Pas Kalifatit: Përballja me kosovarët e riatdhesuar nga Shteti Islamik

Këto ditë, Nuredin Sylejmani e refuzon terrorizmin dhe pranon se për shkak të tij, i duhej të shkonte në burg. E pohon se dikur, ishte shoqëruar me “persona të gabuar, në vend të gabuar dhe në kohë të gabuar”.
Ende do të dëshironte që sistemi i drejtësisë, të ishte më i drejtë ndaj tij.
Në vitin 2013 ishte 27 vjeç kur për herë të parë ra në prangat e policisë.
Kur përfundimisht do të lirohet në prillin e këtij viti, Sylejmani tashmë do të ketë kaluar thuajse tetë nga dymbëdhjetë vitet e fundit në paraburgim dhe burgim.
“Ditët këtu janë shumë të gjata”, thotë ai, kur e vizitova në burgun e Dubravës, që ndodhet rreth 90 minuta vozitje me veturë nga Prishtina, ndërkohë që avokatët, kishin deponuar ankesa të pasuksesshme për të kundërshtuar dënimin e tij.
Sylejmani është në mesin e të burgosurve të fundit në Kosovë që ende po vuan dënimin me burg, për akuzat mbi terrorizmin që lidhen me konfliktet në Siri dhe Irak.
Dhjetë vjet më parë, rreth 300 bashkatdhetarë të tij u bashkuan thuajse në një eksod ekstremistësh islamikë dhe shkuan drejt atyre konflikteve, duke e bërë Kosovën e vogël – me një popullsi me më pak se dy milionë banorë – eksportuesin më të madh për kokë banori të xhihadistëve në Europë.
Bosnja ishte e dyta me 85 xhihadistë për një milion banorë, pasuar nga Belgjika e Shqipëria.
Dalja në sipërfaqe e Kosovës si një terren pjellor për rekrutimin e ekstremistëve, ishte në kundërshtim me reputacionin e saj të jashtëzakonshëm si vend pro-SHBA, e që habitshëm ishte e tillë në mesin e shoqërive me popullsi shumicë të besimit islam.
Pjesa më e madhe e kosovarëve mbi 30 vjeç, ende i kanë të gjalla kujtimet nga lufta për çlirim kombëtar kundër Beogradit/shtetit të atëhershëm që kishte mbetur si Jugosllavi, e që dominohej nga serbët. Atëherë ushtarët amerikanë ishin mirëpritur si çlirimtarë. Në kryeqytetin Prishtinë, ka shtatore të Bill Clinton dhe rrugë e bust me emrin e Sekretares së shtetit, Madeline Albright.
Në kafenetë dhe barët e qytetit, flitej me përbuzje për raportimet se xhihadistët vendas po kryenin shkatërrime në Siri dhe Irak.
Gjatë luftës në Kosovë, shumë nga këta të rinj, ishin fëmijë. Në njëfarë mënyre, kishte një ndjenjë se për lirinë që gëzonin, u detyroheshin ushtrive perëndimore.
E tani, ja ku ishin, në një vend të largët, të gatshëm të vdisnin duke i luftuar çlirimtarët e tyre të dikurshëm. Për më tepër, ata injoronin mundësitë që këtë ta bëjnë pranë shtëpive të tyre: komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës ishin të mbushura me banda të dhunshme nacionaliste. “Nuk ishte nevoja të shkohej në Siri,” – ishte një opinion i përgjithshëm në atë kohë. “Thjeshtë ata mund ta bënin këtë, atje një rrugë më lart”.
Për gjysmë ore intervistë me Sylejmanin, u desh të pritej tre muaj. Deri në dhomën e vizitave në Dubravë, u përcolla nga gardianët, kurse brenda u lash i vetëm me të burgosurin. Në dhomë kishte një klimë ajri, dritaret ishin të kyçura me kangjella hekuri nga jashtë e tavolina prej metali e gozhduar në dysheme. Orët e vizitës në burg ngjasonin paksa me një kopsht fëmijësh.
Përtej mureve dëgjoheshin të qara të lumtura fëmijësh që me baballarët e tyre, prishnin zhurmën e kërcitjeve të dyerve të rënda prej metali.
Sylejmani ishte shtatgjatë, trup gjerë, pa flokë, e me vetulla që i shprehnin dyshime. Veshur kishte jelekun portokalli sipas rregullave të burgut kurse nga goja nxirrte ankesa me zemërim për trajtimin që ia kishin bërë gjyqtarët.
