Teatri i madh, cirku i madh, mashtrim i madh, vallja e pacipësisë mbi rrënojat e një populli që hesht i mpirë
NGA ARIAN GALDINI
Në një vend të vogël, por me shpirt të stërmadh si Shqipëria, politika nuk është kurrë çështje përfaqësimi, vizioni apo përballjeje ideologjike. Ajo është teatër, cirk, mashtrim. Dhe jo vetëm një herë. Për 35 vjet me radhë. Ja ku erdhi edhe kjo ditë kur Edi Rama dhe Lulzim Basha ia kanë nisur të luajnë “diss” me njëri-tjetrin përmes këngëve të Unikkatil. Kjo qasje e re në shfaqjen politike shqiptare që për një moment mund të duket si një përpjekje kreative për të rinovuar komunikimin politik, në thelb është akt i pastër i spektaklit postmodern, i asaj që Jean Baudrillard e quante simulacrum, një realitet i rremë, që shtiret se është i vërtetë, por që ka zëvendësuar tërësisht realitetin origjinal. Kjo nuk është përplasje. Është bashkëpunim në heshtje për ta mbajtur popullin të argëtuar, të shpërqendruar, të pajetuar.
Rama Basha janë dy aktorë të së njëjtës skenë. Të veshur me rrobat e antagonizmit, por të bashkuar në qëllim: të mos lejojnë kurrë një vetëdije të vërtetë të zgjohet. Siç shkruante Guy Debord në “Shoqëria e Spektaklit”: “Aty ku realiteti zëvendësohet nga imazhi, e vërteta nuk është më e nevojshme, vetëm shfaqja është”. Nga viti 1991 e deri më sot, Shqipëria është tranzicioni më i gjatë në Evropë. Një tranzicion, që siç duken bathët, as nuk e ka për plan a qëllim të përfundojë. Pse? Sepse tranzicioni është mjeti ideal për të mos mbërritur askund, për të ruajtur gjendjen e përjashtimit, për të ushqyer kaosin si mënyrë e jetesës së pushtetit. Michel Foucault, në analizat e tij mbi pushtetin bio-politik, theksonte se “pushteti më efikas nuk është ai që sundon me dhunë, por ai që prodhon kushtet që e bëjnë njerëzinë të mendojë se nuk ka rrugë tjetër”. Në Shqipëri, pushteti ka ndërtuar një mjedis ku çdo alternativë është diskredituar, asgjësuar ose imituar, për t’u shfaqur më pas si e vetmja zgjedhje e mundshme: PS ose PD. Rama ose Berisha, apo kur u duhet diversifikim dhe larmi në lojë për ta bërë edhe më interesante mikroskenën, edhe Basha, a të tjerë të kësollojshëm. Zgjedh ose maskëne djathtë apo të majtë, por janë gjithmonë të njëjtët aktorë që buzëqeshin nga pas.
Kur dy figura politike që mbajnë përgjegjësi për të djeshmen, të sotmen a ndoshta edhe të nesërmen për këtë vend, vendosin të “luftojnë” me këngë rep, kjo nuk është më politikë. Është performancë zbavitëse në një Cirk të Madh, ku spektatorët janë populli i lodhur dhe i fyer. Por ndryshe nga një publik i vërtetë që mund të largohet nga shfaqja, shqiptarët janë të mbyllur në një çadër cirku, ku çdo dalje është e bllokuar nga shfaqja tjetër e radhës. Kjo formë është kulmi i degradimit të hapësirës publike, jo vetëm që nuk ka debat për ekonomi, drejtësi, siguri kombëtare, demografi, arsim, shpopullim, por çdo mundësi për të pasur një mendim të thellë zëvendësohet me një “beat” muzikor. Siç do të thoshte Slavoj ŽiŽek: “E vërteta e sistemit zbulon veten jo në atë që thotë, por në atë që nuk lejon të thuhet”. Qartazi, Rama dhe Basha nuk duan të flitet për sistemin, për zgjedhjet e manipuluara, për farsën kushtetuese, për Shqipërinë që boshatiset. Ata duan që ne të flasim për diss-et. Në horizont është vendosur data 11 maj 2025, një tjetër akt i spektaklit zgjedhor, ku jo vetëm alternativa nuk është e pranishme, por realiteti është simuluar deri në detajin e fundit.
Të gjitha partitë e sistemit, të vjetrat bashkë me figurat e tyre në to dhe në të reja, apo edhe të tjerat, “partitë e reja surrogato”, janë një formë më e sofistikuar e farsës, ku askush nuk është më kundërshtar real i askujt, por janë të gjithë bashkënismëtarë të përsosur të Mashtrimit të Madh të 11 majit. Siç kemi thënë bashkë më parë, vetë partitë e reja surrogato janë imitime të opozitës që prodhohen nga vetë sistemi, për të bllokuar ardhjen e një alternative të vërtete. Është ajo që Umberto Eco e quante “hiper-realitet politik”, një realitet kaq i stisur, saqë duket më i vërtetë se e vërteta dhe pikërisht për këtë arsye, është i rremë. Në këtë Teatër të Madh të politikës shqiptare, publiku është i ftuar të mos marrë pjesë, as të kuptojë ç’po ndodh, vetëm të duartrokasë. Ose të qeshë. Ose të tallet. Ose të shpërqendrohet. Por kurrë të mos ndërtojë vetëdije. Nëse ndokush përpiqet të dalë nga kjo skenë dhe të flasë ndryshe, atëherë ai bëhet armik i sistemit, siç janë konsideruar gjithnjë ata që guxojnë të mos aktrojnë sipas skriptit. Antonio Gramsci e përshkruante këtë mekanizëm si hegjemoni kulturore, pushteti nuk të mposht me forcë, por ta ngul mendimin e vet në tru, deri kur e ndjen si tëndin.
Shqiptarët nuk mendojnë më si të robëruar, sepse nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë dot se janë të tillë. Dhe kjo është fitorja më e rrezikshme e një regjimi që nuk ka më nevojë për dhunë. Ndaj, përballë kësaj makinerie spektakli, mashtrimi dhe zbrazëtie, e vetmja gjë që mund ta thyejë këtë realitet të stisur është fjala e sinqertë. Refuzimi. Dëshmia. Rinisja. Jo për të imituar betejat e tyre. Jo për të qenë pjesë e teatrit të tyre, por për të dalë nga skena dhe për të ndërtuar një skenë të re, jashtë kupolës së cirkut të vjetër. Ashtu si në mitin platonik të shpellës, detyra jonë nuk është të garojmë për dritën në muret e shpellës, por të dalim jashtë saj, dhe t’ua tregojmë dritën të tjerëve. Kjo është koha e të vërtetëve. Kjo është koha e mosheshtjes. Kjo është koha e përballjes me farsën. Kjo është koha e rinisjes. Sepse në një vend ku gjithçka është mashtrim, i vetmi revolucion i vërtetë është të thuash të vërtetën. Jo me zhurmë, por me gravitet. Jo me akt, por me ekzistencë. Jo me “diss”, por me dëshmi. Dhe ne kemi ardhur për të dëshmuar, jo për të marrë pjesë në cirk. Por për ta mbyllur atë me fjalë, me dritë, me guxim./Gazeta Panorama