Sun, Mar 30, 2025

‘Genocid ndaj popullsisë’ : Pesticidet kancerogjene të ndaluara në Europë tregtohen në Shqipëri

  • PublishedMarch 27, 2025
‘Genocid ndaj popullsisë’ : Pesticidet kancerogjene të ndaluara në Europë tregtohen në Shqipëri

Më 29 nëntor, një ngarkesë me mandarina të prodhuara në Shqipëri u ndalua në Kroaci pasi analizat treguan përmbajtje të Chlorpyrifos – një pesticid i ndaluar nga Bashkimi Europian që në vitin 2020.

Rasti u bë i njohur nga RASFF – Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin, një rrjet që lehtëson shkëmbimin e informacionit mes vendeve anëtare të BE-së për çështje që lidhen me sigurinë ushqimore.

Ky nuk ishte një rast i izoluar i ndalimit të eksporteve me mandarina nga Shqipëria, ndërkohë që mandarina nuk është produkti i vetëm i identifikuar me ngarkesë të pesticideve të ndaluara gjatë viteve të fundit në vend.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN dhe intervista me ekspertë, dëshmojnë se qeveria neglizhoi për mungesë kapacitetesh njerëzore dhe paqartësi ligjore monitorimin e vazhdueshëm dhe në kohë, të përdorimit të pesticideve duke çuar në tregtim të produkteve bujqësore mbi normat e lejuara.

Autoritetet gjithashtu mbyllën një sy ndaj përdorimit nga fermerët të pesticideve të rrezikshme, të ndaluara prej vitesh në vendet e BE-së, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe cilësinë e eksporteve shqiptare.

Ministria e Bujqësisë pranoi në përgjigje të një kërkesë për informim se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta perime 7 pesticidet të ndaluara si; ”chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”.

Përfaqësues të laboratorëve privatë i thanë BIRN se kanë konstatuar shumë raste të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) të ndaluara në analizat e tyre.

“Në Shqipëri qarkullojnë rreh 35 pesticide të ndaluara,” i tha BIRN , kimist dhe konsulent pranë laboratorit Tenius, duke iu referuar gjetjeve të analizave të këtij laboratori vetëm gjatë vitit 2024.

Pesticide toksike

Qytetare duke blere fruta dhe perime ne tregjet e Tiranes me rastin e festes se Vitit te Ri.

Në dhjetor 2019, Komiteti i Përhershëm për Bimët, Kafshët dhe Ushqimin vendosi ndalimin e përdorimit të pesticideve ‘klorpyrifos’ ‘dhe ‘klorpyrifos-metil’ në vendet anëtare të Bashkimit Europian, bazuar në gjetjet studimore se përdorimi i tyre kishte ndikim negativ në shëndetin e njeriut, me efekt toksik në zhvillimin e sistemit nervor dhe gjenetik.

Për ndalimin e përdorimit të tyre Komisioni Evropian i miratoi zyrtarisht rregulloret në janar 2020, duke parashikuar një  periudhë tranzitore 3 mujore për vendet anëtare për grumbullimin dhe asgjësim në mënyrë përfundimtare të të gjitha Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) që kishin me përmbajtje ‘klorpyrifos’ ‘dhe ‘klorpyrifos-metil’. Pas këtij afati ato nuk mund të tregtoheshin dhe përdoreshin më brenda hapësirës së BE-së.

Duke ndjekur shembullin e BE-së, Shqipëria vendosi të çregjistrojë PMB-të që përmbanin këto dy përbërës toksikë, por ndryshe nga BE, tregtarëve shqiptarë iu dha e drejta që të importonin produkte me përmbajtje të këtyre dy pesticide deri në mars 2020, dhe përdorimi i tyre në treg u lejua të paktën edhe për dy vite të tjera.

Dispozitat ligjore e rregullojnë importin dhe përdorimin e PMB-ve në dy lista; ato që lejohen të importohen – nëse janë të regjistruara më parë të paktën në një vend anëtar të BE-së dhe një listë e dytë, ku PMB-të e ndaluara, por ndërkohë të importuar, lejohen të tregtohen dhe përdoren nga fermerët deri në afatin e skadencës së tyre.

