Mon, Mar 31, 2025

“Vaje” për gruan që e humbi, tronditja e Andon Zako Çajupit! Me Evgjeninë u njoh në Gjenevë, por ajo vdiq pas një viti martese duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin

  • PublishedMarch 28, 2025

“Vaje” për gruan që e humbi, tronditja e Andon Zako Çajupit! Me Evgjeninë u njoh në Gjenevë, por ajo vdiq pas një viti martese duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin

Ai ka lënë pas ndër veprat më të shquara të letërsisë shqiptare që sot e kësaj dite lexohen nga adhuruesit e letërsisë. Ndër këta vepra është edhe poezia “Elegji në pleqëri për të shkretën djalëri”, poezi kjo që për një kohë të gjatë, që nga regjimi komunist, ka qenë e ndaluar të lexohej dhe të publikohej.

Kjo për arsye se në këtë poezi, Çajupi ka thurur vargje rreth jetës së tij seksuale dhe mendësisë së tij për seksin në përgjithësi gjë që e veçon këtë poezi të Çajupit nga poezitë e tjera erotike shqiptare. Më 27 mars të vitit 1866 lindi dramaturgu dhe atdhetari Andon Zako Çajupi. Pas shkollimit bazë, do ta linte Zagorinë për t’iu bashkuar të atit, Harito Çakos, veprimtar në lëvizjen atdhetare. Atje do të ndiqte një kolegj francez, prej të cilit kultivoi njohuri të larmishme. I pajisur me botëkuptim europian, do t’i drejtohej Gjenevës, ku në vjetët 1887-1893, kreu studimet për drejtësi. Më tej, u vendos në Kajro dhe nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Do të hiqte dorë nga kjo detyrë për t’iu përkushtuar lëvizjes patriotike të shqiptarëve të ngulimeve të Egjiptit.

U bë figurë protagoniste e shoqërisë atdhetare e kulturore të atjeshme, përmes përpjekjeve për të siguruar mbrojtjen e interesave të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar. Përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) që përfshin edhe komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”, veçohet si vepra e tij kryesore. Botoi “Përrallat e La Fontenit” (1921) përshtatur prej tij në shqip, “Lulet e Hindit” (1922), një sërë vjershash të letërsisë sanskrishte. Pena e tij u vlerësua edhe në rrafshin e publicistikës të kohës, sidomos me pamfletin “Klubi i Selanikut” (1909). Ndërkaq, la në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, si poemën “Baba Musa lakuriq”, tragjedinë “Burri i dheut” dhe komedinë “Pas vdekjes”. Çajupi ndërroi jetë në Kajro, më 11 korrik 1930.

VEPRIMTARI

U lind në Sheper të Zagorisë, i biri i Harito Zakos, një tregtari duhani, i cili punonte në Kavallë dhe Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar Çajupi marrë nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë, mori mësimet fillore në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi për pesë vjet ne liceun francez “Sainte Catherine des Lazaristes”. I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekur një kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës Zoicës, dhe të gurëve e maleve të Zagorisë. Në kolegj mori një kulturë të mirë dhe u dallua ndër të parët midis shumë nxënësve të kësaj shkolle që vinin nga vende të ndryshme të Mesdheut. Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887- 1893 në Gjenevë, ku studioi për drejtësi. Këtu u njoh me një vajzë vendase Evgjeninë, e cila e bëri të lumtur, por dhe fatkeq, sepse i vdiq pas një vit martese, duke lënë jetim të birin e porsalindur, Stefanin. Kjo humbje e tronditi thellë poetin dhe i la vragë të thellë.

