Tue, Apr 1, 2025

“I emocionuar për rikthimin te Partizani”, Gega: E di çfarë mungon, do injektoj besimin, kjo është sfida ime

  • PublishedMarch 29, 2025

“I emocionuar për rikthimin te Partizani”, Gega: E di çfarë mungon, do injektoj besimin, kjo është sfida ime

Pasi u rikthye dje te Partizani, trajneri  Skënder Gega iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për ndeshjen ndaj Laçit.

Rikthimi te Partizani-

Gega: Jam i emocionuar. Vetë lidhja ime me historinë apo edhe identiteti im si sportist është Partizani. Gjërat kanë ndryshuar për mirë në fakt nga koha që unë kam qenë. Ka qenë një klub elitar, ndërsa sot është bërë një ndërmarrje elitare, kjo shton edhe përgjegjësinë më të madhe sepse investimi që është bërë është një lehtësi e madhe për çdo pjestar të këtij klubi të punoj. Në këtë aspekt jam shumë i lumtur, i emocionuar që jam rikthyer dhe përfitoj të falënderoj çdo njeri që ka patur besim tek unë duke nisur nga presidenti Gaz Demi e deri tek tifozi më i thjeshtë. Eshtë një sfidë e vështirë por në fund të fundit futboll është. Partizani është këtu me uljet dhe ngritjet e tij si çdo ekip tjetër. Unë do mundohem të jap më të mirën time sepse së pari e kam për detyrë, por edhe sepse e ndjej që duhet të jem në këto momente këtu.

Sa e njihni ekipin dhe çfarë do të donit të ndryshoni në skuadër për të arritur atje ku doni – 

Gega: Dje zyrtarisht edhe me presidentin Demi kemi arritur dakortësinë që për pjesën e mbetur të jem në krye të ekipit. E njoh shumë mirë ekipin sepse kategorinë superiore unë në tërësi e ndjek, veçanërisht Partizanin. Kam patur gjithmonë lidhje asnjëherë nuk jam shkëputur panvarësisht se nuk jam shfaqur në stadiume. Partizani i ka të gjithë elementët, në fushë ka mundësi për të bërë mirë. Unë nuk mund të bëj analizën e të kaluarës, as kolegëve. Nga momenti që jam larguar në mos gabohem të paktën 11 trajnerë kanë patur shansin e tyre të jenë në krye të Partizanit edhe privilegje dhe nuk mund të them dot asnjë fjalë për të kaluarën. Nesër fillon sfida ime, për kaq kohë deri nesër do të bëj të pamundurën, do ballafaqohem dhe të prezantoj veten me secilin nga lojtarët, ti dëgjoj ku janë problemet dhe çfarë mund të rregullojmë në këtë kohë të shkurtër.

Si erdhi ky rikthim disi i befasishëm te Partizani –

Gega: Në futboll gjithmonë ka befasi. Ndaj janë 90 minuta ka dhe shtesa. Një gol mund të rrëzojë një projekt, një gol të nxjerr kampion. Unë asnjëherë nuk i kam shkëputur marrëdhëniet e mira me presidentin Demi , por edhe me pjesën tjetër të klubit. Jam i lidhur me njerëz që vërtet e duan me shpirt dhe kam bërë zgjedhje me zemër. Nuk kam patur asnjë lloj problemi. Në momentin kur presidenti e ka parë të nevojshme ndihmën time nuk e kam refuzuar. Ky është profesioni nganjëherë mërzitesh nga rezultatet , nga problemet që të krijohen gjatë punës. Po nganjëherë janë disa gjëra që të japin adrenalinën. Jam i emocionuar por edhe i lumtur që jam rikthyer përsëri në shtëpinë time.

E keni lënë ekipin si kampion –

Gega: “Formula e Final 4” kur kam patur mundësi të flas ka dy gjëra të mira. Presioni te trajnerët është më i pakët sepse edhe nëse gabon gjatë gjithë vitit ti mund të jesh aty. Panvarësisht nga uljet dhe ngritjet që Partizani i ka patur mënyra se si i ka menaxhuar ndeshjet njera nga tjetra besoj se mundësitë janë ti marrim maksimumin secilit kjo është idea. Nuk mund të them çfarë do ndodhi nesër. Unë i konsideroj që të gjitha ndeshjet deri në fund janë luftë, janë beteja që vetëm me njerëz që kanë karakter të fortë, vetem me njerëz që kuptojnë pavarësisht se janë të huaj të kuptojnë historinë e Partizanit. Përgjegjësia është e madhe gjithmonë pjesa drejtuese është ajo që mban ngarkesën. Unë nuk dua të kthehem mbrapa ka gjëra të mira shumë nga ai ekip flas gjithmonë në fushë. Përderisa kanë qenë këto ulje – ngritjet shpresojmë ti korrigjojmë sa më shumë.

Çfarë do shikojmë ndryshe te skuadra e Partizanit –

Gega: Unë e kam të qartë se çfarë mungon. Do mundohem në këtë kohë të shkurtër të injektoj besimin dhe të jem i hapur. Çdo njeri që ka firmosur për Partizanin ka bërë mirë dhe kush i ka sjell nuk ka asnjë problem secili ka biznesin e vet. Në momentin që firmosin aty fillon sfida sepse nuk ka më askush një status të veçantë. Të gjithë do kenë mundësinë do e tregojnë në stërvitje, në fushë, jasht fushe. Janë shumë gjëra që duhet të bashkohen bashkë edhe përgjegjësinë për fanelën, për tifozët. Ne kemi në dorë ti afrojmë tifozët nëse luajmë me shpirt dhe dinjitet, tifozët e Partizanit nuk mungojnë. Ne kemi në dorë edhe ti largojmë në qoftë se jemi një ekip pa zemër. Partizani ka një tjetër qasje historike sepse kështu është i ndërtuar , nëse luajmë me zemër panvarësisht rezultateve si mund të jenë të japim 100% me zemër nga vetja jonë. Besoj se gjërat do të riparohen.

Ndeshja me Laçin –

Gega: Dje kam qenë prezent në stërvitje me presidentin Demi ,sot kam ndjekur ekipin U-21. Eshtë një kohë shumë e shkurtër. Nata ka qenë shumë e gjatë për mua sepse emocionet edhe ajo që unë gjatë gjithë kohës kam menduar çfarë mund të bëj sot edhe nesër. Nuk besoj se kemi hapësirë të madhe për të bërë gjëra radikale. Do mundohem të jap pjesën time, mënyrën sesi unë punoj dhe deri nesër shpresoj dhe uroj që të më kuptojnë sa më shumë lojtarët dhe gjithë grupi që ne punojmë. Jemi në vend të katërt ,4 pikë larg Elbasanit. Eshtë meritë e atyre që kanë punuar edhe e këtyre djemve. Çdo njeri që ka gabuar s’duhet ti kthehemi mbrapa ta përmendim. Çdo njeri që punon gabon, çdo sportist ka ditë të mira dhe ditë të këqija. Edhe me ata që kanë nevojë për mbështetje do punoj ti shtyjmë që të japin maksimumin. Uroj dhe shpresoj që gjërat të shkojnë mirë.

 


AlbaniaWeb.net