Bazuar në këto kritere Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ndaloi importin e PMB-ve me ‘klorpyrifos’ në janar 2020,  por ato qëndruan në listën e dytë të paktën deri në gusht të vitit 2022 dhe siç sugjerojnë të dhënat zyrtare dhe analizat laboratorike këto lëndë toksike vijojnë të përdoren në fermat shqiptare.

Fermerët që i përdorin duket se nxiten nga efikasiteti i lartë i këtyre PMB-ve dhe çmimi më i lirë në krahasim me produktet e tjera. “Këto i zhdukin insektet”- i tha BIRN-it një fermer që ka sera për kultivim perimesh të ndryshme. Ai po ashtu pranoi se pesticidet e ndaluara ishte e lehtë të gjenden në çdo farmaci bujqësore dhe shiteshin me emërtime të ndryshme tregëtare ose me paketime nën emrin e një produkti tjetër.

Ndërsa një eksportues i frutave dhe perimeve, i tha BIRN-it në kushtet e anonimatit, se ai besonte se tonelatat e PMB-ve të ndaluara në BE iu shitën shumë lirë ose iu falën trëgëtarëve shqiptarë duke bërë që ato të përdoreshin pa asnjë survejim. Tregtari në fjalë, i cili pranoi se një pjesë e ngarkesave të tij ishin ndaluar në kufirin me BE-në, fajësoi institucionet shtetërore që nuk garantojnë prodhimin e produkteve në standardet e kërkuara nga BE. “Kostoja pastaj bie mbi ne”- u ankua ai.

Përdorimi i PMB-ve në bujqësi është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e tyre nga insektet dhe dëmtuesit e tjerë, por sipas ekspertëve, përdorimi i tyre mbi normat e lejuara krijon rrezikshmëri për shëndetin, kryesisht në grupe të popullatës si fëmijët, gratë shtatëzëna, të sëmurët dhe të moshuarit.

, profesor në departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, shprehet se konsumimi i vazhdueshëm i produkteve me pesticide mbi normat e lejuara krijon efekte afatgjata në organizëm duke prekur sistemin endokrin dhe atë nervor.

“Si rregull një PMB nxirret nga përdorimi kur konstatohet se përveç mbrojtjes së bimës nga insektet ai dëmton dhe organizma të tjerë që mund të jenë dëme në mjedisin përreth apo shëndetin e njerëzve”, tha ai për BIRN-in.

Braushi e sheh si problematike vonesën e reagimit të institucioneve shqiptare në nxjerrjen nga tregu të pesticideve të ndaluara nga BE – duke lejuar përdorimin e tyre dhe për 1-2 pasi janë ndaluar, dhe po ashtu mungesën e kapaciteteve për të analizuar në kohë nivelin e përdorimit të pesticideve në ferma. Sipas tij kjo krijon pasiguri për produktet që konsumojmë në përditshmëri.

Dështimi i monitorimit

red and green oval fruits
Foto ilustruese nga Markus Spiske

Të dhënat e siguruara nga BIRN, nëpërmjet kërkesave për informacion dhe dokumenteve zyrtare, tregojnë se agjencitë shtetërore përgjegjëse për monitorimin e qëndrueshëm të përdorimit të PMB-ve në produktet e tavolinës kanë dështuar, si pasojë e paqartësisë ligjore, neglizhencës dhe mungesës së kapaciteteve.

Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) janë përgjegjës për kryerjen e inspektimeve dhe testimin e mostrave të produkteve që tregtohen, por ato dështuan ta realizonin këtë detyrim ligjor për vite me radhë, duke bërë analiza të pakta në numër, të vonuara në kohë.

Mosbërja e analizave nga ISUV bëri që të dështojnë planet e AKU-së për analizimin dhe kontrollin e cilësisë së pesticideve për vitet 2017, 2018 dhe 2019. Në rastet e pakta që mostrat e marra nga AKU u analizuan, rezultatet e tyre dolën me  6-7 muaj deri në një vit vonesë, kur produktet ushqimore të gjetura me pesticide mbi normën e lejuar ishin shitur tashmë në treg.

