Politika “e gabuar” e Kombëtares
NGA BESNIK DIZDARI
Jo thjesht për titullin, por më tepër për shtjellimin përmbajtësor, ky shkrim m’u duk më i përshtatshëm për vetë natyrën e rolin që bart e përditshmja “Panorama”. Kësisoj, duke synuar që jetën dhe ecurinë e Kombëtares së futbollit të Shqipërisë, të mos e shohim thjesht si “punë sporti”. Vitin e kaluar, saktësisht më 24 maj, ka qenë 60-vjetori i pjesëmarrjes së parë të Shqipërisë në Kupën e Botës, ndryshe “Kampionati Botëror i Futbollit”. Sigurisht, në një farë mënyre, duhej përkujtuar. Mirëpo, ja që aktualiteti, në të gjitha fushat e jetës, shqiptare, jo rrallë e flak tej deri në heshtje të kaluarën. Ndeshja e parë e Kupës së Botës për ne ka qenë ajo me Holandën, në Roterdam më 24 maj 1964.
Asokohe ende ajo nuk ishte Holanda e Ajaksit të famshëm. Ka qenë një humbje 0-2, por që në përmbajtjen e saj të një 90-minutëshi gati të barabartë, tregoi qartë po aq një rritje për Shqipërinë. Madje, shtypi shqiptar mbërrin deri aty saqë shkroi pa mëdyshje se “pjesa e parë e ndeshjes duhej të ishte fituar 3-0 nga skuadra jonë”. Duket si paradoksale, por e vërteta është se skuadra shqiptare u duartrokit fort nga spektatorët holandezë. Kanë qenë 45 minuta të një 0-0 mbresëlënës, ndonëse gjithçka do të ndërronte në 4 minutat e fillimit të pjesë së dytë (48’ e 52’) të dy golave vendimtarë holandezë. I pari me 11- metërsh. Shqipëria bie, por në fund të fundit, gjithçka dukej normale përballë një Holande, e cila sapo kishte fituar 1-0 edhe ndaj Brazilit – Kampion i Botës në fuqi.
Ndërkaq, ajo që më nxit për te tema e këtij shkrimi është fakti se më duhet të pranoj se Kampionati i Shqipërisë prej të cilit lindi ajo Kombëtare debutuese e 60 vjetëve më parë, befasisht kishte pësuar një rritje të pazakontë. Prej tij kishte dalë pra, edhe 11-shi i Shqipërisë i herës së parë për në Kupën e Botës. Të përzgjedhur e të drejtuar nga trajneri Zyber Konçi, ata ishin këta 11 djem, njeri më i talentuar se tjetri, të cilët po i rreshtoj sipas vendosjes taktike: Mikel Janku, Fatbardh Deliallisi, Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Ali Mema, Lin Shllaku, Bahri Ishka, Pavllo Bukoviku, Mehdi Bushati, Panajot Pano, Robert Jashari. Këtu ndalim për pak dhe thuajse rrufeshëm shkojmë te 60 vjet më vonë, që është ndeshja e tashmë Anglia – Shqipëria 2- 0 dhe ajo Shqipëria – Andorra 3-0, të këtij shekulli tjetër që është ky XXI.
Një fillim krejt normal, logjik e shpresëdhënës për vazhdimësi arritjeje, natyrisht pa “thërritur” para kohe se po shkojmë në finalet e Kupës së Botës 2026… Për një çast të duket se nuk do të them diçka të re, por le të ndalojmë pak te kjo Shqipëri 2025 e “Wembley”-t të Londrës. Më saktë, të ndalojmë te kompozicioni, si të thuash, anagrafik, i kësaj Shqipërie që në mënyrën më të bujshme, duke e bashkuar edhe me ndeshjen e Stadiumit të Tiranës “Sir Albania” – nëse e ka ende këtë emër – kjo me Andorrën pra, përbëjnë rastin e vetëm të sotëm botëror në formimin e një Kombëtareje të një shteti. Është vërtet fantastike! Dhe ja
Thomas Strakosha – lindur në Greqi
Ivan Balliu – lindur në Spanjë
Arlind Ajeti – lindur në Zvicër
Berat Djimsiti – lindur në Zvicër
Naser Aliji – lindur në Maqedoni
Kristian Asllani – lindur në Gjermani
Ylber Ramadani – lindur në Gjermani
Adrion Pajaziti – lindur në Angli
Jasir Asani – lindur në Maqedoni
Arbër Hoxha – lindur në Gjermani
Nedim Bajrami – lindur në Zvicër
Armando Broja – lindur në AngliBukur deri këtu. E për hir të së vërtetës, duhet thënë “lindur e rritur në…”. Por nuk mbaron me kaq. Dhe ja si vazhdon:
Nedim Bajrami ka veshur fanellën e plot 6 Kombëtareve të Zvicrës, “15”, “16”, ‘“17” “18”’, “19” e deri në atë të 21-vjeçarëve të këtij shteti. Çka do të thotë se ka luajtur nën flamurin e Zvicrës në plot 49 ndeshje.