Si djalë i ri, në Prishtinë kishte rënë në shoqërinë e një grupi islamistësh të vijës së ashpër. Shërbimi sekret i Kosovës ishte infiltruar në këtë grup dhe Sylejmani ishte arrestuar derisa përpiqej të blinte armë.
Dëshmitë që dolën nga një proces tjetër gjyqësor, shpërfaqen fakte se gjithashtu, Sylejmani, nëpërmjet Turqisë kishte kaluar kohë me grupin e xhihadistëve shqiptarë në Siri dhe Irak. Atij iu zgjat dënimi. Bashkë me trafikimin ilegal të armëve, iu shtua edhe dënimi si pjesëtar i dy grupeve ekstremiste që luftonin kundër diktatorit sirian Bashar al-Assad: Shtetit islamik dhe Jabhat al-Nusra, që ishte një zgjatje e Al-Qaeda-s në Irak.
Sylejmani ka tre fëmijë në shtëpi. Atij i lejohet ta vizitojë familjen 14 ditë brenda vitit, si shpërblim për sjellje të mirë, e të cilat nuk mund t’i shfrytëzojë të gjitha pa ndërprerë.
Ai ishte mahnitur nga ritmi i shpejtë i jetës që gumëzhinte përtej mureve të burgut, kur për herë të parë pas pesë vjetësh, iu lejua ta vizitonte familjen.
“Gjithçka duket se është bërë më e ngutshme, e të gjithë shpejtojnë për në punët e tyre”, thotë ai.
“Është më mirë ashtu sepse askush nuk ka kohë për gjëra të tjera. Atje jashtë gjithçka ka ndryshuar”.
Është e vërtetë se shumëçka ka ndryshuar që nga dënimi i tij.
Regjimi i Assad-it u shemb këtë vit. Komandanti i Jabhat al-Nusra-s de facto tani është kreu i shtetit të Sirisë, që ka zëvendësuar uniformen ushtarake me rroba civile dhe pret delegacione nga perëndimi.
Vizioni i Shtetit Islamik për Kalifat u mund në fushëbetejë, por grupi vazhdon të paraqesë kërcënim në lindje të Sirisë, që mbetët bastioni i tij i vjetër.
Punonjësit humanitarë në këtë rajon kanë paralajmëruar për rrezikun nga mundësia e ringjalljes së xhihadistëve, pasi në kampet masive dhe burgje, mbahen dhjetëra mijëra njerëz që dikur jetonin nën Kalifat, por që tani rrezikojnë të mbeten pa ndihma humanitare.
Edhe pse kosovarët konsideroheshin në numër të madh nga radhët e luftëtarëve të huaj në Siri dhe Irak, e që në vështrim më të gjerë, në përgjithësi përbënin një grup të vogël.
Nga vendet evropiane, Franca kontribuoi më shumë në ngjeshjen e atyre radhëve, me rreth 2,000 shtetas që iu bashkuan Shtetit Islamik.
Ajo u pasua nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar-shtete këto me popullsi deri 35 herë më të madhe sesa Kosova.
Kur Kalifati u shkërmoq, qeveritë e këtyre shteteve u gjenden përballë një dileme. Çfarë të bëjnë me qindra shtetas që u mbijetuan luftimeve dhe tani po mbaheshin të robëruar, e prej të cilëve, shumë nga ta edhe me fëmijë?
Nën ligjin humanitar ndërkombëtar, riatdhesimi i tyre për këto shtete do të ishte obligim. Kjo pasi shumica e atyre që mbaheshin ishin gra e fëmijë, të bllokuar në kampet e ndyra, e që ligjërisht nuk mund të ndiqeshin si luftëtarë.
Në kryeqytetet europiane, megjithatë, riatdhesimi i tyre u pa si një veprim politikisht i rrezikshëm, duke ekspozuar qeveritë ndaj sulmeve të djathtistëve. Shumë shtete ngurruan, ose u bishtnuan obligimeve ligjore. Vendet e ndryshme, përfshirë Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Holanda, shkuan aq larg sa ua hoqën atyre edhe nënshtetësitë. Në Mbretërinë e Bashkuar, rasti i Shamima Begum ndezi debat të gjatë mbi racizmin dhe politikat e imigracionit.
E lindur dhe rritur në lindje të Londrës, kur ishte ende adoleshente, Begum fitoi popullaritet nga raportimet e tabloidëve, kur ajo udhëtoi drejt Kalifatit.
E zënë gjatë luftimeve, Mbretëria e Bashkuar ia hoqi asaj nënshtetësinë.