Të dhënat e mësipërme u gjetën në dokumentin ‘draft-planveprimi’ për përdorimin e qëndrueshëm të PMB-ve të Ministrisë së Bujqësisë, ku moskthimi në kohë i përgjigjeve së analizave nga ISUV, konsiderohet si problem kryesor i monitorimit të qëndrueshëm në përdorimin e PMB-ve.

“Vonesa në marrjen e përgjigjeve të analizave ose mosmarrja e përgjigjet e analizave nga laboratori ISUV mbetet shqetësuese, pasi zvogëlon efektivitetin e marrjes së masave të duhura në garantimin e sigurisë ushqimore, për të ndjekur gjurmimin nga njësia tregtare ose vendi i grumbullimit, te fermeri prodhues”, shkruhet në dokument.

Ndërkohë i vetmi monitorim në shkallë të gjerë i përdorimit të PMB-ve u krye në vitin 2023, nga fundi i qershorit deri në fund të gushtit, dhe rezultatet treguan se nga 178 kampione të marra në rrënjë në 56 prej tyre kishte gjurmë të lëndëve të ndaluara.

Ministria e Bujqësisë nuk vuri në dispozicion raportin e analizave, por pranoi në një përgjigje me shkrim, se në bimët e analizuara ishin gjetur “12 lëndë vepruese të paregjistruara – 3 nga të cilat lejohen në BE’.

“Nga analiza e bërë lidhur me lëndët vepruese të ndaluara dy prej tyre si Chlorfenapyr dhe Chlorpyrifos mbeten problematikë e vazhdueshme në një qasje rajonale dhe nga vendet e BE-së si Itali dhe Greqi evidentuar edhe në sistemin RASFF dhe në analizat e ISUV”, i tha kjo ministri BIRN-it.

Konsumatorë të pambrojtur

Qytetare duke blere fruta dhe perime. Foto: LSA

AKU i merr mostrat e analizave tek tregtari fundor, pa mundur të gjurmojë fermën ku janë prodhuar, detyrë që ligjet ia ngarkojnë një tjetër agjencie e ngritur me qëllim identifikimin e problemeve të bimëve që në rrënjë.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), e ngritur në vitin 2019 me shtrirje rajonale, nuk arriti të bënte inspektime në ferma si rrjedhojë e paqartësive ligjore dhe i mori kompetencat e inspektoriatit vetëm në shtator 2024, pas daljes së një urdhri të kryeministrit.

“Synimi është fillimi i inspektimeve nga nga ky institucion prej datës 01.03.2025”, tha Ministria e Bujqësisë.

Edhe pse nuk ka pasur funksion inspektues, sipas ministrisë, kjo ka agjenci i është përgjigjur kërkesave të drejtorive rajonale të AKU-së dhe gjatë vitit 2024 ka kryer verifikimin e gjurmueshmërisë për 73 raste me mbetje pesticidesh mbi nivelin e lejuar dhe ka shpërndarë regjistrat e PMB-ve tek mijëra fermerë, një dokument që pritet të ndërgjegjësojë këta të fundit në përdorimin e përgjegjshëm të pesticideve.

Ministria thotë se rezultatet e analizave të kryera dhe monitorimet e kanë nxitur atë të marrë një sërë masash dhe strategjish për të përmirësuar situatën, por për ekspertët situata e përdorimit pa kontroll e PMB-ve në produktet që konsumohen është alarmante dhe institucionet shtetërore nuk po e luajnë rolin e tyre duke e lënë konsumatorin para pasigurisë ushqimore.

Sipas ekspertit të sigurisë mjedisore, Ferdi Brahushi, konsumatorët shqiptarë janë të pambrojtur.

“Duhet ta mbrojnë institucionet, të cilat duhet të kryejnë analizë dhe të monitorojnë produktet me risk potencial të lartë të pesticideve mbi normat e lejuara, siç janë kultivimet me intensitet të lartë në sera, vreshta, ullishte”- i tha ai BIRN-it.

Ai sqaron se a nuk mund të pretendohet që të mos ketë gjurmë të PMB-ve në produkte, madje ato mund të shfaqen edhe pas 2-3 dekadash pas daljes nga përdorimi i tyre, pasi qëndrojnë në tokë e ajër.

