Të kontribuosh për shqiptarinë si prof. Ahmet Qeriqi
NGA TEFTA CAMI-CANI
Ngushëllime të përjetuara, znj. Arbana Qeriqi, e dashur, dhe gjithë familjes për ndërrimin e jetës të babait e familjarit tuaj të dashur e të shtrenjtë dhe të mikut e shokut tim më të shquar, të ndierit profesor Ahmet Qeriqi! Kam qenë me fat, që e kam njohur, kam biseduar dhe kam qenë e privilegjuar që më ka intervistuar për herë të parë pas viteve ‘90-të në TV “Dielli” të RTV “Kosova e Lirë” shumë i nderuari Ahmet Qeriqi. Kam njohur historinë e jetës së tij si një patriot të madh e të shquar me pjesëmarrjen e tij që në moshë të re në demonstratat e vitit 1981 të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe të të gjithë popullsisë shqiptare të Kosovës me parullën “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”, ku filloi armatosja e popullit për të fituar lirinë e pavarësinë nga pushtimi shekullor serb.
I respektuari Ahmet Qeriqi përjetoi dhunën e terrorin serbomadh mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës; përjetoi teorinë e diferencimit dhe pushimin nga puna të shumicës të elitës së inteligjencës shqiptare në Kosovë e viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavinë; përjetoi burgun me shumë shqiptarë, që i arrestoi klika serbe e Kosovës me urdhër të Beogradit. Dhunën e terrorin e burgut i ka përshkruar me shumë mjeshtëri e realizëm në romanin e tij “Burgu”, ku milicia serbe përdorte veglat e tyre të disa shqiptarëve të Kosovës, milicët shqiptarë, që e kishin shitur shpirtin te pushtuesit serbë, për të ushtruar dhunë ndaj të burgosurve shqiptarë të Kosovës. Kjo është histori e njohur e çdo pushtuesi, për të blerë shqiptarë, që të luajnë rolin e spiunëve midis shqiptarëve, apo për t’i pasur si baza të sigurta të tyre për dhunë ndaj shqiptarëve, duke praktikuar përçarjen e vëllavrasjen midis shqiptarëve, siç i përshkruan me shumë detaje në romanin “Betimi i motrës”.
Por, serbët kanë praktikuar edhe vazhdimësinë e agjenturave të tyre në Kosovë e Shqipëri dhe në viset e tjera shqiptare dmth., nga gjyshat te djemtë e nipat dhe kështu me radhë… Me keqardhje e shkruaj se nuk janë të paktë agjentët e Beogradit e të Athinës, që janë dënuar në sistemin socialist për dëmet që i kanë sjellë Shqipërisë, janë në listën e të persekutuarve, që shpërblehen nga shteti shqiptar. Mesazhi është i qartë: “Kush tradhton Shqipërinë, do të shpërblehet”! Gjatë viteve të burgut mësoi hungarisht dhe përktheu në shqip romanin për Ali pashë Tepelenën, sepse për të nuk mund të kishte vite të humbura. Shumë i respektuari, Ahmet Qeriqi, ngriti Radion Kosova e Lirë dhe Agjencinë Press në malin e Pashtrikut pranë SHP të UÇK-ës me pajisje që arritën t’i marrin nga Kumanova dhe kanë dhënë lajme reale për zhvillimin e luftës nga UÇK-ja e forcat e NATO-s kundër forcave pushtuese serbe të divizionit Patkoi. Megjithëse selia e Radios Kosova e Lirë e Agjencisë Press është qëlluar dy herë me snajper nga forcat ushtarake serbe sepse jepte lajme të sakta të luftimeve mbi fitoret e UÇK-ës e të bombardimeve të NATOs, ku ka pasur të vrarë e të plagosur, ata nuk e kanë ndërprerë transmetimin, por e kanë vazhduar, duke u vendosur në një shpellë pranë një shkëmbi dhe Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës.
