Sun, Mar 30, 2025

Shqipëria, në fushatë elektorale për riciklime, jo për ndryshim

  • PublishedMarch 27, 2025

Shqipëria, në fushatë elektorale për riciklime, jo për ndryshim

NGA JANI NANO

Në vendin tonë, në Shqipërinë tonë, fushatat elektorale nuk janë epoka të shpresës, por rituale të përsëritjes. Ato janë si një teatër i mbingarkuar me personazhe të njohur, që rikthehen në skenë me të njëjtat maska, të njëjtat fjalë, të njëjtat premtime të zbrazëta, duke shitur për ndryshim atë që është thelbësisht riciklim. Shqipëria hyn në fushatë jo si një vend që kërkon të ringrihet (sepse fjalët e madha janë përdhosur), por si një vend që pranon të rrotullojë po të njëjtët gurë të vjetër në një mulli të vjetër, duke bërë sikur bluan miell të ri. Nga një palë zgjedhje në të tjerat, populli shqiptar ngjitet në malin e Sisifit politik, me shpresën e kotë se këtë herë do të arrijë majën. Por çdo herë, guri i premtimeve rrokulliset sërish poshtë dhe populli detyrohet të nisë ngjitjen nga e para.

Nuk është thjesht lodhje, por një formë e thellë dëshpërimi kolektiv, një lodhje shpirtërore, që e ka shndërruar votën nga akt sovraniteti në akt dorëheqjeje nga përgjegjësitë qytetare. Partitë politike, të vjetra dhe të reja, e shohin këtë dëshpërim jo si një thirrje për ndërgjegjësim, por si një oportunitet për ta manipuluar më mirë. Prandaj, në vend që të lindin ide të reja, lindin fasada të reja. Në vend që të ftohen njerëz të rinj në mendim dhe në shpirt, ftohen të njëjtët, të lodhur, të harlisur në dëshirën për pushtet, të stolisur rishtas me kostume të qepura nga marketingu politik. Ata që dje ishin në pushtet dhe e dogjën shpresën, sot kthehen si opozitarë të sistemit që vetë ndërtuan. Ata që dje ishin opozitë që mallkonte, sot janë kandidatë që kërkojnë të shiten si engjëj të rinisë dhe së nesërmes.

Emrat ndërruar, por fryma njësoj. Ide të vjetra, të rraskapitura, të ricikluara, të rivendosura në raftet e propagandës si produkte të reja me ambalazh modern. Në këtë fushatë, fjalët më të përdorura janë “ndryshim”, “shpresë”, “besim”, “brez i ri”, “vizion”, por kuptimet e tyre janë zhbërë. Ato nuk janë më fjalë që nxisin vetëdije, por mjete për të mashtruar një popull që dëshiron të besojë, edhe kur e di se po gënjehet. Dhe ndoshta kjo është plagosja më e rëndë e këtij vendi: jo varfëria, jo ikja, jo korrupsioni, por normalizimi i mashtrimit dhe dështimit si mënyrë jetese. Kështu, Shqipëria është sërish në fushatë. Jo për ndryshim, por për të gjetur mënyra të reja për të mbajtur të pandryshuar thelbin e vjetër.

Është një fushatë për të pastruar imazhet e lodhura, jo për të ndërtuar al ternativa të vërteta. Është një konkurs grimi, jo një garë idesh. Është një riciklim i dëshpërimit, jo një zgjim i vetëdijes. Dhe në këtë fushatë, nuk mungojnë vetëm figurat e reja. Mungon shpirti. Mungon gjuha e vërtetë. Mungon pasioni për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo dhemb. Mungon guximi për të shkuar kundër rrymës së interesave, për të sfiduar verbërinë kolektive, për të vënë gishtin mbi plagën dhe për të thirrur popullin jo vetëm në votim, por në vetëdije, sepse votimi pa vetëdije është një rit pa shpirt. Dhe çdo fushatë që ushqehet me riciklime është një fushatë që thellon gropën e mosbesimit.

Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë fushata. Ka nevojë për një zgjim. Një zgjim që nuk prodhohet nga marketingu, por nga dhimbja. Një zgjim që nuk shpallet me slogane, por lind në heshtje, në shpirtra të pastër, në zemra që nuk pranojnë më të tradhtohen. Deri atëherë, çdo fushatë do të jetë si një dasmë e trishtë, ku të gjithë shtiren të gëzuar, ndërsa të gjithë e dinë se dhëndri është po ai i vjetri, thjesht me një emër të ri. Por kur të vijë ai zgjim, nuk do të ketë më nevojë për fushatë, sepse ndryshimi i vërtetë nuk bëhet me fushata, Bëhet me kthesë. Bëhet me vetëdije. Bëhet me burrëri dhe me guxim./Gazeta Panorama