Ajo u bë shkak që, pas dhjetë vjetësh, të shkruante elegjinë “Vaje”, një nga elegjitë më të bukura dhe më prekëse të poezisë sonë. Më 1883 me dokumentin e drejtësisë në xhep dhe me djalin në krahë u kthye në Misir dhe u vendos në Kajro, ku nisi të ushtronte profesionin e avokatit. Po prej këtij profesioni hoqi dorë shpejt. Shkak u bë një konflikt me autoritetet e vendit gjatë një procesi gjyqësor ku avokati i ri mbrojti të drejtën dhe nuk u lëshoi pe pushtetmbajtësve. Jetoi me pasurinë që i kishte lënë i ati, dhe iu kushtua tërësisht çështjes atdhetare dhe krijimtarisë letrare. Çajupi gjeti në Misir një lëvizje patriotike të zhvilluar. Shqiptarët e ngulimeve të Egjiptit kishin organizuar një shoqëri atdhetare e kulturore dhe mbanin lidhje sidomos me “Shoqërinë e Stambollit”. Por këtë lëvizje u munduan ta kthenin në anën e tyre disa rrethe grekomanësh, të cilët intrigoni kundër patriotëve të vërtetë dhe kundër Çajupit.

Ai u bë shpirti dhe figura më e njohur e kolonisë patriotike të Misirit, Çajupi mbrojti interesat e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, demaskoi synimet e xhonturqve, të grekomanëve dhe të gjithë armiqve të tjerë të çështjes së kombëtare. Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë “Duke kërkuar një alfabet”, në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar. Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) ku përfshiu komedinë “katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”. Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900.

STUDIMET

Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avokatë të huaj, që e ndikuan të vazhdonte studimet për jurisprudencë, në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vjet në këtë disiplinë. Atje takoi bashkëshorten e tij të ardhshme, Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin. Vdekja e Eugjenisë në vitin 1892, ishte për të humbje tragjike. U kthye në Egjipt ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare, duke u bërë një ndër figurat qendrore të kolonisë shqiptare në atë vend. Në Kajro, ku u vendos për gjithnjë, punoi për një farë kohe si avokat. Karriera juridike mori fund për shkak të një gabimi strategjik që bëri duke mbrojtur një shoqëri franceze kundër interesave të princit të Egjiptit, më pas iu përkushtua letërsisë. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adoptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe.

Më 1909 botoi shkrimin e njohur “Klubi i Selanikut”, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare. Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Qe frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.

VEPRA

Shkrimi i parë që njihet është artikulli “Duke kërkuar një alfabet”, botuar në revistën “Shqipëria” në Bukuresht. Pothuajse në të njëjtën kohë me veprimtarinë atdhetare, Çajupi nisi punën letrare. Më 1902 botoi librin “Baba Tomorri”, një nga veprat më të shquara të letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Me këtë përmbledhje që dallohet nga fryma luftarake patriotike, demokratike dhe fryma popullore në brendi dhe në formë, Çajupi solli një ndihmesë të çmuar në pasurimin e letërsisë kombëtare. Në pjesën e parë dhe të dytë të librit janë vendosur me radhë vjershat patriotike dhe ato me temë dashurie; vjershat me karakter shoqëror dhe fabulat e shqipëruara janë përfshirë në pjesën e tretë të librit, që përmbyllet me komedinë e njohur “Përrallë nga e kaluara”. Vjersha e gjatë “Baba Tomori”, me të cilën hapet përmbledhja, është një grishje e zjarrtë drejtuar bashkatdhetarëve që të zgjohen dhe të përpiqen për atdheun e robëruar. Patriotizmi i flaktë shquan edhe një varg krijimesh të tjera poetike, si “Mëmëdheu”, “Ç’jemi? … Ku kemi lerë?”, “Vaj” etj, në të cilat vihet re brenga e poetit tek shihte që lëvizja nuk kishte marrë ende vrullin që ai dëshironte. Në një varg poezish kumbon me forcë thirrja për të rrëmbyer armët kundër robërisë shekullore të huaj (Besa-besën, shqiptar, Atdheu dhe dashuria etj.).