Pas luftës, Ahmeti instaloi në Prishtinë me një seli të thjeshtë e modeste Radion e Agjencinë e Lajmeve, TV “Dielli”, shtëpinë botuese, që kanë qenë mjaft të suksesshme në interes të Kosovës dhe të gjithë shqiptarisë. E kam njohur nëpërmjet shkrimeve të shumta e të pandërprera në gazetën “Kosova e Lirë” si historian i shquar e objektiv dhe realist për pasqyrimin e historisë të të gjitha periudhave të shqiptarëve. Periudhën e socializmit në Shqipëri e të udhëheqësit Enver Hoxha, Ahmet Qeriqi e ka pasqyruar me një analizë objektive si arritjet e mëdha dhe disa gabime. Ndërsa nuk janë të paktë historianët në Shqipëri, që e nxijnë dhe e mohojnë periudhën e LANÇ e të socializmit sikur nuk kanë ekzistuar 45 vitet e atij sistemi, duke shkatërruar e nëpërkëmbur gjithçka krijuese e realizuese nga sistemi e populli shqiptar, duke mohuar e hequr periudhën e LANÇ-re e të socializmit në Muzeun Historik Kombëtar, duke hequr yllin nga flamuri e librin në mozaikun në ballë të muzeut, megjithëse përfaqësonte atë periudhë dhe është krijimtari e një grupi piktorësh.
S’kishte arsye se pse të retushohej. Apo prishjen e tjetërsimin e ndërtimeve me karakter historik në Shqipëri. Një popull që nuk ruan e mbron traditat etnokulturore të vendit të tij, nuk ka të ardhme. E kam njohur botën e tij të madhe edhe nëpërmjet romaneve e tregimeve të shumta, si dhe vitin e kaluar nëpërmjet të dy romaneve me tituj “Guri i betimit” dhe “Betimi i motrës”. Të dy romanet janë historikë, sepse trajtojnë subjekte me përmbajtje historike, sidomos romani me titull “Gurri i besës”, që autori si poliglot ka bërë shumë studime shumëvjeçare të kohës së Mesjetës si të burimeve serbe e europiane, por edhe të burimeve turke, greke, raguziane, shqiptare, të kujtesës historike shqiptare të eposit të këngëve të Luftës së Kosovës të vitit 1389 dhe fragmente të letërsisë popullore e legjendave. Ky roman është një mesazh për historianët për ta lexuar e nxjerrë mësime për metodologjinë e studimit dhe të interpretimit të historisë shqiptare të periudhës së Mesjetës.
Që në parathënie Ahmet Qeriqi shënon: “E kaluara shqiptare, sidomos periudha e Mesjetës, ende nuk është studiuar me një metodologji të përparuar shkencore, duke u mbështetur, sidomos në të dhënat e dëshmitë që i ka ruajtur koha. Përhapja e literaturës serbe e sllave përgjithësisht, e botuar dhe e shpërndarë në vendet e Evropës e më tej, në masë ka ngulitur të ashtuquajturën ‘të vërtetën serbe e sllave’, mbi Kosovën, e cila mbështetet kryesisht në mohimin dhe deformimin e së vërtetës, në krijimin e mitit e faktorit serb, përjashtimit e ekzistimit të popullatës shqiptare gjatë mesjetës në Kosovë dhe në viset e tjera, mohimin e autoktonisë ilire-arbëreshe-shqiptare, stigmatizimin e shqiptarëve në përpjekje për t’i paraqitur mbetje turke e aziatike, urrejtjen morbide, kolektive kundër tyre, edukimin e frymëzimin e brezave për asgjësimin e “arnautëve”, që më vonë ka rezultuar me program shtetëror për shfarosjen kolektive të shqiptarëve, dëbim nga trojet, vrasje masive dhe pastrim etnik, dëbim të dhunshëm për në Turqi, mohim të çdo të drejte kombëtare e njerëzore, sidomos prej vitit 1912 deri në vitin 1941″ (F.5). “E vërteta shqiptare për Mesjetën e hershme, për atë periudhë të errët të historisë, sikur është thënë zakonisht, ende është fragmentare, ndërsa historianët e Mesjetës, përveç dr. Muhamet Tërnavës, gati të gjithë përgjithësisht pranojnë variantin serb për Luftën e Kosovës, meqë ashtu e kanë mësuar e janë pajtuar, duke pretenduar se ajo çështje është e mbyllur përgjithmonë.