Ky veprim, praktikisht çoi në braktisje dhe lënien e saj pa nënshtetësi, derisa për shkak të origjinës së paraardhësve të saj, Mbretëria e Bashkuar kishte dështuar ta shtyjë Bangladeshin që ta pranonte atë.
Kosova i bëri gjërat ndryshe.
Në vitin 2019, Kosova i riatdhesoi shtetasit e saj nga kampet që ndodheshin në shkretëtira në lindje të Sirisë.
I gjithë operacioni u ndihmua dhe publikisht u mbështet nga aleati më i fuqishëm i saj: Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e lavdëroi Kosovën për vendosjen e një shembulli brenda koalicionit kundër Shtetit Islamik.
Mes shteteve të tjera në rajon, nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, gjithashtu në shifra të larta, shtetas të tyre ishin pjesë e Kalifatit.
Të dyja në mënyrë të heshtur riatdhesuan gratë e fëmijët e mbijetuar. Bosnja u zvarrit, duke lënë të bllokuar në ato kampe, një numër të konsiderueshëm qytetarësh të saj.
Shumica e të riatdhesuarve nga Kosova ishin të mitur dhe shoqëroheshin nga nënat e tyre. Baballarët kryesisht u ishin vrarë, zhdukur apo burgosur.
Mungesa e një burri si kryefamiljar, ka komplikuar raportin e fëmijëve me sistemin arsimor. Në një shkollë publike në Prishtinë e cila ka pranuar fëmijët e riatdhesuar nga Siria e Iraku, drejtuesi i saj thotë se në fillim, nënat nuk dëshironin të ishin pjesëmarrëse në mbledhjet prindër-mësimdhënës:- besimi i tyre rigoroz fetar i ndalonte të kishin takime të tilla.
Shkollës iu desh t’i bindte ato se kjo ishte në interesin më të mirë për fëmijët. “Ato na kuptuan që ishim të sinqertë në ndihmën e ofruar”, thotë Visar Osmani, drejtor i shkollës “Emin Duraku”.
Por, edhe nënat kishin kushte ndaj shkollës: ato kërkuan që vajzat e tyre adoleshente të lejohen të bartin mbulesën islame. Sekularizmi është i gdhendur në Kushtetutën e Kosovës dhe simbolet fetare janë përgjithësisht të ndaluara në shkollat publike. Shpesh ka lajme për rastet kur nxënëset përjashtohen për shkak të mbulesës. Në praktikë, megjithatë, administratorët e shkollave gjejnë disa mundësi fleksibiliteti sa i përket lejimit të bartjes së shamisë dhe mund të zgjedhin të mos zbatojnë rregullat në tërësi.
Osmani ka bërë një përjashtim për këto nxënëse në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, por ka refuzuar kërkesën që ato të lejohen të kryejnë lutjet fetare islame në shkollë. “Hapi tjetër është socializmi i tyre”, thotë ai. Me pranimin e të riatdhesuarve, tani shkollës i duhej të merrej me prindërit e tjerë me bindje sekulare, që ishin të shokuar kur dëgjuan për lejimin e bartjes së shamisë islame në klasë.
“U desh t’ua rikujtojmë atyre se këta fëmijë të ardhur nga Siria, ishin gjithashtu kosovarë, prandaj kishim detyrim kundrejt tyre”, thotë Osmani.
Ndërkohë, në Dubravë, Sylejmani ishte i bindur se do të ri-integrohet butësisht në shoqërinë kosovare. “Në burg”, thotë ai- “jeni në listë të zezë, ku secili të quan si terrorist”. E jashtë, thotë se ka njerëz që e njohin për atë se kush është dhe të afërmit e miqtë mund ta ndihmojnë. “Kur të dal nga këtu, do të punoj fort”, thotë ai.
Në Dubravë mbahen rreth 2,000 burra të dënuar për vrasje, përdhunime, trafikim droge e terrorizëm. Kompleksi me beton e tulla të kuqe, është një nga burgjet më të mëdha në Kosovë, i vendosur në djerrinën poshtë bjeshkëve të Moknës.
Një çerek shekulli më parë, në grahmat e fundit të Jugosllavisë, ky burg u bë vendi i një prej masakrave më të rënda.
Diktatori Slobodan Miloseviq nisi shtypjen e egër të shqiptarëve etnikë të Kosovës, që kërkonin pavarësi nga copëzat e Jugosllavisë së mbetur- që dominohej nga serbët.