Dashuria e flaktë për atdheun është shkrirë në poezitë e Çajupi me urrejtjen e papërmbajtur ndaj armiqve të Shqipërisë, të cilët fshikullohen me forcë të veçantë satirike, si në vjershat “Sulltani”, “Punërat e Perëndisë”, “Greku dhe Shqiptari”. Në një sërë vjershash poeti flet për plagët shoqërore të fshatit shqiptar (Fshati im, Kurbeti, Fyelli i bariut etj.,. i këndoi dashurisë si ndjenjë njerëzore e natyrshme. Pikëpamjet demokratike të Çajupi gjetën shprehje në një varg vjershash ku goditet shtypja dhe pabarazia shoqërore, ngrihet lart e me dinjitet jeta e lirë (Misiri, Varfëria dhe liria). Rreth viteve 1903-1905 Çajupi përfundoi poemën “Krejt Hajvan”, që mbeti si dorëshkrim. Në këtë vepër që zë një vend të rëndësishëm jo vetëm në krijimtarinë e poetit, por edhe në gjithë letërsinë demokratike, poeti parodizoi Biblën dhe në të njëjtën kohë, nëpërmjet legjendave biblike, trajtoi një varg problemesh të mprehta politike të kohës, goditi moralin hipokrit dhe një varg shfaqjesh negative të shoqërisë me klasa. Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: Përralle nga e kaluara dhe Pas vdekjes (shkruar më 1910, botuar më 1937), me të cilat solli një ndihmesë me vlerë në zhvillimin e këtij lloji në letërsinë tonë.

Në komedinë e parë, autori vë në lojë me një humor të lehtë mentalitetin dhe zakonet prapanike të fshatit shqiptar, të cilin e jep me ngjyra të gjalla e plotë imtësi të goditura jetësore dhe etnografike. “Pas vdekjes”, është një komedi politike, ku me anë të situatave komike të gjetura bukur, përshkruan me sarkazëm dërrmues por tretin e politikanit që bën lojën e Xhonturqve në gjirin e lëvizjes patriotike shqiptare. Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut”, botuar më 1937. Ai ka lënë pas ndër veprat më të shquara të letërsisë shqiptare që sot e kësaj dite lexohen nga adhuruesit e letërsisë. Ndër këta vepra është edhe poezia “Elegji në pleqëri për të shkretën djalëri”, poezi kjo që për një kohë të gjatë, që nga regjimi komunist, ka qenë e ndaluar të lexohej dhe të publikohej. Kjo për arsye se në këtë poezi, Çajupi ka thurur vargje rreth jetës së tij seksuale dhe mendësisë së tij për seksin në përgjithësi gjë që e veçon këtë poezi të Çajupit nga poezitë e tjera erotike shqiptare.

KOMEDIA

Komedia “14 vjeç dhëndër” është një nga veprat më të njohura të Andon Zako Cajupit. Kjo komedi është përfshirë në vëllimin “Baba Tomorri” të botuar në vitin 1902. Si dramaturg, ai i dha përmbajtje e formë të re dramës, nëpërmjet këndvështrimit realist e kritik, si dhe humorit të mprehtë popullor. Në qendër të kësaj vepre qëndron zakoni patriarkal i martesave në moshë të re. Në këtë komedi Çajupi e merr temën nga jeta e fshatrave malore të Shqipërisë së Jugut. Nëpërmjet shpotisë dhe humorit ai kërkon që në veprën e tij të godasë këtë realitet të hidhur. Në ketë vepër krijimi i një familjeje shihet si mënyra e duhur për ekzistencë, por që autorin nëpërmjet humorit mundohet ta lehtësojë sadopak. Kjo dramë nis si komedi dhe më pas mbaron si tragji-komedi.

