Tue, Apr 1, 2025

U larguan pas urdhrit të Trump, amerikanët rikthehen zyrtarisht në SPAK, do të asistojnë në hetime! Konfirmohet mbështetja edhe nga Presidenti i SHBA për reformën në drejtësi

  • PublishedMarch 27, 2025

U larguan pas urdhrit të Trump, amerikanët rikthehen zyrtarisht në SPAK, do të asistojnë në hetime! Konfirmohet mbështetja edhe nga Presidenti i SHBA për reformën në drejtësi

Përfaqësues amerikanë të OPDAT janë rikthyer sërish dje në Prokurorinë e Posaçme SPAK dhe në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Përfaqësuesit e SHBAve janë parë në ambientet e dy institucioneve të drejtësisë. Roli i përfaqësuesve amerikanë është që të asistojnë në hetimet e SPAK. Kujtojmë që ekspertët amerikanë u larguan në fillim të muajit shkurt pas urdhrit ekzekutiv të firmosur nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Ekspertët janë rikthyer tani për të vazhduar mbështetjen dhe asistencën e nevojshme për SPAK, një strukturë e krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Që nga krijimi i saj, SPAK ka përfituar mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë kontribuar nëpërmjet disa misioneve, si OPDAT (Oficeri i Ndihmës për Trajnimin dhe Asistencën në Prokurori), ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Trajnimit për Çështje të Krimit), DEA (Agjencia për Luftën kundër Drogës) dhe FBI (Byroja Federale e Hetimeve).

Kjo mbështetje ka qenë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përfshirja e OPDAT me ekspertizë ligjore në Shqipëri ka qenë e zgjeruar, duke përfshirë institucionet e drejtësisë, sidomos strukturat e posaçme, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Urdhri i Trump për pezullimin e fondeve të huaja nuk preku vetëm institucionet e reja të drejtësisë, por edhe ministritë, Kuvendin e bashkitë.

Presidenti Trump i cilësoi shumë prej shpenzimeve për programet për vendet e tjera si shpërdorim të taksave të amerikanëve, ndërsa urdhëroi një kontroll të imtësishëm se si shpenzohen këto fonde nga vendet e huaja. Pas kontrollit 6-javor, ishte Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ai që njoftoi mbylljen e 83% të programeve të ofruara nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në të gjithë botën, por pa dhënë detaje se cilat vendet prekeshin.

Ndërkhë, edhe vetë Kryeministri Edi Rama në disa dalje publike tha se amerikanët janë larguar nga institucionet e posaçme. Por, dje ata janë rikthyer në institucionet e reja të drejtësisë shqiptare, SPAK e GJKKO, për të vijuar asistencën e tyre në kryerjen e hetimeve të korrupsionit në nivele të larta, por edhe të krimit të organizuar e veprave të tjera kriminale. Mbështetja amerikane për Prokurorinë e Posaçme nuk është financiare, pasi struktura financohet nga buxheti i shtetit, por konsiston me infrastrukturë konkrete, logjistikë, trajnime e vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe në sistemin e menaxhimit të çështjeve.

Rikthimi në SPAK dhe GJKKO i ekspertëve të OPDAT i jap rrugë edhe agjencive të tjera amerikane si ICITAP, DEA e FBI. Ndërprerja e përkohshme e bashkëpunimit erdhi pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit amerikan, për pezullim të fondeve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, përmes të gjitha agjencive të saj, sidomos USAID, me qëllim rishikimin dhe rishpërndarjen me transparencë. Tashmë DASH dhe departamenti i efiçencës janë në fazën përmbyllëse të përcaktimit të projekteve për të cilat ndërpritet përfundimisht financimi ose do të vijojë dhe mesa duket mbështetja për reformën në drejtësi në Shqipëri nuk do të preket.

Para disa muajsh kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, zhvilloi një vizitë të suksesshme në DASH duke marrë mbështetje për vijimësinë e punës së tij për goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit deri në nivelet e larta të qeverisjes.

/Gazeta Panorama