhe shkencave politike… Në këtë pikëpamje, termi “Gjeopolitikë” përmban këndvështrimin strategjik dhe atë ushtarak të veprimtarisë pushtuese e ndarëse të “preve” të të mëdhenjve.

Konstatohet se shpërbërja e sistemit bipolar të Luftës së Ftohtë ka rritur kompleksitetin e marrëdhënieve midis popujve të planetit. Gjatë 10 viteve të fundit, qendrat universitare kanë shumëfishuar korpuset e tyre gjeopolitike, me qëllim që t’i përgjigjen një kërkese në rritje të analizës së ashtuquajtur gjeopolitike. Të afrohemi pak me afër nesh se cila është gjeopolitika ballkanike dhe vendin që zë Shqipëria në të?! Rajoni i Ballkanit ka qenë e mbetet një pikë strategjike në të gjitha aspektet, e ndoshta nuk do të ishte e tepërt të cilësohej edhe si “thembra e Akilit” e arenës gjeopolitike ndërkombëtare… Rrjedhimisht, edhe në botën shumëplanëshe të gjeopolitikës është pikërisht Ballkani i vogël e problematik, ai që realisht pothuajse “vendos” rregullat e lojës, duke përcaktuar prioritet strategjike të fuqisë rusomadhe që mbetet ish-gjeopolitika komuniste me synime të njëjta. Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, balancat gjeopolitike ndryshuan. Pesha e statusi i Ballkanit në këtë gjeopolitikë gjithashtu iu përshtat realiteteve të reja. Por, nëse do të analizohen synimet gjeopolitike në Ballkanin tonë, ndoshta do të dilnim në konkluzionin se në thelb ato janë të njëjtat, vetëm format janë të ndryshme dhe lojtarët kanë shkëmbyer rolet. Dhe e vërteta është se gjeopolitika ka ekzistuar, e do të ekzistojë.

Shqipëria, duke u ndërgjegjësuar mbi pozicionin e favorshëm e kyç gjeopolitik që disponon, ndoshta duhet të nisë tashmë ta shfrytëzojë më me efikasitet këtë pozicion, duke u fokusuar në interesa kombëtare afatgjata e largpamëse dhe jo në prioritete pa të ardhme. Konkluzioni mund te ishte se pavarësisht nga format me ideologji komuniste zyrtare e pa të, gjeopolitika ka ekzistuar, ekziston e do të vijojë të ekzistojë, sepse në epokën tonë në të cilën jetojmë, e përditshmja ndërtohet në ndërveprim me planetin.

Tashmë në arenën ndërkombëtare e me pikëmbështetje të veçantë në Europë kemi Rusinë e dytë si dhe e para në krizat e vjetra e të reja gjeopolitike. Është kjo e sotmja, shteti mbi forcën dhe potencialin ushtarak të së cilës mbështetet ekspansionizmi rusomadh, shto edhe agresivitetin serb mbi shqiptarët, por edhe fryma armiqësore që përshkon sllavët e tjerë në Ballkan, madje edhe ortodoksinë greke. Duke ndjekur protestat e sllavëve maqedonas, për të formuar qeverinë në koalicion me partitë shqiptare, s’mund të mos bjerë në sy fryma armiqësore ndaj kombësisë shqiptare në këtë republikë. Është po ajo armiqësi, që u kultivua në mes të shek. 19-të, ku shqiptarët, të tradhtuar e braktisur nga Turqia e të lënë në mëshirë të fqinjëve sllavë, u bënë pre e tyre. Po Rusia e ndërmjetme! Për të shkuar drejt të vërtetës, duhet pohuar se ka pasur një Rusi të ndërmjetme mes dy Rusive armiqësore. Është ajo e miqësisë së ideologjisë komuniste dhe internacionalizmit proletar që nisi nga viti 1945 e vazhdoi për dhjetëra vjet.

Ajo periudhë pati mjaftueshëm ndikim si për zhvillimin, ashtu edhe për ndikimin rus, i cili ende vazhdon të shpërfaqet në hapësirat tona si kulturë kryesisht e atyre individëve, që u përgatitën në shkollat e saj. Sot, mendimi i pranuar në unison nga ne shqiptarët është se, duke parë që në Serbi, në Mal të Zi, në Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri, ndikimi rus po shtohet përmes investimeve në fusha strategjike që përfshijnë industrinë, metalurgjinë, naftën, gazin, minierat deri te blerjet e apartamenteve në bregdetin shqiptar, që përbën një farë rreziku në rritje. Investimet e tyre përfshijnë hotele e resorte bregdetare.