Arlind Ajeti ka luajtur nën fanellën e Zvicrës në 5 Kombëtare të saj: “17”, “18”, “19”, “20” e “21”. Në plot 41 ndeshje!
Naser Aiji ka përfaqësuar 5 Kombëtare të Zvicrës: “15”, “16”, “18”, “20” e “21” vjeç në
plot 14 ndeshje.
Jasir Asani ka përfaqësuar Maqedoninë e 21-vjeçarëve në 4 ndeshje.
Adrion Pajaziti zotëron 3 ndeshje me Kosovën e 21-vjeçarëve.
Berat Djimsiti ka luajtur 17 ndeshje me Zvicrën e “18”, “19” e “21” vjeçare.
Ylber Ramadani. 1 ndeshje me Kosovën e 19-vjeçarëve.
Arbër Hoxha përveçse me Kosovën 21-vjeçare, ka luajtur edhe 3 ndeshje me Kombëtaren e parë të Kosovës.
E shihni pra që Shqipëria është një Kombëtare “multinacionale” në Europë. Lojtarët e saj para se të marrin pasaportën e Shqipërisë, autentikisht kanë marrë atë të shteteve të tjera të Europës. Janë lojtarë fort të mirë, të cilët përveç të tjerave, luajnë me klube profesioniste të shteteve të Europës, disa madje me klube me emër vërtet të madh të Italisë, Spanjës, Turqisë, Kroacisë, Çekisë, e deri të Anglisë. Kurrë nuk na e kishte marrë mendja se do të mbërrinim deri këtu! E ne, “konservatorët” e historisë së Kombëtares, të cilët guxojmë e themi pa ngurrim se edhe lojtarët e Shqipërisë së parë në Kampionatin Botëror të vitit 1964 kanë qenë po ashtu, lojtarë fort të mirë. Më saktë, Janku, Deliallisi, Halili, Frashëri, A.Mema, Shllaku, Ishka, Bukoviku, Bushati, Pano e Jashari për ata që i përjetuan, kanë qenë futbollistë krejt të nivelit europian. Aspak më poshtë se këta të sotmit, sidomos me në krye Halilin, Shllakun e Panon. Dhe vetëm kushtet e rëna të Shqipërisë së asokohe i pengonin të shpërthenin në Europë.
E, nëse ata do shkonin e të luanin jashtë, të jeni të sigurt që do të mbërrinin po këto klube të të sotmëve. E pra, a vërtet duhet të guxojmë të flasim për një politikë “të gabuar” të Kombëtares së sotme të Shqipërisë? Them se po, natyrisht duke e zvogëluar paksa falë thonjëzave të fjalës “gabuar”. E vërteta është se me këtë politikë, që mbas bukur nja 10 vjetëve po guxoj ta quaj “të gabuar”, Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur dy suksese të nivelit më të lartë të Europës. Ajo shkoi në dy turne finalë të Kampionatit të Europës (2016 dhe 2024). Përveç talenteve europianë të saj, të lindur, të rritur e të formuar prej shteteve të tjerë, kjo ka të bëjë edhe me kohën e re që mbërriti. Kushte ideale, përfitime të këndshme, të ardhura gjithnjë në rritje e plot të tjera, çka ata, debutuesit e sipërpërmendur të vitit 1964, as që mund t’i shkonin nëpër mend. Politika e futbollit, pra, edhe e Kombëtares së asokohe, mbështillej prej një kostumi klasik të amatorizmit, që do të thotë atij të futbollit amator, jo këtij profesionist si sot. Ndonëse talentet brenda tokës shqiptare ishin të pambarim. Dhe ndeshjet edhe pse në përgjithësi humbëse, prapë se prapë, shumë prej tyre ishin të nivelit të lartë europian. Duke qëndruar vetëm te ndeshjet e Kupës së Botës, po kujtoj këto:
1965: Shqipëria – Irlanda V. 1-1, 1984: Polonia – Shqipëria 2-2, Shqipëria – Belgjika 2-0, 1985: Shqipëria – Greqia 1-1, 1997: Shqipëria – Gjermania 2-3, Shqipëria – Irlanda V. 1-0, Gjermania – Shqipëria 4-3, 2000: Shqipëria – Greqia 2-0, 2001: Gjermania – Shqipëria 2-1, 2004: Shqipëria – Greqia 2-1, 2005: Ukraina – Shqipëria 2-2, 2008: Shqipëria – Suedia 0-0, Portugalia – Shqipëria 0-0, 2013: Norvegjia – Shqipëria 0-1.
