Të kuptojmë Kinën përmes “Dy Sesioneve”
NGA SH. S. ZNJ. PANG CHUNXUE
Pranvera vjen dhe gjithçka është rinovuar. Para disa ditësh, Sesioni i 3-të i Asamblesë së 14-të Popullore Kombëtare dhe Sesioni i 3-të i Komitetit të 14-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (të njohur edhe si “Dy Sesionet”) u mbyllën me sukses në Pekin. Dy Sesionet e Kinës janë dritare të rëndësishme për botën, për të vëzhguar dhe kuptuar Kinën. Dua të ndaj disa mendime të miat me miqtë shqiptarë, nëpërmjet disa fjalëve kyçe.
KRYEFJALA E PARË: RRUGA KINEZE DREJT MODERNIZIMIT
Prodhimi i Brendshëm Bruto i Kinës përbën rreth 18% të botës dhe vlera e shtuar e prodhimit përbën rreth 30% të botës, duke vazhduar të kontribuojë rreth 30% në rritjen ekonomike botërore për shumë vite me radhë. Gjatë Dy Sesioneve, modernizimi kinez u bë përsëri një temë e nxehtë në opinionin publik ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar pritet të shohë arritje të reja të modernizimit kinez, të përdorë masa të reja për të promovuar modernizimin kinez dhe të shfrytëzojë mundësi të reja që sjell modernizimi kinez. Modernizimi kinez do të çohet përpara përmes bashkëpunimit të hapur, duke i sjellë përfitime botës. Shuma e synuar e transaksionit të Ekspozitës së 7-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës tejkaloi 80 miliardë dollarë në një vit, gjë e cila tregon se tërheqja e tregut super të madh kinez vazhdon të rritet. Përmes ndërtimit të përbashkët të Iniciativës “Një Brez, Një Rrugë”, Kazakistani ka një kanal të hyrjes në det për herë të parë dhe Laosi ka një hekurudhë moderne për herë të parë. Modernizimi kinez është një rrugë e sigurt për ndërtimin e një vendi të fortë dhe përtëritjen kombëtare dhe gjithashtu është një rrugë e duhur për përparimin njerëzor dhe harmoninë botërore. Modernizimi kinez i përket edhe Kinës edhe botës.
KRYEFJALA E DYTË: DEMOKRACIA POPULLORE E GJITHË PROCESIT
Demokracia popullore e gjithë procesit integron zgjedhjet demokratike, konsultimin demokratik, vendimmarrjen demokratike, menaxhimin demokratik dhe mbikëqyrjen demokratike. Në çdo hap dhe në çdo aspekt të jetës politike dhe shoqërore të vendit mund të pasqyrohet vullneti i popullit dhe të dëgjohet zëri i tyre. Dy Sesionet janë praktikë e gjallë e demokracisë popullore e gjithë procesit. Sivjet, më shumë se 3,000 deputetë të Asamblesë Popullore Kombëtare dhe mbi 2,000 anëtarë të Konferencës Konsultative Politike të popullit kinez nga të gjitha rajonet, grupet etnike dhe qarqet në të gjithë vendin, morën pjesë në Dy Sesionet dhe sollën zërin e popullit në platformën më të lartë të vendimmarrjes. Për shembull, studentët nga Shkolla e Mesme e Universitetit të Shkencave Politike dhe Ligjit të Kinës Lindore propozuan ndryshime për Ligjin për Mbrojtjen e të Miturve. Sugjerimet e tyre i kaluan Komisionit të Çështjeve Legjislative të Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor Kombëtar, përmes zyrës lokale të kontaktit legjislativ dhe u miratuan, duke u bërë përmbajtje e ligjit kombëtar. Ambasadori i Zimbabvesë në Kinë, Sh. T. Z. Shoniwa u shpreh se deputetët dhe anëtarët e Dy Sesioneve vijnë nga të gjitha qarqet e shoqërisë së Kinës dhe se ata përfaqësojnë vullnetin dhe dëshirat e më shumë se 1.4 miliardë kinezëve. Demokracia popullore e gjithë procesit është një kontribut i ri në qytetërimin politik njerëzor.