Atëherë të burgosurit ishin pjesëtarë të UÇK-së, gueriles së përbërë nga shqiptarë etnikë që luftonin kundër Beogradit për çlirim kombëtar.
Në vitin 1999, kompleksi i madh i burgut u bombardua nga sulmet ajrore të NATO-s, që shënjestër kishin ushtrinë e Millosheviqit.
Kur gardianët e burgut rimorën kontrollin e objektit, masakruan rreth 100 të burgosur, duke i vrarë me plumba, raketa e granata.
Në vitin 1999, “Adelina” ishte 10 vjeç, kur avionët e NATO-s ndihmuan që ta nxjerrin Kosovën nga sundimi i Beogradit.
Tani me moshë mes të tridhjetave, jeton në Prishtinë me pesë fëmijët e saj të lindur nga martesa me dy burra kosovarë që luftuan për Shtetin Islamik.
Ajo pranoi të flasë me kusht që emri i vërtetë të mos i publikohet.
Tregon se në fillim ishte kundër që të shkonte në Siri, por bashkëshorti i saj ishte i vendosur ta bënte këtë rrugë, prandaj ajo nuk dëshironte që familja t’i shkatërrohej.
Bashkë me katër fëmijët, çifti fluturuan drejt Turqisë e më pas fshehurazi mbërritën në Kalifat. Thoshte se në fillim jeta ishte e mirë. Kishin të gjitha gjërat e nevojshme-ushqim, shtëpi e veshmbathje. Fëmijët në shkollë, mësonin në arabisht vetëm Kur’an.
Në nëntor 2014, bashkëshorti i Adelinës u vra në betejë. Ajo mundohej të mbijetonte si nënë e ve.
“Atje ti duhej të kishe një bashkëshort”, thotë ajo. U martua sërish me një kosovar nga grupi i luftëtarëve të huaj, i cili do të bëhej edhe babai i fëmijës së saj të pestë.
“Më duhej të përshtatesha, e jeta duhej të vazhdonte”, thotë ajo.
Rripi i territorit të pushtuar nga Kalifati, që zgjatej në pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut, më vonë u rimor nga një kombinim i pafavorshëm për ta, nga ana e grupeve lokale e forcave rajonale.
Ato përfshinin milicinë kurde të Sirisë, mbështetur nga SHBA-ja, ushtria irakiane, krahas milicisë Shia të përkrahur nga Irani, e gjithashtu trupat e regjimit të Sirisë, të ndihmuar nga Rusia.
Adelina me familje u dorëzua tek forcat kurde të Sirisë. “Ëndërroja që fëmijët e mi të flinin pa frikë”, thotë ajo. “I mbaja gjallë shpresat duke iu treguar për bukuritë e Kosovës”. Të mbajtur për një vit e gjysmë, në prill 2019, papritur ëndrra e Adelinës u përmbush. I kishin thënë se Kosova ishte gati ta riatdhesonte.
Menjëherë të nesërmen, Adelina me fëmijët ishin në avion në fluturim drejt Prishtinës.
Nga viti 2019, Kosova riatdhesoi më shumë se 120 persona. Vetëm 12 nga ta ishin burra. Është e njohur se më shumë se 300 kosovarë që udhëtuan drejt Sirisë e Irakut, besohet se janë zhdukur ose vrarë.
Sipas shifrave të ofruara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, dy të tretat e të riatdhesuarve janë të mitur. Në këtë shifër përfshihen edhe fëmijët që kanë lindur atje nga nëna kosovare.
Ministria deklaron se këta fëmijë, automatikisht konsiderohen shtetas të Kosovës, në rastet kur babai është i vrarë apo i zhdukur.
Mes të rriturve të riatdhesuar, gratë përbëjnë më pak se tri të katërtat e numrit të përgjithshëm.
Kjo ministri monitoron të riatdhesuarit dhe mbikëqyrë programet e trajnimit profesional që kanë për qëllim lehtësimin e ri-integrimit të tyre në shoqëri.
Kontaktova familjaret e këtyre grave për të parë nëse ndonjë dëshiron të flasë.
Nën kushtet e anonimitetit të afërmit thanë se ato nuk mund të flasin lirshëm: janë të varura nga ndihmat e pagesat e shtetit dhe u frikësohen telasheve financiare e ligjore nëse do të paraqiteshin pa autorizim në media.
Intervista me Adelinën u aranzhua nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe u realizua në zyrat e saj në qendër të Prishtinës, në prezencën gjatë tërë kohës të një zyrtari.
