Balluku synon të ndërtojë fabrikë armësh në ish-Uzinën e Autotraktorëve, PD: Po i rrëmbehet prona Bashkisë, të mblidhet urgjent Këshilli Bashkiak
Me firmën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, qeveria miratoi më 12 mars 2025 një vendim që i kalon shoqërisë shtetërore KAYO pronësinë e godinave të ish-Uzinës së Autotraktorëve, të cilat ndodhen në zonën e Shkozës.
Qeveria ka revokuar të drejtën e pronësisë, të cilën vetë e kishte dhënë më parë me një vendim të mëparshëm, për Bashkinë e Tiranës.
Pas këtij vendimi të Belinda Ballukut, ka reaguar opozita. Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se po rrëmbejnë kompetencat vendore.
Alimehmeti kërkon mbledhjen me urgjencë të këshillit bashkiak të Tiranës “për të trajtuar menjeherë dhe me prioritet çështjen e këtij rrëmbimi të pronës në Njësinë Administrative nr. 1 dhe të dënojë publikisht kapjen e pushtetit vendor nga Kryeministri dhe Qeveria”.
“Për qëllime ushtarake, ka mjaftueshëm objekte dhe terrene që mund të përdoren e që ndodhen në zona më të përshtatshme po brenda territorit të Bashkisë Tiranë”, tha Alimehmeti.
Deklarata e Alimehmetit
Në vazhdimësi të kapjes së pushtetit vendor, Kryeministri vendosi me VKM revokimin e së drejtës së pronësisë së Bashkisë Tiranë dhe transferimin e pronësisë të pasurive të saj në Njësinë Administrative nr. 1, zonë e njohur si “Ish-uzina e automjeteve/autotraktorëve”.
Kjo pronësi i është kaluar Bashkisë Tiranë me VKM 219, më 21 mars 2017, tetë vjet më parë për përdorim për realizimin e programeve arsimore dhe për realizimin e veprimtarive social-kulturore e sportive.
Çfarë bëri Bashkia Tiranë këto 8 vite? Asgjë?
Tani, me një akt të dënueshëm rrëmbimi të kompetencave vendore, qeveria vendos marrjen e pronës së Bashkisë Tiranë dhe kalimin e saj në funksion të Ministrisë së Mbrojtjes me qëllim ndërtimin e fabrikave të prodhimit të armëve dhe municioneve.
Bazuar mbi ligjin e “Vetëqeverisjes Vendore” të vitit 2015, të miratuar nga vetë qeveria Rama, i vetmi organ që mund të trajtojë pronat në pronësi të Bashkisë Tiranë është Këshilli Bashkiak.
Për këtë arsye Partia Demokratike i kërkon Këshillit Bashkiak të Tiranës të trajtojë menjeherë dhe me prioritet këtë çështjen e këtij rrëmbimi të pronës në Njësinë Administrative nr. 1 dhe të dënojë publikisht kapjen e pushtetit vendor nga Kryeministri dhe Qeveria.
Për qëllime ushtarake, ka mjaftueshëm objekte dhe terrene që mund të përdoren e që ndodhen në zona më të përshtatshme po brenda territorit të Bashkisë Tiranë.
Por pranë njerëzve dhe në zonat e banuara është e nevojshme të ndërtojmë çerdhe, kopshte, shkolla, objekte sociale dhe fusha sportive në mbështetje të tyre dhe familjeve të tyre.