Dhe pavarësisht nga rezultati, edhe përballë të mëdhenjve të tillë si Polonia, Belgjika, Portugalia, Norvegjia e deri te dramat e bujshme me Gjermaninë botërore, Kombëtarja e ndeshjeve të mësipërme ka qenë një Shqipëri e përbërë tanësisht nga djem të lindur, të rritur e të formuar nga Kampionati Kombëtar i Shqipërisë. Përjashto tri a katër ndeshje kur me në krye Hasin nisin e duken në ndonjë ndeshje të mësipërme, dy apo tre lojtarë shqiptarë të Kosovës, të cilët vinin nga shtetet e tjera të Europës. Shpërthimi si ky i sotmi, ku 99 për qind e lojtarëve kanë lindur, janë rritur e janë formuar në shtete të tjera, vjen e bëhet një dukuri e plotë vetëm andej kah mbas vitit 2010–2011. Ka qenë pra një Shqipëri e përbërë tanësisht nga djem të rritur e formuar nga Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, përjashto tri a katër prej këtyre ndeshjeve kur me në krye Besnik Hasin pra, nisin e duken dy apo tre lojtarë që vinin nga shtetet e tjera të Europës. Çka tregon kjo strategji “kombëtare”, e po deshe quaje “globale? Tregon se është goditur keqas futbolli i tokës së Republikës së Shqipërisë, Kampionati i saj Kombëtar, djemtë e futbollit kombëtar të saj.
Më rreptë, kjo tregon se hap mbas hapi po u bëhet vizë talenteve brendashqiptare, të cilët kurrë nuk kanë munguar. Duke mbërritur si në këto dy ndeshje të fundit ku “i Shqipërisë” ishte vetëm Uzuni! Ndërkaq, autori i këtushëm, po kujton me qartësi absolute, se kur Kosova ende ishte e varun nga Jugosllavia, pra kur ende ajo nuk e kishte Kombëtaren e saj, ka qenë i pari që shkroi me të madhe se mund të thirren për Shqipërinë talente prej shqiptarëve të Kosovës. Pa harruar se po ky autor, nga ana tjetër, ka qenë po i pari që më mbas, ka parashikuar se Kosova shpejt do të kishte Kombëtaren e saj. Duke shkuar madje edhe më tej, kur i famshmi Michel Platini si president i UEFA-s, po pengonte njohjen e Kombëtares së Kosovës, teksa ai erdhi në Tiranë, i shkroi dhe i dorëzoi atij një letër të hapur argumentuese e thirrëse për njohjen e Kombëtares së Kosovës, e botuar madje edhe në shtyp. Nuk i quaj meritë këto. I quaj thjesht ushtrim me ndërgjegje të lartë të profesionit të gazetarit, përveç të tjerave, edhe si mbështetës i spikatun i Kosovës, siç kam qenë përherë. Përrallat e ndokujt se si anëtar i jurisë, duke votuar në vendin e dhjetë të “Topit të Artë” të “France Football” futbollistin e madh të Zvicrës, shqiptarin Granit Xhaka, paskam devijuar nga atdhetaria, mbeten përralla.
Çudia këtu nuk qëndron te votimi im i Xhakës në vendin e dhjetë, por është kjo e dyta, që na thotë se anëtari i jurisë nga Zvicra, kolegu Daniel Visentini, nuk e votoi Granitin aspak në dhjetëshen e tij! Ndonëse e kishte titullarë të shkëlqyeshëm të Kombëtares së Zvicrës së tij! E, mandej çudia e tretë: përse për këtë injorim nuk kundërshtoi sado pak asnjeri prej “atdhetarëve” tanë të nderuar… Tjetër temë kjo, megjithatë, ndonëse paksa, gjithsesi ajo hyn në problematikën e këtij shkrimi. çka vetvetiu na kujton ndryshimin e madh midis atdhetarisë së vërtetë dhe pseudoatdhetarisë. Tash, për mbyllje po shkoj edhe më tej. Në të 40 lojtarët e Shqipërisë që janë aktivizuar në ndeshjet e trajnerit Sylvinho, nga futbolli brendashqiptar, siç po krijohet këtu ky “neologjizëm”, janë vetëm katër: Uzuni, Çikalleshi, Sadiku, Muçi! Po të doni po i bëj 5, duke përfshirë edhe Hysjan, i cili deri 15 vjeç nisi ta mësojë futbollin në Shkodër. Vetëm 5 lojtarë në 40! Ndoshta ky është një titull më kuptimplotë se ai që i kam vënë këtij shkrimi. Tematika në fjalë mund të vazhdojë në shkrime të tjera, te “Shqipëritë e tjera”, ato të “17”, “19” e “21”-vjeçarëve, ku gabimi po aq nuk ndal. Kjo është vërtet një temë universale e politikës së Kombëtares së Shqipërisë, pse jo, e politikës së krejt sportit shqiptar.
/Gazeta Panorama