Me këmbënguljen e Adelinës se do të fliste vetëm për gazetare, në përputhje me rregullat e besimit të saj të rreptë fetar, intervista u realizua nga kolegia Edona Musa.
Në regjistrimin e fundit, rreth 95 për qind e kosovarëve u deklaruan se i përkasin besimit islam.
Versioni kryesor i besimit është formuar relativisht nga toleranca që vjen nga periudha Osmane dhe është dobësuar në dekadat e mëvonshme nga socializmi jugosllav.
Në treguesin e identitetit të përgjithshëm, religjioni ka më pak rëndësi për kosovarët sesa etnia shqiptare dhe gjuha.
Lufta e armatosur shërben si themel i këtij identiteti, mbi të gjitha, e manifestuar nga ish-guerilët e UÇK-së që pas pavarësisë, u bënë pjesë e establishmentit politik.
Lufta e Kosovës për çlirim kombëtar është shumë larg vizionit xhihadist, në një konflikti civilizues- kur të parët e konsiderojnë perëndimin si aleat, e jo sikurse të dytët si kundërshtar.
Megjithatë, një nën-grup i kufizuar i shoqërisë shqiptare –kosovare, ka filluar t’i kthehet versionit të rreptë të islamit, promovuar nga klerikë dhe ndihma bamirësie të lidhura me autokracitë e vendeve të Gjirit.
Në rrugët e qyteteve të vogla të Kosovës, salafistët dhe Wahabistët janë pakicë, por megjithatë e dukshme.
Zakonisht burrat bartin mjekër, gratë janë të mbuluara dhe në gjuhën e përditshme përmendin shpesh lutjet në arabisht si “subhanallah” dhe “bismilah”.
Ata janë komunitet më i mbyllur dhe shumë të kujdesshëm ndaj gazetarëve.
Kur xhihadistët e vendit filluan të vriten në Siri e Irak, pasuksesshëm provova të flas me familjet e tyre, duke udhëtuar rreth e qark Kosovës.
Gjatë hulumtimit të kësaj çështjeje, shkova gjurmëve të mëparshme, por familjet nuk ishin të qasshëm sikurse më parë.
“Ka ndodhur shumë kohë më parë”, thoshin ata, duke përplasur e mbyllur derën. Në Skenderaj, shtëpia ishte e zakonshme në një lagje të shtresës së mesme, as të pasur, por as të varfër. Në Vushtrri, familja dukej se ishte dukshëm më e pasur. Në Kamenicë, shtëpia dukej e thjeshtë dhe e varfër. E në Ferizaj, një qytet në jug të Prishtinës, një baba më tha të largohem. Ai ishte pa mjekër dhe veshur me rroba në stilin perëndimor, që së paku nuk dukej si besimtar i devotshëm.
Edhe pse islamistët radikalë në Kosovë mundohen të mbajnë profil të ulët në publik, ata njihen për pikëpamjet e tyre provokuese në internet, e herë pas here, duke sulmuar klerikët që për ta janë sfidues.
Një klerik nga qyteza e Drenasit, në perëndim të Prishtinës, në vitin 2009, u rrah rëndë nga një grup islamistësh të vijës së ashpër, pasi i kishte kritikuar ata, gjatë një predikimi fetar.
“Nuk ishte sulm personal”, thotë imami Osman Musliu. “Isha shënjestër për shkak të luftës sime kundër radikalizmit”.
Sot, ai bën thirrje që shteti të ndërmarrë një qasje më gjithëpërfshirëse në luftimin e ekstremizmit fetar, duke përfshirë shkollat, organizatat joqeveritare të shoqërisë civile dhe mediet.
Musliu thotë se autoritetet duhet t’i drejtojnë përpjekjet e tyre përtej dënimeve të terroristëve, si dhe për të gjithë kosovarët që ndajnë “ideologjinë e tmerrshme”.
Ekspertët e sigurisë dhe të drejtësisë paralajmërojnë rrezik në trajtimin “me përkëdhelje” të radikalëve fetarë.
“Kosova meriton vlerësim për riatdhesimin e shtetasve të saj dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, më shumë sesa shtetet me resurse më të mëdha”, thotë Adrian Shtuni, analist i sigurisë me bazë në SHBA, që ka shkruar gjerësisht mbi radikalizmin dhe ribashkimin e xhihadistëve në Ballkanin Perëndimor.
Por ai thotë se: “do të ishte gabim të paramendohej se të gjithë ata që riatdhesohen janë penduar dhe kërkojnë ri-integrim.”