“Ajo që duhet pasur parasysh është që PMB-të të mos jenë mbi normat e lejuara”, theksoi Brahushi, duke shtuar se “kur nivelet e tyre janë mbi normë atëherë nëpërmjet ushqimit ose ujit akumulohen në organizmin e njeriut dhe mund të dëmtojnë sistemin endokrin, nervor, apo ndikon në sistemin e riprodhimit, si dhe kanë efekte kancerogjene”.

Për Sokol Abazin situata është më shumë se alarmante dhe papërgjegjshmëria institucionale ka çuar në rrezikimin e jetës së qytetarëve.

“Ka një mungesë kontrolli totale, të produkteve që hamë, të ujit, të ajrit,” thotë ai. “Ky është një genocid ndaj popullsisë”, shtoi Abazi.

Sipas tij, asnjë institucion shtetëror nuk ka kapacitete t’i kontrollojë të gjithë zinxhirin e importit dhe tregtimit të PMB-ve dhe përdorimit të tyre në ferma.

Mungesë kapacitetesh

Sipërfaqja totale e tokës bujqësore e kultivuar me perime, perime sere, agrume, pemishte, ullishte dhe vreshta kalon 66 mijë hektarë në Shqipëri, ndërkohë të dhënat sugjerojnë se ekzistojnë 280 subjekte të licencuara deri në vitin 2020 për importin dhe tregtimin e PMB-vë.

Ekspertët vënë në dukje se problematikat në sektor nuk kanë të bëjnë vetëm me monitorimin e nivelit të PMB-ve, por dhe  kontrollin e importit, tregtimin,  magazinimin dhe asgjësimi i tyre.

Brahushi sugjeron që dispozitat ligjore për nxjerrjen nga përdorimi të një PMB-je, e cila konsiderohet e rrezikshme, duhet të përshtaten me ato të BE-së.

“Duhet të ngushtohet hapësira kohore nga ndalimi i importit nga koha e lejuar për përdorimin e produkteve të ndaluara dhe të detyrohen pikat tregtare për grumbullimin dhe eliminimin e tyre”, thotë ai.

Por, kjo sipas tij, kërkon që të ketë një inventar të hyrjes së pesticideve, një analizë të lëndëve aktive në PMB-të që importohen dhe monitorimin e asgjësimit të tyre.

Vetë Ministria e Bujqësisë pranon se nuk ka kapacitete për eliminimin e PMB-ve të ndaluara duke rrezikuar që ato të qarkullojnë tek fermerët në mënyrë të paligjshme.

Kontrollet e AKU-së konstatuan se në njësitë e tregtimit me pakicë dhe shumicë të PMB-ve, janë konstatuar PMB-të që nuk plotësojnë kërkesat ligjore si: afati i përdorimit të tejkaluar/skaduar ose PMB-të e paregjistruara në Shqipëri, të cilat janë të bllokuara në sasi totale prej 1.3 ton dhe 1271.1 litra, për vitet 2017-2020.

Ndërsa të dhënat e Ministrisë e Bujqësisë, që citohen në “plan-veprimin 2022-2032” tregojnë për mungesë kapacitetesh për asgjësimin e PMB-ve të bllokuara dhe ndaluara për shitje, duke i lënë këto produkte për vite në ambientet e njësive të tregtisë me shumicë dhe pakicë.

Për periudhën 2017-2020, ka pasur rreth 2.5 tonë pesticide të tilla të bllokuara/të ndaluara, ndërsa ministria pranon se “bllokimi i PMB-ve prej vitesh për mosndjekje të procesit të asgjësimit të tyre mbetet një shqetësim serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.”

Ekspertët po ashtu kërkojnë që protokollet e kontrolleve të ndiqen njësoj si për produktet vendase dhe ato që importohen, për të cilat deri tani shteti shqiptar duket se është mjaftuar një certifikatë origjinës së mallit.

“Prania e tyre (Chlorfenapyr dhe Chlorpyrifos) është konstatuar edhe në importet nga Italia dhe Greqia, e cila ka bërë që të ritet kontrolli për importet nga këto dy vende”, pranoi Ministria e Bujqësisë.

Vetëm në vitin 2024 ka pasur 9 raste të produkteve të importit që i janë adresuar sistemit RASFF.