Treva që dikur thirrej “Albania veneta-Shqipëria venedike” e që përbën bregdetin malazez, sot përmes blerjeve është duke u shndërruar gradualisht në pronë ruse. Janë jo të pakta dhe investimet në media, përmes të cilave përhapet më tej ndikimi rus. Si vepron gjeopolitika?! Është kjo arsyeja që udhëheqësit e shteteve shqiptare në Ballkan këtë ndikim e prani ua kanë bërë të ditur e shprehur si shqetësim autoriteteve më të larta europiane e amerikane, duke qenë të ndërgjegjshëm se ajo ka përmbajtjen dhe organizimin në funksion të përkrahjes së Serbisë, të përkëdhelurve sllavo-ortodokse, që drejtohet kryesisht kundër shqiptarëve. Në konferencat e ndryshme me tema ndërkombëtare shfaqen hapur ambiciet që Rusia ka për ndikimin në rajon, për të cilën ofensiva ruse po shfrytëzon problemet e brendshme të BE-së dhe paqartësitë e perspektivës europiane për vendet e rajonit, pas brexit. Edhe veprimi destruktiv i ndërmarrë kohë më parë në Mitrovicë, apo përpjekja për hyrjen në Kosovë me trenin e nisur nga Beogradi, kanë prapavijën politike ruse, pasi realiteti në Ballkan është shumë kompleks e gjeopolitika e tyre vepron.

Jo vetëm realiteti është shumë kompleks, por edhe më i ngatërruar e më i rrezikshëm seç duket, që shkakun e gjen edhe në mungesën e unitetit e të armiqësive të palëve partiake në luftën për pushtet, realitete që krijojnë përshtypjen se nuk jemi dhe aq të përgjegjshëm ndaj situatës. Po teoricienë mbi gjeopolitikën çfarë thonë?! Sigurisht, kolapsi i Bashkimit Sovjetik në 1991 nuk mund të lexohet ndryshe, veç si një ngjarje epokale. Historiani Eric Hobsbawm e përdor këtë datë për të shënuar fundin e asaj që ai e quan “Shekulli i shkurtër i XX”, shekull që filloi në Sarajevë më 1914 dhe mbaroi në mënyrë ironike po atje ku filloi, pra, në Sarajevë. Kohë përpara kolapsit të Bashkimit Sovjetik dhe fundit të Luftës së Ftohtë, figura të tilla si Paul Virilio dhe James Der Derian argumentonin se mbaroi epoka e gjeopolitikës dhe propagandonin tranzicionin nga gjeopolitika në gjeoekonomi. Të jetë kështu?! “Asnjëherë mos u trembni nga hiperbola, vazhdon Virilio 14 vjet më parë, në atë që ‘Hapësira nuk është më gjeografi. Jo, është më tepër, një lëvizje nga gjeopolitika në krono politikë, aq sa hapja e territorit kthehet në shpërndarje të kohës”. Të tjerë, si Edward Luttwak, kohë përpara kolapsit, kuptuan që venitja e Luftës së Ftohtë kishte ulur ndjeshëm peshën e fuqisë ushtarake në çështjet globale.

Duke vlerësuar një konsensus të supozuar, brenda fuqive perëndimore, në fillimet e viteve ‘90, ai parashikoi një tranzicion “nga gjeopolitika në gjeoekonomi”. Kjo përputhet me konceptet e sotme mbi gjeopolitikën. Gjithkush, siç duket, pajtohej që metodat e marketingut po zbythnin metodat e dhunës-fuqitë e kapitalit po venisin fuqitë e zjarrit, novacioni civil po linte mbas avancimin e teknologjisë së luftës, depërtimi i tregut po shtynte tej garnizonet dhe bazat ushtarake. Sidoqoftë, entuziazmi i Luttwak-ut nuk zhytet aq thellë në përqafimin e globalizimit, siç kërkon Keniche Ohmae, i cili e përfytyron të ardhmen e afërt si një market pa kufi dhe si “fundin e nocionit shtet”. Shtetet, për Luttwak paraqiten si vendosje në “hapësira ekzistuese të strukturuara për të ruajtur me xhelozi, kufijtë e territoreve të veta”.

Nga gjeopolitika tek ekopolitika. Ne këtë mënyrë, epoka që po vjen e “gjeoekonomisë” nuk mund të jetë në harmoni me një copëzim global, por do të kërkojë që koha e rivaliteteve ku është në fuqi “logjika e konflikteve”, të shprehet në “gramatikën e tregut”. Por, ende, mjaft të tjerë, e vlerësojnë krizën ekologjike dhe çorganizimin ambiental si faktor që kërcënon në mënyrë radikale natyrën e politikës globale. Për shumë intelektualë dhe politikëbërës, tranzicioni i vërtetë qëndron në kalimin nga gjeopolitika tek “ekopolitika”, që do të thotë se sot shkohet nga gjeopolitika te gjeoqeverisja. Dilema e politikës globale nuk është aq në gjeopolitikë sesa në “gjeoqeverisje” dhe vazhdimësia e më dendur paraqitet si një përplasje jo fort e pëlqyeshme. Ajo zhvendoset dhe qëndron në krijimin e strukturave drejtuese në shkalle globale. Në të vërtetë, në standardet e së drejtës, sipas Falk dhe të tjerëve, kjo përplasje është jo më pak se “një rënie e dëshpëruar”. Dhe rendi botëror i shekullit të 21-të duket sikur do të jetë ai i një “qeverisje të ndryshme”, por gjeopolitika komuniste në konceptin bashkëkohor është prezente dhe vepron si ideologji pa ideologji të pranuar zyrtare.

Autori: Drejtor ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

/Gazeta Panorama