Fatmir Çollakaj, profesor i drejtësisë në Kolegjin AAB në Prishtinë, që ka trajnuar gjyqtarë e prokurorë thotë se Kosova mund të pendohet që nuk e ka ndjekur shembullin e shteteve si Mbretëria e Bashkuar, që ka refuzuar të riatdhesojë shtetasit e saj të radikalizuar.
“Ne u treguam pak të mençur, pak naivë e pak humanitarë”, thotë ai. “Nganjëherë nuk është diçka e keqe të sillemi sikurse këto shtetet e vjetra e të konsoliduara. Indioktrinimi ideologjik nuk zhduket lehtë”.
Derisa dilja nga Dubrava, pyeta një nga gardianët shoqërues për “sjelljet” që kanë islamistët e burgosur. “Kur i dëgjon ata duke folur, mund të mendosh se janë engjëj”, thotë ai. “Por shiko dosjet e tyre dhe do ta kuptosh se sa janë të pafajshëm”.
Adelina pyetet nëse do të dëshironte të shihte një formë strikte të islamit në Kosovë. Ajo formulon një përgjigje të kujdesshme. “Kur shikon disa gjëra, do të dëshiroje të ishin ndryshe”, thotë ajo. Megjithatë, këmbëngulë se është pishman për udhëtimin ne Siri.
“Po ta dija atëherë çfarë di sot, kurrë nuk do të shkoja”, thotë ajo.
Emocionohet kur kujton rrugëtimin e kthimit drejt shtëpisë.
“Kur dëgjuam të flitet shqip në aeroportin e Prishtinës”, thotë Adelina. “Nuk kishte gëzim më të madh”.
Edhe bashkëshorti i dytë i saj u riatdhesua. Ai vuajti dy vjet e gjysmë burg në Kosovë dhe tani punon në ndërtimtari. Por çifti është ndarë.
Gratë kosovare të riatdhesuara kryesisht u janë shmangur qëndrimeve të gjata në burg. Pothuajse asnjë prej tyre nuk u dënua për vepër penale, duke u liruar me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.
Fehmije Gashi-Bytyqi, avokate nga Prishtina e cila përfaqësoi disa prej këtyre grave, beson se sistemi i drejtësisë i ka shpejtuar rastet e klientëve të saj.
“Për aq sa di, ato tani merren me fëmijët e tyre”, thotë ajo.
Për ekspertin e sigurisë, Adrian Shtuni, trajtimi i grave të kthyera pasqyron pikëpamjen e gjerë se ato ishin të manipuluara ose të detyruara që të shkonin në Kalifat.
“Është një klishe problematike se të gjitha gratë janë viktima ose të detyruara nga bashkëshortet e tyre”, thotë ai. “Për çdo rast duhet të vendoset bazuar në të dhëna e jo mbi bazën e paragjykimeve gjinore”.
Qëndrimi i sistemit gjyqësor kosovar ndaj grave, sipas një zyrtari që kishte punuar me të riatdhesuarat e që nuk dëshironte të identifikohej, mund të ketë qenë gjithashtu i ndikuar nga shqetësime praktike.
Pasi gratë u kursyen nga dënimet me burg, sipas këtij zyrtari, ato do të vazhdonin të kujdeseshin për fëmijët e tyre, duke e kursyer shtetin nga përgjegjësia e gjetjes së një shtëpie të re përkujdesjeje për të miturit.
I lehtësuan gjykatat e Kosovës dënimet për gratë e riatdhesuara nga Kalifati për shkak të paragjykimeve apo pragmatizmit?
Në përgjigje me shkrim nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës shkruan se: “nuk ndërhyjmë në pavarësinë e gjyqtarëve, dhe as në procesin e vendimmarrjes së gjykatave”.
Fëmijët e Adelinës vazhdojnë arsimimin në shkollën aty pranë. Ata duhej të merrnin mësime plotësuese për tejkalimin e mangësive, në mënyrë që arrinin nivelin e duhur me nxënësit e tjerë në aftësitë e gjuhës shqipe.
Tani, veçanërisht ajo është krenare për vajzat e saj adoleshente-që nga mësimet, duken se janë premtuese për të ardhmen.
“Do Allahu të më mundësoj të jetoj, që t’i shikoj të bëhen mjeke”, thotë ajo.
Jeton Musliu është një gazetar nga Prishtina që raporton për korrupsion dhe çështje sociale. Ky artikull është pjesë e Bursës Ballkanike për Ekselencë në Gazetari, mbështetur nga Fondacioni ERSTE në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese. Redaktuar nga Neil Arun.