Strategjia/ BE këshillon qytetarët: Në rast krizash apo sulme ushtarake siguroni ushqime për 72 orë
Qytetarët në Bashkimin Evropian këshillohen të grumbullojnë mjaftueshëm ushqim, ujë dhe gjëra esenciale për 72 orë, si pjesë e një strategjie evropiane që synon të rrisë gatishmërinë për përmbytje dhe zjarre katastrofike, pandemi dhe sulme ushtarake.
Ndërsa ka paraqitur strategjinë e parë të gatishmërisë, Komisioni Evropian ka thënë se do që të inkurajojë qytetarët të marrin “masa proaktive për t’u përgatitur për kriza, si zhvillimi i planeve emergjente në shtëpi dhe grumbullimi i furnizimeve esenciale”.
Strategjia pjesërisht u bazua nga planet në Gjermani dhe shtetet nordike, të cilat kanë shpërndarë këshilla se çfarë të bëhet në rast të një sulmi ushtarak ose krize tjetër.
Hadja Lahbib, komisionere evropiane për menaxhimin e krizave, ka publikuar një video ku paraqet një çantë emergjence. Në të shihet dokumenti identifikues, ushqim i konservuar, ujë, shkrepës, një thikë, para, ilaçe dhe një radio e vogël.
Ajo ka thënë se është në dorë të shteteve anëtare të vendosin se çfarë është e nevojshme për qytetarët e tyre të kenë në çantën e emergjencave, varësisht “nga bazat gjeopolitike dhe gjeostrategjike ku gjenden”.