Po ashtu, pranimi i islamit nga shumica shqiptare është një fakt tjetër i anashkalimit të kryetrimit shqiptar të Mesjetës, Milush Kopiliqi, për shkak se kishte arritur të vrasë Sulltan Muratin e Parë, më 15 qershor të vitit 1389. Ky akt gjatë shekujve ishte trajtuar si tradhti nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të konvertuar. Madje, ka pretendime nga disa historianë shqiptarë, që atë personazh ta paraqesin si martir, të cilin e kanë mbytur serbët, ose bijtë e tij, duke përjashtuar fare edhe ekzistencën e heroit shqiptar të Mesjetës, Milush Nikollë Kopiliqi” (F.7). Personazhet përgjithësisht janë historikë, si ato shqiptarë, edhe serbë. Përshkruhen me toponiminë vendëse shumë treva e fshatra, që vërtetojnë autoktoninë e shqiptarëve. Jepen episode të grabitjes nga serbët të artefakteve shqiptare nga Kosova e viset e tjera shqiptare dhe dërgimi i tyre në Beograd. “Guri i Betimit” është një histori e rikthyer në kujtesë për Motin e Madh, për Mesjetën, e cila në një kohë të caktuar, është bërë përpjekje të harrohet, por koha e ka rikthyer…. Koha edhe mënon, por kurrë nuk harron” (Fl. 10).
Gjatë përshkrimit të subjekteve historike të romaneve ai i përshkruan me realizëm e vërtetësi dhe me një gjuhë e metafora dhe figura të zgjedhura, si dhe me shumë shprehje e fjalor krijues mbi bazën e gjuhës shqipe. Ahmet Qeriqi mbetet i pavdekshëm me studimet e rëndësishme historike si një historian i shquar objektiv, si romancier i veçantë me krijimtarinë e tij me subjekte nga historia jonë kombëtare, si gazetarë e publicistë i madh, si përkthyes i përkryer të letërsisë së huaj me subjekte të heronjve të popullit shqiptarë, duke vërtetuar se kombi shqiptar është më i lashti dhe i vjetër sa vetë toka e historia. Ahmet Qeriqi gjatë gjithë jetës si misionar i shquar i shërbeu kombit të vet dhe njerëzimit. Kur isha vitin e kaluar për vizitë në studion “Kosova e Lirë” e TV “Dielli”, mësova më me hollësi për sëmundjen e tij të rëndë.
Por megjithëse ishte i sëmurë prej kohësh, dëshiroja dhe shpresoja të ndodhte një mrekulli dhe të rikthehej siç ishte, plot energji e krijimtari në shërbim të mëmëdheut, Kosovës të lirë e të pavarur, që luftoi e sakrifikoi dhe në shërbim të kombit shqiptar më të fuqishëm e të bashkuar në këtë shekull. Për të ndierin e shumë të nderuarin Ahmet Qeriqi do të ndihet mungesa e nevoja për të nga i gjithë populli shqiptar. Megjithëse ai ka përgatitur stafin e radios “Kosova e Lirë” e TV “Dielli” dhe të shtëpisë botuese si, pasardhësit e familjes e punonjës të tjerë për ta vazhduar punën në këto institucione. Ahmet Qeriqi për gjithë punën e kontributin e madh kombëtar e meriton t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”! U prehtë në paqe në tokën e mëmëdheut, Dardanisë!
Autorja: Ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
/Gazeta Panorama