Komikja lidhet me situatën absurde ku nusja vë dhëndrin në gjumë, ndërsa tragjikja me shfrytëzimin e nuses. Në disa zona të Shqipërisë, këto zakone vazhdojnë akoma të ekzistojnë. Edhe pse kjo nuk është diçka e mirë sepse pengohet zhvillimi i vendit, na duhet ta pranojmë dhe te përballemi me këtë të vërtetë. Në familjet shqiptare vazhdojmë të shohim shfrytëzimin e gruas si “kafshë shtëpiake”, ku mendimi i saj nuk merret parasysh, por përdoret për t’i shërbyer pjesëtarëve të tjerë të familjes e sidomos burrit të saj. Ndoshta për ketë arsye kjo komedi i ka rezistuar dhe vazhdon t’i rezistojë kohës. Me temën që trajton në këtë vepër, ne mund të dallojmë fare qartë mesazhin që ai ka dashur të na transmetojë. Sipas tij shfrytëzimi i gruas jo vetëm që nuk ka mbarim në kohët që jetojmë, po ai, gjithashtu, trashëgohet brez pas brezi a thua sikur të ishte një virtyt i shoqërisë njerëzore. Ky mesazh na vjen dukshëm në pothuajse çdo fjalë të Tanës, kur ajo ankohet se është e lodhur nga të gjitha detyrat, që ajo ka në shtëpi (“..tërë ditën ngase qetë/dhe drekë e darkë bëj vetë/ Gjithë puna përmi mua! “) dhe kur thotë se kërkon që të marrë për nuse një grua që ta ndihmojë. Nuk marr nuse për sisë/po për punët e shtëpisë..”). Subjekti i kësaj vepre është i tipit tradicional. Në të dallojmë qartë ekspozicionin, pikën e lidhjes, zhvillimin dhe pikën kulmore. Ekspozicioni shënon pjesën hyrëse të komedisë dhe ka formën e bisedës. Ne këtë pjesë, që shënon pjesën nismëtare të fabulës, shkallë-shkallë shtohet lënda, theksohet tema e ideja dhe me këtë bëhet ndarja (distancimi) midis personazheve. Këtë e shohim tek fillimi i skenës, ku behet një prezantim i momentit dhe i vendit ku po zhvillohet ngjarja dhe kur personazhet fillojnë të flasin, që na jep në një ide të personazheve që marrin pjesë. Në rastin tonë, skena fillon me bisedën midis Tanës dhe Vangjelit, dy personazhe kryesore, të cilët do të na shoqërojnë gjatë gjithë veprës. Gjinoja është personazhi rreth të cilit rrotullohet ngjarja. Ai është një fëmijë katërmbëdhjetëvjeçar, të cilin nëna e tij do ta martojë, pra ai shërben si justifikim që Tana të ketë një mbështetje për punët e shtëpisë. Në fjalët e tij vëmë re, që ai nuk i ngjan fare një “dhëndëri” siç është përshkruar gjatë të gjithë veprës, por përkundrazi është një fëmijë tipik i kohëve të atëhershme. Natën e parë të martesës së tij ai i thotë nuses: “Lozim ndonjë lodër? Të dua si motër.”. Marigoja është gruaja njëzetvjeçare e Gjinos.

Në kohën që zhvillohet ngjarja, për martesat vendosnin prindërit duke parë interesat e tyre. Edhe me Marigonë ka ndodhur e njëjta gjë. Nga ato pak fjalë që thotë duket që nuk ka qenë dëshira e saj të martohej me Gjinon, po përkundrazi ka qenë e detyruar (Ç’motër më ke mua, o lum e përrua? Ti më more për grua. Fli të marrtë lumi). E gjithë komedia, merr shkas nga martesa e Marigosë me Gjinon. Marigoja shihet ndryshe nga njerëz të ndryshëm. Tana e sheh si një nuse që do ta ndihmojë në punët e shtëpisë. Vangjeli nuk di se ç’të të mendojë. Ai dëshiron që t’i marrin mendimin dhe Gjinos, por ndërkohë edhe e mbështet mendimin e gruas së tij. Dhe së fundmi, Gjinoja në vend që ta shohë si gruan e tij, duke qenë se është një fëmijë i pazhvilluar, e sheh atë si motër. Zonja Kote është kushërira e Tanës. Ajo shfaqet në skenën e dytë (te mulliri). Nga mënyra se si i drejtohet Tanës shohim se ajo është një grua e pasjellshme, pasi përdor fjalë nga më të këqijat për të sharë Tanën. Nga ana tjetër zonja Briri, në fillim sillet me Tanën ashtu siç i ka hije një nuseje. Në momentin që Tana fillon ta mallkojë atë dhe vajzën e saj, ajo revoltohet dhe ia kthen me të njëjtën monedhë. Te dyja këto personazhe janë përdorur nga Çajupi për të nxjerrë në pah karakteristikat e zonjës Tanë.

/Gazeta Panorama