KRYEFJALA E TRETË: ZHVILLIMI ME CILËSI TË LARTË
Vitin e kaluar, duke u përballur me situatën komplekse dhe të rëndë, me presion të madh të jashtëm dhe vështirësi të brendshme, Kina përfundoi me sukses synimet dhe detyrat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe social për të gjithë vitin. Prodhimi i Brendshëm Bruto kaloi 130 trilionë juanë për herë të parë dhe u rendit ndër ekonomitë kryesore të botës me ritmin e rritjes ekonomike më të shpejtë, atë prej 5%. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina vazhdon të ankorojë objektivin e rritjes ekonomike prej rreth 5% këtë vit, gjë që jo vetëm pasqyron besimin dhe vendosmërinë për të promovuar zhvillim me cilësi të lartë, por gjithashtu tregon mendjen dhe përgjegjësinë për të fuqizuar ekonominë botërore dhe për të krijuar mundësi zhvillimi. Kohët e fundit, raportet nga organizatat ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Grupi Goldman Sachs dhe Union Bank i Zvicrës kanë rritur pritshmëritë e tyre për rritjen ekonomike të Kinës këtë vit, përmes analizave të thella të potencialit ekonomik të Kinës. Përmes objektivit të pritshëm të rritjes së PBB-së prej rreth 5%, komuniteti ndërkombëtar e trajton Kinën si motorin kryesor të rritjes ekonomike botërore.
KRYEFJALA E KATËRT: TRI INICIATIVAT
Prej vitit 2021, Presidenti Xi Jinping ka propozuar Iniciativën e Zhvillimit Global, Iniciativën e Sigurisë Globale dhe Iniciativën e Qytetërimit Global, duke kontribuar mençurinë dhe forcën kineze për të përballuar sfidat e pafundme globale, duke injektuar stabilitet të çmuar dhe energji pozitive në botën e kaosit, si dhe duke pasur një rëndësi të thellë bashkëkohore.
Më 7 mars të këtij viti, Z. Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe ministër i Jashtëm, kur iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve kinezë dhe të huaj mbi politikën dhe marrëdhëniet e jashtme të Kinës, shtjelloi rëndësinë botërore dhe zhvillimin e Tri Iniciativave. Në zbatimin e Iniciativës së Zhvillimit Global, më shumë se 80 vende kanë marrë pjesë në Grupin e Miqve të Iniciativës së Zhvillimit Global dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka themeluar një grup pune për promovimin e Iniciativës. Në zbatimin e Iniciativës së Sigurisë Globale, Kina ka botuar “Letër Konceptin e Iniciativës së Sigurisë Globale”, ku ka kërkuar zgjidhje politike për çështjet e nxehta, duke promovuar aktivisht dialogun për paqen mbi krizën ukrainase, konfliktin izraelito-palestinez dhe çështjen afgane dhe ka ndihmuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit, dhe pajtimin e fraksioneve të ndryshme palestineze. Në zbatimin e Iniciativës së Qytetërimit Global, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 10 qershorin si Ditën Ndërkombëtare për Dialogun e Qytetërimeve dhe Kina ka themeluar dhe ka marrë pjesë në një sërë mekanizmash si Forumi i Qytetërimeve të Lashta dhe Konferenca për Dialogun e Qytetërimeve Aziatike dhe ka zhvilluar dhjetëra festivale kulturore dhe turistike me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore dhe Greqinë. Gjatë vitit të kaluar, marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë kanë ruajtur një vrull të mirë zhvillimi. Liderët e dy vendeve shkëmbyen mesazhe urimi për të festuar së bashku 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 1.162 miliardë dollarë me një rritje prej 4.17% nga viti në vit dhe Kina është bërë partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë. Prej nënshkrimit të Marrëveshjes për Përjashtimin e Vizave dhe Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Turistik midis Kinës dhe Shqipërisë, shkëmbimet e personelit midis dy vendeve janë bërë më të shpeshta. Duke qëndruar në një pikënisje të re së bashku me Shqipërinë, Kina është e gatshme të trashëgojë miqësinë tradicionale, të zgjerojë bashkëpunimin pragmatik dhe të forcojë shkëmbimet kulturore, për të promovuar marrëdhëniet kino-shqiptare në më të mirën e dy vendeve dhe popujve tanë.
Autorja: Ambasadore e Kinës në Shqipëri
Shkrimi posaçërisht për gazetën “Panorama”